Ministria e Transporteve: Kosto përcaktohet nga terreni
Projekti i rrugës Durrës-Kukës vazhdon të jetë në qendër të debateve mes PS dhe PD-së. Pas deklaratave të opozitës mbi koston e ndërtimit të kësaj rruge, ka reaguar dje edhe Ministria e Transporteve. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, kostoja e rrugës Durrës-Kukës përcaktohet nga terreni ku kalon rruga, dhe kjo si pasojë e terrenit të vështirë gjeografik në të cilin po ndërtohet kjo rrugë. Madje transportet nuk kanë hezituar që të marrin edhe shembuj krahasuar me vendet e tjera. Psh në Kroaci, segmenti Krapina–Macelj, pati një kosto prej 15 milionë Euro për kilometër. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, pretendimi se ka një oponencë që nuk e justifikon ndërtimin e rrugës është mashtrim. Madje, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, në oponencën e projekt zbatimit, konkludohet se “Projektuesi ka treguar kujdes në përzgjedhjen e aksit planimetrik dhe altimetrik të rrugës, për të dhënë një zgjidhje eficiente në teknikë dhe ekonomike. Tipizimi që i ka bërë urave dhe tombinove lehtëson jashtë mase ndërtimin e tyre, duke sjellë ekonomi në ndërtim dhe përfitim në kohë. Projekti ia ka arritur qëllimit në dhënien e një zgjidhje teknike të kënaqshme, ekonomike dhe të lehtë për zbatim”. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës është parashikuar të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm. Ky është projekti më madhor dhe më i kushtueshëm i qeverisë demokrate.
Kostot për km në vende të tjera
Në Kroaci, Krapina – Macelj, 15 milionë Euro për km
Në Slloveni, Sentiv – Koseze 55 milionë Euro për km
Po në Slloveni, Tojanë 30 milionë Euro për km
Sllovaki Sverepec–Vrtizer 31 milionë Euro për km
Poloni seksioni autostradal S8 100 milionë USD për km
Suedi, autostrada Sodra, 140 milionë Euro për km
Hollandë, rruga Delft – Rotterdam, 100 milion Euro për km
Suedi, bypass-i perëndimor i Stockholm-it 110 milionë Euro për km
Spanjë, 5.5 km në Seville, 107 milionë Euro për km
Greqi, rruga Egnatia Panagra – Polymos, 21 milionë Euro për km