E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vlerësimi i dëmit, i paligjshëm”

 

Trazhgim Sokolaj

Specialistët kontabël kritikojnë provën më të fortë që ndodhet në dosjen “Durrës-Kukës” e që sipas Prokurorisë, ka rënduar pozitën e ish-ministrit të Transporteve Lulzim Basha deri në marrjen e tij nën akuzë. Ekspertë kontabël si ata që caktoi prokuroria për kryerjen e akt-ekspertimit të rrugës Durrës-Kukës, madje kolegë të hartuesve të raportit, thonë se vlerësimi është i paligjshëm. Përkundër këtij pretendimi të artikuluar dje nga disa ekspertë kontabël, që janë njohur me pjesët e raportit që janë bërë publike në media, Prokuroria konsideron se akti i ekspertimit me autorë ekspertët e autorizuar Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, është një nga provat kryesore në dosje, që ilustron qartë dëmin ekonomik, që i kanë shkaktuar shtetit zyrtarët e akuzuar në dosjen “Durrës-Kukës”. Me aq dijeni sa kanë marrë për metodikën e ndjekur nga ekspertët që u thirrën nga Prokuroria për llogaritjen e dëmit, kolegët e hartuesve të aktit të ekspertimit, thonë se rruga e ndjekur është e gabuar. Ekspertët me të cilët komunikoi gazeta “Panorama”, nuk mohuan se investimi, prokurimi e tenderimi, mund të kenë dëm ekonomik, “kjo është një çështje që duhet të verifikohet”, thanë ata, por sipas tyre, rruga e ndjekur në përllogaritje nga ekspertët e thirrur nga Prokuroria, është e gabuar, madje e paligjshme.
Kritikat për ekspertizën
Megjithëse kjo është një çështje që vetëm gjykata do ta vlerësojë, ekspertët kontabël thanë, se në Shqipëri nuk ka asnjë vepër tjetër publike si rruga Durrës-Kukës, ndaj matja e çmimit të këtij investimi për njësi, nuk mund të merret në krahasim me objekte të ndryshme nga vepra objekt ekspertimi. “Nuk ka një rrugë apo vepër tjetër publike për të cilën mund të thuash se kostoja për 10 metra ndërtim ishte x e më pas, duke folur për autostradën Durrës-Kukës, të llogarisësh e të dalësh në përfundimin se aty është harxhuar më shumë apo më pak, krahasuar me çmimin për njësi të objektit që ke marrë për referim”, thanë ekspertët kontabël. Sipas tyre, në akt-ekspertimin që ndodhet në dosje, ka edhe një problem tjetër me matjen dhe vlerësimin e çmimit për njësi për materialin dhe mjetet që po përdoren për ndërtimin e rrugës. “Bëhet fjalë për çimento dhe hekur të cilësisë së lartë, që blihet jashtë vendit me çmime të tjera. Në llogaritjen e akt-ekspertimit nuk mund të marrësh si pikë referimi çmimin vendas të çimentos apo të hekurit, sepse këto lëndë që po përdoren në rrugën Durrës-Kukës, vijnë nga jashtë dhe për më tepër cilësia dhe lloji i tyre është i ndryshueshëm në varësi të terrenit. Duke studiuar terrenin hap pas hapi, zbatuesit e projektit vlerësojnë koeficientin e goditjes dhe faktorë të tjerë dhe vendosin më pas fortësinë dhe cilësinë e çimentos dhe hekurit, të cilat nuk janë të njëjta në çdo segment”, thanë ekspertët kontabël.
Akt-ekspertimi
Në thelb të aktit të ekspertimit që dy specialistë kontabël kanë dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme, ka qenë segmenti Rrëshen-Kalimash, i cili është edhe objekt i hetimeve të Prokurorisë. Autorët e raportit shprehen se në segmentin Rrëshen-Kalimash, kostoja e ndërtimit për metër katror ka qenë gati tri herë më e lartë se kostoja e ndërtimit për metër katror në segmente të tjera të rrugës. Prokuroria, referuar aktit të ekspertimit, dyshon se bëhet fjalë për një favorizim të kompanisë “Bechtel-Enka”, e cila po kryen punimet në aksin Rrëshen-Kalimash, pasi asaj i janë dhënë më shumë para për metër katror, sesa kompanive të tjera që po punojnë në segmentin Kalimash-Morinë, që vazhdon pas aksit Rrëshen-Kalimash. Duke cituar akt-ekspertimin, prokuroria tha se në segmentin Rrëshen-Kalimash kostoja e ndërtimit për metër katror është 266.4 euro, ndërsa për segmentin Kalimash-Morinë, kostoja e ndërtimit për metër katror është vetëm 126.4 euro për metër katror. Metodika e ndjekur në llogaritjen e dëmit që vlerësohet rreth 232 milionë euro, ka qenë krahasimi i objektit të ekspertuar (Rrëshen-Kalimash) me segmentin Kalimash-Morinë.

Kritikat e ekspertëve

Segmentet e ndryshme të rrugës, s‘kanë kosto të njëjtë, pasi ndryshon terreni dhe cilësia e materialit

Referimi tek çmimi për njësi ka probleme, pasi çimentoja dhe hekuri janë materiale, që vijnë nga jashtë dhe nuk kanë lidhje me çmimet e tregut vendas

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›