E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suksesi i ndërtimit ose dështimi i ekonomisë

Blendi Kajsiu 

Shembja e frikshme e një pallati në Gjirokastër pak kohë më parë solli në vëmendjen e publikut problematikën e sektorit të ndërtimit në Shqipëri. Me të drejtë kjo ngjarje nuk u pa si një incident i veçuar, por si simptomë e një problemi të madh me sektorin e ndërtimit ku fitimet, abuzimet, influenca politike dhe pasiguria ...për jetën duket se ndërthuren pazgjidhshmërisht. Si gjithmonë edhe debati në lidhje me sektorin e ndërtimit u ravijëzua në dy kampe; njëra palë e shikonte problemin tek mungesa e legjislacionit, ndërsa pala tjetër tek mungesa e zbatimit të legjislacionit ekzistues. Natyrisht kish edhe nga ata që theksonin një kombinim të të dyjave. Kjo është një ndarje që ndodh pothuajse automatikisht përballë çdo fenomeni negativ në Shqipëri; disa theksojnë domosdoshmërinë e zbatimit të ligjeve, disa domosdoshmërinë e përmirësimit të tyre, ndërsa të tjerë të dyja.  Problemi me këto pozicione është se ato thjesht na ofrojnë konstatime që shiten si shpjegime apo analiza. Të thuash se në Shqipëri nuk zbatohen ligjet, do të thotë thjesht të konstatosh një fenomen me të cilin përballet çdo ditë çdo qytetar shqiptar. Po kështu të thuash se ligjet kanë nevojë për t’u përmirësuar do të thotë të bësh konstatimin elementar se legjislacioni shqiptar nuk është perfekt. Së fundmi, të thuash se problemi në Shqipëri është se ligjet nuk zbatohen apo nuk përmirësohen, do të thotë t’i vësh emrin ‘shpjegim’ konstatimit të bërë më sipër. Në këtë mënyrë eliminohet edhe thelbi i çështjes; përse nuk zbatohen ligjet në Shqipëri? Përse ligjet në Shqipëri janë kaq të këqija? Janë pikërisht këto pyetje që kërkojnë përgjigje. Dhe përgjigja ndaj tyre nuk ofrohet duke e reduktuar çdo problem tek momenti legjislativ apo tek zbatueshmëria, por duke e parë atë si pjesë të një problematike më të gjerë sistemore. Vetë moszbatimi i legjislacionit apo mangësitë e tij janë simptoma të dështimit të një sistemi të caktuar politik, ekonomik apo social. Nëse legjislacioni nuk zbatohet në mënyrë sistematike, do të thotë që kemi një problem me sistemin. Po kështu kur përmirësimi i vazhdueshëm i legjislacionit vazhdimisht riprodhon domosdoshmërinë për përmirësimin e tij, atëherë problemi nuk është thjesht tek legjislacioni, por tek një sistem më i gjerë ekonomik, politik dhe social. Le t’i kthehemi sektorit të ndërtimit për ta parë këtë më konkretisht. Është mëse e qartë që në sektorin e ndërtimit legjislacioni nuk zbatohet apo ka nevojë për përmirësim. Çështja shtrohet përse ndodh diçka e tillë? Një nga arsyet bazë është struktura e deformuar e ekonomisë shqiptare. Sektori i ndërtimit është kthyer tashmë në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Sot për sot ndërtimi është pothuajse e vetmja industri që lulëzon dhe ekziston në Shqipëri. Ekonomia shqiptare prodhon pak gjë përveç banesave, pallateve apo rrugëve, edhe pse nevojat në të gjithë këta sektorë mbeten akute. Kjo duket qartë edhe tek vetë mënyra se si ka evoluar ekonomia shqiptare gjatë viteve të tranzicionit. Kështu nëse në vitin 1998 sektori i ndërtimit përbënte 5% të GDP-së, në vitin 2005 ai ishte rritur në mbi 14%, pra pothuajse trefish, dhe vazhdon të rritet. Ndërkohë sektorë të tjerë të ekonomisë ose kanë mbetur njësoj ose kanë ardhur duke u zvogëluar. Kështu nga viti 1998 deri në vitin 2005 bujqësia ka zbritur nga 28% në 20%, shërbimet nga 58% në rreth 55%, ndërsa industria ka mbetur pothuajse njësoj nga 7.4% në rreth 9.7% (shiko aneksin e raport–progresit të KE-së, faqe 52).  Sikurse tregojnë edhe këto statistika, e ashtuquajtura rritje ekonomike e Shqipërisë në masën më të madhe ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së industrisë së ndërtimit dhe jo si pasojë e ndonjë zhvillimi ekonomik cilësor, që do ta bënte ekonominë shqiptare më produktive dhe më konkurruese në tregun botëror. Përkundrazi po t’i referohemi studimeve të Bankës Botërore përsa i përket indikatorëve të produktivitetit, Shqipëria renditet mjaft poshtë. Për më tepër ndërtimi prodhon një rritje që në vend ta lehtësojë e ka thelluar deformimin ekonomik dhe social të shoqërisë shqiptare. Kështu në vitin 2005 ndërtimi punësonte vetëm 5.7% të forcës së punës, krahasuar p.sh. me bujqësinë që në të njëjtin vit punësonte 58%. Pra ndërtimi është një sektor, zhvillimi i të cilit e ka lehtësuar pak ose aspak problemin e papunësisë në Shqipëri. Në të njëjtën kohë ai është një sektor ku fitimi, sikurse e tregojnë edhe shifrat e punësimit, mblidhet në pak duar duke e thelluar edhe më tej pabarazinë ekonomiko–sociale që prodhon tension të vazhdueshëm në shoqërinë tonë. Së fundmi, zhvillimi i sektorit të ndërtimit kontribuon edhe në përqendrimin e zhvillimit ekonomik në qendrat kryesore urbane, si Tiranë dhe Durrës, çka varfëron zonat më periferike të vendit. Pra kemi të bëjmë me një sektor që kontribuon në pasurimin e mëtejshëm të zonave më të pasura dhe varfërimin e mëtejshëm të zonave më të varfra.
Arsyeja se përse sektori i ndërtimit është zhvilluar kaq shumë buron nga fakti i thjeshtë, se në ekonominë shqiptare mungojnë pothuajse tërësisht sektorë alternativë që janë fitimprurës. Prodhimi industrial shqiptar sot është reduktuar ose te nxjerrja e mineraleve, ose tek industria e tekstileve. Ndërsa prodhimi bujqësor mbetet ende primitiv. Ndërkohë sektorët strategjikë si telefonia celulare dhe fikse kanë mbetur privilegj i kapitalit të huaj edhe si pasojë e presionit ndërkombëtar. Në këto kushte i gjithë kapitali lokal, në një mënyrë ose një tjetër është përqendruar te ndërtimi. Gjatë viteve të tranzicionit ky kapital ka ardhur duke u rritur, kryesisht si pasojë e remitancave që kanë ardhur nga emigracioni. Rritja e vazhdueshme e kapitalit lokal përballë mungesës së alternativave të investimit ka prodhuar pikërisht bumin e ndërtimit dhe “masakrën urbane”. Investitorë të mëdhenj dhe të vegjël, firma serioze dhe jo serioze, janë dyndur tek sektori i ndërtimit si hapësira e vetme për zhvillimin e kapitalit shqiptar. Sot sektori i ndërtimit është vetë kapitalizmi shqiptar. Nuk është rastësi që ndërtuesit kryesorë kanë edhe mediat kryesore, janë edhe financuesit dhe mbështetësit kryesorë të politikanëve dhe partive politike. Në këto kushte procesi politik nuk mund të rregullojë industrinë e ndërtimit, përkundrazi ky proces rregullohet nga kjo industri. 
Asnjë politikan apo forcë politike nuk do të mundet ta ndalë masakrën urbane që prodhon sektori i ndërtimit për sa kohë struktura e ekonomisë shqiptare nuk ofron asnjë alternativë fitimprurëse për rikanalizimin e kapitalit vendas. Dhe ky kapital nuk është i vogël, ai është shumë më tepër sesa i gjithë investimi i huaj i bërë në Shqipëri përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Problemi është se asnjë qeveri shqiptare dhe asnjë politikan shqiptar ende nuk ka një plan konkret se si do të aktivizohet ky kapital, që përbën motorin e pandezur të ekonomisë shqiptare, përtej sektorit të ndërtimit. Në kushtet aktuale asnjë politikan apo qeveri nuk do të jetë e aftë ta disiplinojë apo kontrollojë industrinë e ndërtimit, pasi sot bllokimi i kësaj industrie është vetë bllokimi i zhvillimit ekonomik shqiptar. Kështu që masakra urbane shqiptare nuk buron thjesht nga moszbatimi i ligjit, mungesa e kulturës ligjore, korrupsioni e të tjera klishe si këto. Në thelb të masakrës urbane shqiptare është vetë modeli i dështuar i zhvillimit tonë ekonomik që nuk ka krijuar asnjë hapësirë frymëmarrje për kapitalin vendas, përveçse në sektorin e ndërtimit. Ky model prodhon një presion të papërballueshëm nga cilado qeveri apo forcë politike në vend. Çdo parti politike ka nevojë për financim nga kapitali vendas për të mbajtur apo marrë pushtetin, dhe kur ky kapital është kryesisht kapitali i ndërtimit, është e kotë të presësh disiplinimin e ndërtimit nga politika. Asnjë qeveri perëndimore nuk është përballur me një presion të tillë, pasi në këto vende ndërtimi ka qenë vetëm një nga sektorët fitimprurës ku mund të investohej. Është pikërisht mungesa e këtij presioni që shpjegon se përse zhvillimi urban është bërë në mënyrë të disiplinuar në vendet e perëndimit. Prandaj për të disiplinuar dhe rregulluar sektorin e ndërtimit, për të eliminuar masakrat e ardhshme urbane, ne duhet që më parë të ristrukturojmë ekonominë shqiptare duke krijuar hapësira për investimin e kapitalit vendas përtej sektorit të ndërtimit. Të tjerat janë llafe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›