E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Bashës: Ina Rama veproi politikisht

 

TIRANE – Avokati mbrojtës i ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, e konsideron kontradiktor qëndrimin e mbajtur nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me dosjen “Durrës-Kukës”. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, lidhur me kërkesën e prokurorit Arben Kraja për paraqitjen e Lulzim Bashës në Prokurori dhe marrjen e tij në pyetje me cilësinë e të pandehurit, avokati Zef Nika tha se “dëgjuam prokuroren e Përgjithshme, e cila disa ditë më parë deklaroi publikisht se për shkak të vendimit të Gjykatës së Tiranës, nuk mund të kryejmë asnjë veprim me dosjen. Ajo foli si gjyqtare dhe tha se Prokuroria do të zbatonte vendimin e gjykatës, por kjo që po ndodh tregon se më pas kryeprokurorja veproi si prokurore dhe në darkë, u mor me politikë”, tha avokati, duke iu referuar vendimit të marrë pas deklaratës së Ina Ramës, për marrjen nën akuzë të Lulzim Bashës dhe pyetjen e tij në cilësinë e të pandehurit. Duke argumentuar më tej, avokati i ministrit të Jashtëm, tha se vendimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës, për pavlefshmërinë e provave dhe veprimeve të Prokurorisë pas datës 6 nëntor 2008, prek edhe klientin e tij Lulzim Basha, i akuzuar për “shpërdorim detyre” në cilësinë e ish-ministrit të Transporteve. “Klienti im është marrë në pyetje edhe më parë në Prokurori dhe në procesverbal shkruhet qartë se është pyetur për veprime të kryera me personat e tjerë që ishin të pandehur për këtë çështje. Pra, është marrë në pyetje si person që ka kryer veprime bashkë me të tjerët”, tha avokati duke pohuar se me këtë argument, vendimi i Gjykatës së Tiranës i dhënë pas ankimit të Andi Tomës dhe Armand Telitit është i zbatueshëm edhe për ministrin Basha. Avokati shtoi më tej se jo vetëm kërkesa për ta marrë në pyetje, por edhe aktvendimi për cilësimin e Bashës si i pandehur, është një veprim hetimor i Prokurorisë, në kundërshtim me vendimin e dhënë nga gjykata, që i ka konsideruar të pavlefshme veprimet me dosjen pas 6 nëntorit 2008. Avokati Zef Nika tha se ka marrë një lajmërim nga Prokuroria e Përgjithshme, ku i kërkohet të paraqitet më 27 nëntor 2008 në cilësinë e mbrojtësit ligjor të ministrit Basha, të cilit atë ditë do t’i komunikohet statusi i të pandehurit në dosjen “Durrës-Kukës”. “Besoj se do të respektojmë kërkesën e tyre për t’u paraqitur, edhe pse sipas ligjit kjo nuk është e detyrueshme”, tha më tej avokati Zef Nika, mbrojtës ligjor i ministrit Basha. Ai tha se Prokuroria nuk mund të kryente veprime të ligjshme për këtë çështje derisa në mes ka hyrë një vendim i dhënë nga gjykata, e cila ka shpallur pavlefshmërinë e të gjitha akteve, që kryhen pas datës 6 nëntor 2008.     tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›