Akuza. Pioloti Tarifa, aksident njerëzor
07/02/2005 Prokuroria Ushtarake e Tiranës, pas rreth katër muajsh, ka përfunduar hetimin për rrëzimin e avionit luftarak MIG-19 në aeroportin e Rinasit, ku humbi jetën piloti dëshmor Jani Tarifa. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se shkak për aksidentin ka qenë një gabim njerëzor i pilotit në momentin e ngritjes së avionit. Burime nga organi ushtarak i akuzës pohuan se në lidhje me tragjedinë që pësoi piloti Tarifa më 16 shtator të vitit të kaluar, u kryen të gjitha ekspertimet dhe verifikimet e mundshme përsa i përket gjendjes teknike të mjetit fluturues. Sipas burimeve të lartpërmendura, gjithçka që kishte të bënte me anën teknike të avionit është verifikuar dhe konsultuar disa herë me ekspertë të fushës së aviacionit luftarak dhe gjithçka ka rezultuar sipas rregullave dhe parametrave të duhura. Pavarësisht vjetërsisë së avionit, ai ka qenë në gjendje optimale përpara fluturimit të fundit. Pas këtyre verifikimeve, hetuesit ushtarakë kanë nisur verifikimin e pjesës së dytë të hetimit, që ishin veprimet e pilotit Tarifa në momentin e ngritjes së avionit MIG-19. Dhe duket se këtu ekspertët kanë gjetur edhe shkakun e rrëzimit fatal dhe tragjik të mjetit. Duke rindërtuar edhe një herë skemën e ngjarjes në bazë të matjeve që janë bërë dhe dëshmive, ekspertët kanë përcaktuar se në momentin e shkëputjes së avionit nga pista, mjeti fluturues ka marrë një kënd ngritjeje më të madh nga normali dhe, për rrjedhojë, kjo ka sjellë edhe humbjen e mëpasme të kontrollit mbi MIG-un. Aksidenti tragjik ka ndodhur më 16 shtator të vitit të kaluar në aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza”.