E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza: Prostituta në qeli për “të fortët”

Gjykata e Burrelit refuzoi caktimin e masës së sigurisë në mungesë për ish-drejtorin e burgut të këtij qyteti, Shyqyri Dushku, i cili dyshohet nga Prokuroria se ka lejuar futjen e prostitutave në burg për të dënuarit "e fortë" që mbaheshin aty. 

Për shkak se hetimi është në momentet e para të tij, gjykata nuk është bindur me provat e akuzës por edhe nga besueshmëria e denoncimit, është ende e paqartë nëse "skena rozë" ka ndodhur në të vërtetë në institucionin e vuajtjes së dënimit. Megjithatë Prokuroria e Burrelit duket se i ka besuar një polici të burgut të këtij qyteti, i cili ka denoncuar skandalin. Pas denoncimit Prokuroria konfirmon se ka filluar zyrtarisht hetimin e këtij rasti dhe siç pohohet ka kërkuar në gjykatë masën e arrestit ndaj ish-drejtorit të burgut të Burrelit, Shyqyri Dushku, i cili tashmë është i punësuar në burgun e Lezhës. Kërkesa e Prokurorisë është dërguar në Gjykatën e Matit disa ditë më parë. Pasi është shqyrtuar nga gjyqtari i gatshëm në këtë institucion pretendimi i Prokurorisë është rrëzuar me argumentin se nuk ishte mbështetur në prova. Burimet zyrare nga Prokuroria nuk kanë konfirmuar nëse kishin kërkuar arrest apo ndonjë masë tjetër ndaj Shyqyri Dushkut, por thanë se do ta apelojnë vendimin e gjykatës që rrëzoi kërkesën e tyre. Organi i akuzës në Burrel ka qenë tepër i rezervuar në deklarimet lidhur me këtë çështje duke pohuar se po heton çdo informacion apo çdo denoncim të mbërritur pranë saj për vepra penale të kryera në burgun e Burrelit. Megjithatë nga burimet e hetimit është mësuar se një polic i regjimit të brendshëm ka denoncuar në Prokurori pak kohë më parë ish-drejtorin e burgut të Burrelit, duke e akuzuar atë se ka lejuar futjen e prostitutave në burg për të kryer marrëdhënie seksuale me personazhet e njohur publikisht dhe konsideruar si "të fortët" që mbahen ne qelitë e Burrelit. Polici i burgut, në denoncimin e tij ka përmendur disa emra të dënuarish që kanë përfituar nga ky favor megjithatë në mungesë të konfirmimit zyrtar nga Prokuroria dhe për shkaqe etike, këta emra nuk bëhen publikë. Prokuroria pretendon se ish-drejtori i burgut ka pasur përfitime të paligjshme nga tolerimet që ka bërë ndërsa pohon se veç denoncimit të bërë nga polici, janë gjetur edhe prova të tjera që mbështesin dyshimin e futjes së prostitutave në burg për takime speciale me të fortët që mbaheshin aty. Pas këtyre akuzave dhe kërkesës së bërë në gjykatë për caktimin e masës së arrestit ndaj tij, e cila u rrëzua në gjyq, gazeta kontaktoi me të akuzuarin, Shyqyri Dushku. Ai i mohoi akuzat që i bëhen, duke pretenduar se gjithçka ndaj tij ishte një hakmarrje e personave që ai ka denoncuar më parë si të implikuar në arratisjen e dy të dënuarve nga burgu i Burrelit. Sipas Shyqyri Dushkut, gjithçka kishte nisur gjatë kohës që ende ndodhej në detyrë, pasi persona të interesuar për postin e tij kërkonin ta largonin me çdo kusht nga detyra. Dushku tha se, pas dorëheqjes ishte kujdesur të denonconte skandalin që do të ndodhte më vonë pasi kishte siguruar më parë në rrugë operative informacionin për planin e arratisë nga dy të burgosur dhe mosveprimin e mbështetjen ndaj tyre nga persona të brendshëm në burg. Sipas Dushkut, denoncimet e tij edhe pse u vërtetuan, nuk janë marrë me seriozitet, madje për më tepër, ai ka pasur presione nga funksionarë të lartë shtetërorë.         f.m/t.s

“Hetimet për mua, hakmarrje për denoncimin e arratisë së marsit”

TIRANE - Shyqyri Dushku, ish-kryegardiani i Burrelit i kontaktuar dje nga "Panorama" tha se, nuk kishte asnjë dijeni për akuzat e bëra në ngarkim të tij. "Unë nuk kam urdhëruar apo lejuar kurrë që të hyjnë në burg femra për takime speciale, aq më tepër prostituta", pohoi ai dje duke shtuar se kjo mbështetej në faktin se ai në cilësinë e drejtorit nuk kishte asnjë të drejtë për të vendosur për takimet speciale të të burgosurve. Dushku vijoi se, të gjitha kompetencat për këto i kishte shefi i regjimit të brendshëm të burgut, i cili përpilon listat me emrat e të dënuarve, duke u përcaktuar atyre kohën kur do zhvillonin takimet speciale me familjen. Në lidhje me pretendimin se në qeli hynin prostituta, Dushku e mohoi në mënyrë kategorike duke e quajtur trillim dashakeq nga persona me të cilët ai ishte përplasur gjatë kryerjes së detyrës. Sipas tij, shkak për akuzat ishte paralajmërimi që ai kishte bërë në shkurt të këtij viti, për arratisjen e të burgosurve që ndodhi një muaj më vonë, në muajin mars, në këtë burg pas largimit të tij nga detyra. Dushku sqaroi se një muaj para arratisë së dy të dënuarve përjetë Fran Marashi dhe Prengë Lleshi, njoftoi eprorët e vet në Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, por askush nuk e vlerësoi informacionin. Më tej Dushku shtoi se, duke parë këtë situatë, i kërkoi ministrit të Drejtësisë të pranonte dorëheqjen e tij nga drejtimi i institucionit të sigurisë së lartë. fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›