E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë, Rama çon “Dialog me Shqipërinë” në Internacionale

Kreu socialist, Edi Rama, ka marrë pjesë dje në Kongresin e 23 të Internacionales Socialiste e cila po zhvillohet në kryeqytetin grek, Athinë. 

 Gjatë punimeve të këtij kongresi, ku shoqërohej nga kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të asamblesë, Taulant Balla dhe sekretari Organizativ, Blendi Klosi, kryetari i PS, Edi Rama bëri një ekspoze të shkurtër të nismës "Dialog me Shqipërinë" duke u shprehur se, ky proces do të ndihmojë PSSH për një program realist dhe konkret, për të gjetur zgjidhjet e duhura. Në këtë kongres, kryetari socialist zhvilloi takime të veçanta me Kancelarin e Austrisë, Alfred Gusenbauer, me Kryeministrin bullgar Sergei Stanishev dhe me Presidentin e Internacionales Socialiste dhe njëkohësisht liderin e PASOK-ut George Papandreu. Kancelari austriak u shpreh i gatshëm "të mbështesë dhe ndihmojmë PS në programin e saj qeverisës". Gjatë qëndrimit në Athinë, Rama ka zhvilluar një takim dhe me emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e programit të PS për emigracionin. Rama tha se, PS-ja do të ngrejë një strukturë të veçantë për ata njerëz që ndihmojnë për zhvillimin e vendit. "Ne do ta kemi pjesë të programit tonë çështjen e emigracionit dhe do të ndërtojmë me siguri një strukturë të posaçme që do të merret me problemet e përgjithshme dhe të përveçme të emigrantëve. Ne do të synojmë që këto probleme t'i trajtojmë dhe t'i zgjidhim", vijoi Rama.                    a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›