E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i municioneve, dëshmon Mihal Delijorgji

TIRANE – Mihal Delijorgji, kreu i “Alba Demil” i burgosur për tragjedinë e Gërdecit, është marrë në pyetje ditët e fundit në qeli për paketimin e fishekëve 7.62 mm, që dërgoheshin më pas në Afganistan. 

Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se, tashmë ka përfunduar faza e hetimit të Delijorgjit për tragjedinë e rëndë të 15 marsit, ku si pasojë e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në Gërdec humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, ndërsa ka nisur një fazë tjetër hetimi, ajo që ka të bëjë me dyshimin për implikimin e biznesmenit të skrapit në trafikun e municioneve. Përfaqësues të akuzës e kanë pyetur atë rreth origjinës kineze të municioneve të “Kallashnikovit” dhe ripaketimin e tyre në kuti kartoni, për t’ia shitur më pas me çmim thuajse dyfish kompanisë amerikane “AEY”, e cila kishte fituar një tender 300 milionë USD për furnizimin me armatim të ushtrisë afgane. Burime të lajmit pohojnë se, Delijorgji është marrë në pyetje për disa ditë me radhë gjatë javës që kaluam, ndërkohë që mësohet se pyetjet kanë qenë të përqendruara në faktin e origjinës së fishekëve; kontrata midis firmës së tij me ndërmarrjen shtetërore MEICO; si dhe kontrata tjetër me firmën amerikane për furnizimin me fishekë. Ndërkohë në një fazë të mëparshme të hetimit, Delijorgji është marrë në pyetje nga grupi hetimor i ngritur për hetimin e tragjedisë së Gërdecit në lidhje me akuzën e “shkeljes së rregullave të sigurisë për lëndët plasëse”, nën të cilën ndodhet në qeli. Në lidhje me këtë akuzë, mësohet se kreu i “Alba-Demil” ka pohuar se nuk mund të ishte përgjegjës për shkeljen e rregullave të sigurisë, pasi ai kishte caktuar administrator në ndërmarrje, si dhe kishte investuar në ndërtimin e një fabrike moderne për demontimin e municioneve të artilerisë. Për më tepër, Delijorgji pohon se kishte punësuar specialistë që mbikëqyrnin punën në fabrikë. Ndërsa i pyetur për arsyet e shpërthimit, Delijorgji pohohet t’i ketë mëshuar sërish mendimit se shkatërrimi i fabrikës mund të ketë qenë i qëllimshëm. Ai ka pretenduar se shkëndija fatale që solli tragjedinë më të rëndë të ndodhur në kryeqytet, mund të ketë ardhur nga jashtë.                             f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›