E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Topalli, përplasje edhe për “Konkurrencën”

 

ADI SHKEMBI

I preokupuar së fundi me përcaktimin e kritereve për përzgje-dhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Presidenti Topi ka bërë një lapsus lidhur me propozimet e tij, të cilat shkojnë në Kuvend për t'u votuar. Një gjë e tillë ka ndodhur pikërisht me emërimin e një anëtari në komisionin e Konkurrencës, ku sipas ligjit kërkohet që nga ana e kreut të shtetit të dërgohen dy kandidatë për një post të mbetur vakant. Më 23 qershor, presidenti firmosi dekretin nr. 5789 ku i propozon Kuvendit votimin e Bërhan Malevit në postin e anëtarit të këtij komisioni. "Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës dhe nenit 21, pika 3/a të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 "Për mbrojtjen e konkurrencës", dekretoj zoti Bërhan Malevi, propozohet anëtar i komisionit të Konkurrencës. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë", thuhet në dekretin e firmosur nga ana e presidentit një javë më parë. Por sipas procedurës kërkohet që për një post kreu i shtetit të propozojë jo një por dy emra. Pikërisht për këtë qëllim, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mësohet t'i ketë dërguar Presidentit Topi një letër të premten e kaluar, ku duke iu referuar bazës ligjore, i ka kërkuar që të propozojë edhe një emër tjetër. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme Topi ka nxjerrë dekretin tjetër me nr. 5789 ku propozon edhe Ëngjëll Skrelin për postin e anëtarit të komisionit të Konkurrencës. "Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës dhe nenit 21, pika 3/a të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 "Për mbrojtjen e konkurrencës", dekretoj zotin Ëngjëll Skrelin anëtar të komisionit të Konkurrencës. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë", citohet në dekretin e firmosur dje nga kreu i shtetit. Pas dërgimit në Parlament të dy emrave nga presidenti, pritet që në një nga seancat e ardhshme të votohet në mënyrë të fshehtë për njërin prej emrave që do të zënë postin e anëtarit në këtë komision. Debati mes shumicës së djathtë dhe Presidentit Topi, që e ka zanafillën pikërisht në kohën e ndryshimeve kushtetuese, ku preket edhe mënyra e zgjedhjes së presidentit, u bë publik plotësisht gjatë votimit disa javë më parë të pesë dekreteve të kreut të shtetit për në Gjykatën e Lartë. Pas moskonsultimit të tij me shumicën e djathtë, apo edhe me Kuvendin, nëpërmjet një votimi politik maxhoranca i rrëzoi të pesë dekretet e presidentit  me argumentin se ai nuk ka zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t'u konsultuar me Kuvendin. Në raportin e komisionit të Ligjeve thuhet se, Topi duhej të negocionte me Parlamentin në respekt të vendimit të vitit 2005 të Gjykatës Kushtetuese. Por kreu i shtetit ishte i vendosur për ta shmangur PD-në nga konsultimet për anëtarët e Gjykatës së Lartë, duke mos pranuar konsultime për emrat me PD-në, por vetëm duke ngritur një grup pune i cili do të marrë prej PD-së vetëm sugjerime për kriteret dhe jo për emrat. Pas paraqitjes së një pakete me katër kritere nga ana e demokratëve, pritet që të bëhet publik edhe qëndrimi i të djathtës në raport me ato pika që do të marrë parasysh presidenti Topi, pasi të dërgojë brenda kësaj jave emrat në Kuvend për t'u votuar. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se, Topi ka pranuar vetëm dy nga katër kriteret e PD-së, ato që kanë të bëjnë me integritetin moral të gjyqtarëve dhe bërjen transparente të pasurisë së tyre, ndërkohë që është duke u diskutuar për kriteret e tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›