E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha, reformat ia bëjnë të tjerët

Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, socialistët kërkuan që Kuvendi të nisë me shpejtësi punën për bërjen e reformës zgjedhore. 

 Kryetarja e grupit të deputetëve, Leskaj, duke dashur t'i japë një përgjigje kryeministrit Berisha për deklaratën e tij të një dite më parë tha se, propozimet e PS-së janë paraqitur shumë kohë më parë. "Dua t'i jap një përgjigje kryeministrit për reformën zgjedhore, i cili bëri abuzimin e radhës dje, kur foli për qëndrimin e Partisë Socialiste. Besoj se ju gazetarët dhe publiku shqiptar, janë dëshmitarë të faktit, që edhe dy javë më përpara, kam kërkuar në konferencë shtypi, që maxhoranca të marrë përgjegjësitë e veta, duke bërë propozimin konkret. Do të thotë që ne, kohë më parë, kemi propozuar që të ngrihet komision për Kodin Elektoral, për shkak se komisioni i Reformës Zgjedhore ka pushuar së qëni. Pra, kemi propozuar një komision për Kodin Elektoral, gjithashtu kemi përcaktuar edhe afatet dhe kemi bërë propozimet tona konkrete përsa i takon modaliteteve. Me sa duket Berisha është mësuar që reformat t'ia bëjnë të tjerët dhe nuk merr përsipër përgjegjësi, sepse në shoqëritë demokratike, përgjegjësitë për reformat i marrin maxhorancat", shtoi Leskaj. Leskaj e konsideroi këtë deklaratë abuzim të radhës të kryeministrit. "Ne sot, kemi vendosur si grup parlamentar, që të jemi dakord, që pasdite të miratohet komisioni i Reformës Zgjedhore, që do të jetë ashtu siç ne e kemi propozuar, një komision i Kodit Elektoral, me përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare. Fatmir Xhafaj do të jetë bashkëkryetar nga ana socialiste", vijoi Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›