E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza: Se pyesnim dot Meksin, me imunitetin e deputetes

29/11/2011  Prokurorët: Zhdukja e makinës, dosje administrative. Do të zbatojmë këshillën e gjykatës

Ish-shoferi Donald Bardhi zbuloi në prokurori përdoruesin e “Land-Roverit”

TIRANE- Mburoja e imunitetit të deputetit duket se ka ndikuar te prokurorët e Tiranës për të anashkaluar nga pyetja ish-deputeten Ermelinda Meksi. Sipas tyre, në periudhën kur është depozituar kallëzimi penal nga Ministria e Integrimit, zonja Meksi ishte deputete e Kuvendit dhe, për pasojë, ata nuk mund ta thërrisnin për ta marrë në pyetje. “Ne mund ta pyesnim vetëm në kushtet e personit që ka dijeni rreth ngjarjes, por duke qenë se në gjykimin tonë çështja dukej më tepër me karakter administrativ, ku palët mund të gjenin zgjidhje në gjykatë, kemi vendosur mosfillimin e hetimeve”, - shprehen burimet pranë organit të akuzës kryeqytetase. Prokuroria thotë se kishte dijeni që makina ishte në përdorim nga Ermelinda Meksi, por sipas akuzës, në qoftë se ajo do konsiderohej si grabitësja e mjetit, atëherë dosja duhej t’i kalonte Prokurorisë së Përgjithshme, që ka dhe kompetencën për hetimin e zyrtarëve me imunitet. “Në gjykimin tonë, dosja ishte me karakter administrativ dhe aspak penal, prandaj ne si prokurori vendosëm t’i drejtojmë palët drejt gjykatës”, - thanë burimet pranë akuzës. Ndërsa tashmë që çështja është rikthyer nga gjykata sërish për hetime, burimet tregojnë se në ditët në vazhdim do t’i drejtohen me një fletëthirrje zonjës Ermelinda Meksi për të mësuar më shumë të vërtetën lidhur me “zhdukjen” e automjetit tip “Land-Rover”, që është në pronësi të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas vendimit të gjykatës, gjatë hetimeve prokuroria e Tiranës duhet të përqendrohet në dy pika kryesore: zbardhja e mekanizmit të vjedhjes dhe personat përgjegjës, nëse rezulton se makina është vjedhur, si dhe të qartësojë se cilët janë personat që kanë zhveshur pronarin e ligjshëm nga posedimi i mjetit, me çfarë procedure dhe aktesh është bërë kalimi i posedimit dhe nëse nga ky posedim ka apo jo elemente të ndonjë vepre penale. Dosja në fjalë ishte pushuar nga prokuroria sapo dëshmitari Donald Bardhi kishte përmendur emrin e Ermelinda Meksit, duke shtuar se anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë është përdoruesja e mjetit me targë TR 8700 I.

E. Qyno

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›