E Diel, 1 Nëntor 2026

Prona publike, 20 milionë lekë të pambledhura nga qiradhënia

29/11/2011  Dëmi financiar për 9-mujorin

Mbi 20 milionë lekë rezultojnë të pambledhura nga qiradhënia e pronës publike detyrim ky i Ministrisë së Ekonomisë, për 9-mujorin e vitit 2011. Kështu vlerëson raporti i auditimit të brendshëm të këtij dikasteri. Edhe pse në total shifra e dëmit ekonomik është sa gjysma e dëmit të shkaktuar 9-mujorin e një viti më parë, sërish kjo fushë shënon shkeljet më të rënda. Për 9- mujorin e vitit 2011 dëmi është 36.3 milionë lekë, ndërsa një vit më parë ky dëm për 9-mujorin ishte 70.2 milionë lekë. Shkeljet janë vënë re në fushën e dhënies me qira të pasurisë shtetërore, prej 20.421 mijë lekë, ku 17.713 mijë lekë të ardhurave nga qiradhënia nuk janë derdhur nga entitetet publike në buxhetin e shtetit, ndërsa 2.708 mijë lekë është dëmi i shkaktuar nga mosrespektimi i detyrimeve kontraktuale nga qiramarrësi. Dëmi në fushën e pagave dhe shpërblimeve është 7.259,5 mijë lekë, në fushën e shpenzimeve operative 5.112,2 mijë lekë, e përbërë nga shpenzime për orët shtesë prej 65 mijë lekë, shpenzime për udhëtim e dieta prej 1.079,8 lekë, për blerje karburanti, prej 692 mijë lekë, si dhe në fushën e shitjeve me ankand prej 2.607 mijë lekë. Për këto shkelje ligjore dhe dëme financiare të gjetura janë dhënë për 9-mujorin 302 rekomandime ose 42 rekomandime më shumë se vjet. Nga këto 236 janë masa organizative, 62 janë masa zhdëmtimi dhe 4 masa disiplinore, më konkretisht 2 vërejtje me shkrim për Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, 1 “vërejtje me paralajmërim” për Degën e Shoqërive Publike Gjirokastër dhe 1 “vërejtje me paralajmërim” për Prodhim Kabllo Shkodër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›