Kryeministri: Nga 1 maji rritje e pagave dhe pensioneve
Kryeministri Berisha inauguroi dje përfundimin e punimeve në rrugën Lushnje-Fier, një investim i qeverisë italiane në shifrën e 20 milionë eurove. Autostrada është realizuar nga firma e ndërtimit “Maltauro & Delma”. Në këtë projekt, krahas autostradës me katër korsi, janë përfshirë dhe ndërtimi i lidhjeve midis rrethrrotullimit të Lushnjës dhe kilometrit zero të aksit të ri Lushnjë–Fier, ndërtimi i tre mbikalimeve për automjetet, si dhe ndërtimi i pesë mbikalimeve për këmbësorët, të cilat janë realizuar në pjesën e parë nga rrethrrotullimi i Lushnjës deri në rrethrrotullimin e Kolonjës. Kryeministri Berisha vlerësoi standardin e ndërtimit të kësaj autostrade, duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ajo në lidhjen e dy epiqendrave të Myzeqesë, Lushnjës dhe Fierit dhe në zhvillimin e tyre. “Lushnja bëhet i vetmi qytet me hyrje dhe dalje autostradë me katër korsi dhe ajo e meriton plotësisht atë. Lushnja është djepi i pluralizmit, është një nga epiqendrat kryesore të zhvillimit të vendit”, u shpreh Kryeministri. Lidhur me prioritetet e qeverisë për mandatin e dytë, Berisha tha se kjo maxhorancë nuk e kërkon votën thjesht për ato premtime që ka realizuar, por për ato çfarë do vazhdojë të bëjë më tej. “Ne kërkojmë votën për projektet e mëdha që kemi përpara, ne kërkojmë votën sepse duam të urbanizojmë tërësisht Myze-qenë, sepse duam të ofrojmë infrastrukturën më moderne, shkolla, ujësjellës, kanalizime, rrugë. Ne kërkojmë votën sepse, në mandatin e dytë ne e shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë elektrike në Ballkan dhe më gjerë”, theksoi kreu i ekzekutivit. Në të njëjtën kohë ai premtoi se nga 1 maji do të rriten rrogat dhe pensionet. “Ju garantoj se ky është vetëm hapi i parë, sepse ne do të zhdukim përfundimit diferencimin pensionit të fshatit dhe qytetit dhe do të shkojmë drejt barazimit të plotë të pensioneve. Në 3 vjet e 8 muaj ne kemi investuar 1 miliard e 600 milionë dollarë në fshatrat e Shqipërisë, në mandatin e dytë ne do të investojmë 2 herë më shumë se në mandatin e parë për fshatin shqiptar”, theksoi Berisha.