risha: Raport i veçantë me Argitën, por nuk më ndikon
Kryeministri Sali Berisha flet për herë të parë për marrëdhëniet e tij me vajzën, Argitën. Gjatë një përballjeje me gazetarët në “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan, kreu i qeverisë thekson se e bija nuk ka ndikuar në emërimet apo vendimet që ka marrë gjatë këtij mandati. Gjithashtu kreu i qeverisë foli edhe për rolin e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës në masakrën e Tivarit dhe vrasjen e 22 intelektualëve për bombën në Ambasadën Sovjetike.
Në Samitin e NATO-s u shtuan dy karrige për delegacionet e Shqipërisë dhe Kroacisë, pra nga 28 karrige që duhet të ishin u bënë 30...
Aty ishin 20 kryeministra. Aty ishin kryeministrat dhe po t’i numëroj: kryeministri i Italisë, i Hungarisë, Gjermanisë. Ka republika parlamentare dhe presidenciale ku Presidenti te këto të fundit është shef ekzekutivi. Republikat ku Presidenti drejton qeverinë janë presidenciale. Ishte presidenti çek, por nuk foli. Në republikat parlamentare shef i ekzekutivit është kryeministri dhe ka një përjashtim kur Presidenti zgjidhet nga populli.
Delegacioni shqiptar kishte ftesë nominale apo protokolli u bë këtu?
Protokollin e bën vendi. Por sa herë të dojë do vijë. Jo, nuk do të ketë ndryshim të protokollit. Në NATO ishte shumë normale që ishte Presidenti. As që mund të mendoja që Presidenti dhe Kryetarja e Parlamentit të mos vinin. Me ata dhe unë isha plotësisht dakord me atë përbërje delegacioni. Protokolli ka marrë porosi që këta do jenë.
Ka grupime të interesuara në PD për humbjen tuaj, në mënyrë që të marrin kreun e partisë?
Jam i bindur që drejtuesit e PD-së kanë përkushtimin më të madh në këtë fitore. E kam të qartë, po shkohet drejt saj. Po bëj takime intensive me qytetarët për një dialog dhe këto do jenë në gjithë vendin. Kjo është parafushatë. Fushata do fillojë kur ta përcaktojë ligji. Kjo fushatë do ketë disa risi.
Fushata për PD-në e Tiranës ka më shumë kandidatë. Keni ndonjë preferencë?
Është një garë e hapur. Statuti ka një nen që kryesia përzgjedh kandidatët. Baza do jetë ajo që do votojë dhe ka kandidatura të shkëlqyera, siç është Aldo Bumçi.
Do e pranojë kryesia kandidaturën e Mustafajf?
Ju mendoni se ai do përjashtohet nëse ka dëshirë? Absolutisht jo. Kur keni pyetur ju Mustafajn tha që është konsultuar me statutin. E ka pasur shumë të drejtë.
Shumë liderë botërorë janë ndikuar nga vajzat e tyre, si Shirak apo Jelcin. A jeni ndikuar edhe ju nga vajza Argita në emërimet që bëni dhe vendimet që merrni?
Raporti im me vajzën është një raport si prindi me fëmijën, një raport shumë i veçantë. Ka avantazhin se ka qenë fëmija i parë, ka avantazhin e një tradite familjare në të cilën përparësi kanë pasur gratë më shumë se burrat. Vajza ime është në aktivitet privat, në mënyrë absolute nuk merret me asnjë aktivitet publik. Mund ta angazhoja në aktivitet publik, do ishte normale, por përzgjedhja e saj është aktiviteti privat si studio ligjore. Në këtë aspekt ju garantoj se nuk ka asnjë ndërhyrje në asnjë emër të vetëm prej saj. Absolutisht. Shpeshherë në fushën e saj po të ishte në sektorin publik do i kërkoja mendime. Ajo merret me të drejtën tregtare, ky është profili i saj, por unë nuk mbaj këshilltarë privatë, kam këshilltarët e mi. Me këshilltarët e mi plotësoj të gjitha nevojat.
Një opinion i një familjari është gjithmonë më i besueshëm...
Problemi im është që opinioni nga kushdo mund të jepet, por po flasim për ndikim. Unë ju garantoj se nuk ka asnjë angazhim të vetëm në emërime.
Çfarë po bëni ju për dekomunistizimin e shoqërisë dhe integrimin e shtresës së të ish të përndjekurve politikë?
Kujtesa kombëtare duhet të zhvillohet. Nëse lexoni antropologë dhe psikologë të mëdhenj të kohërave ka disa përshkrime interesante për ne shqiptarët, na përshkruajnë si inteligjentë, por edhe tipa të tjerë jo shumë të favorshme. Ne s’duhet të jemi njerëz me memorie të shkurtër. Për të përndjekurit kemi vendosur një proces, i cili është në fillimet e tij. E filluam në ‘92-‘96 dhe e ndërprenë ata që erdhën në pushtet. E di ç’ka ndodhur në Shqipëri. Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia që ka firmë në ekzekutimin e 22 intelektualëve më të mirë të Shqipërisë, që gjoja kishin për bombën në ambasadën sovjetike dhe që u pushkatuan një ditë para gjyqit, të nesërmen u bë gjyqi, iu bë një proces verbal, u dëmshpërblyen nga ata që erdhën në ‘97 qindarkë më qindarkë për ditët e burgut. Aranit Çela, kryeprokurori famëkeq i diktaturës, u dëmshpërblye qindarkë më qindarkë për ditët e burgut. Ky është një proces, demokracia kështu është. Para një jave Parlamenti Evropian votoi një rezolutë për krimet ndaj komunizmit.
Para një jave Ramiz Alia iu bëri një replikë në media...
Unë nuk e lexoj. Pse nuk i bëni ju një pyetje atij për masakrën e Tivarit. Ai di çdo gjë. Nuk janë transportuar nga Kosova apo trevat shqiptare të Maqedonisë, por të gjithë janë transportuar nga Morini i Kukësit në Shkodër me autokolonë, mbi 14 mijë djem shqiptarë që s’janë as të gjallë më. Pse nuk flet për to. Pse nuk flet Nexhmije Hoxha që i dinë shumë mirë këto. Pse nuk i pyesni ju ata për ato.
BE thotë se nuk duhet të aplikoni, pse dilni kundër?
Mendimet janë jo unike. Ka vende të cilat sugjerojnë që nuk është koha, ka të tjera që thonë paraqisni kërkesën. Në tërësi kam ujdi me shumicën e atyre që kam biseduar. Për shqiptarët procesi do të jetë i pandalshëm. Kjo është në përputhje me deklaratën e samitit të Selanikut. Nuk më shkon mendja të them miratojeni para se të bëjmë zgjedhjet. Jo sepse ne jemi i vetmi vend që kemi pasur problem me zgjedhjet. Aplikojmë sepse kemi ratifikuar 27 vende MSA-në, Komisioni Evropian në raportin e fundit ka dhënë dritën jeshile për aplikim, aplikojmë sepse u jemi përgjigjur me mundësitë tona nga Çad deri në Bosnje BE-së. Nuk hyjmë në një shtëpi pa trokitur, me një ujdi me Presidencën. Data caktohet me ata dhe do të bëhet. Është fillimi i një procesi.