E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akuza, burgim i përjetshëm për Altin Arapin

10/03/2005  Prokuroria: Vrasja e Genci Sinës, kërcënim për Kryeprokurorin Sollaku

Për të dashurën Imelda Tasho kërkohen dy vjet heqje lirie

TIRANË- Vrasja e Genci Sinës më 29 shtator 2003, u krye për të kërcënuar Kreprokurorin Theodhori Sollaku. Në këtë përfundim arritën dje përfaqësuesit e akuzës, para se të kërkonin deklarimin fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Akuzat për të cilat u kërkua dënimi, janë ato të vrasjes për shkak të cilësive të veçanta, burgim i përjetshëm, vjedhje e armës së Genci Sinës, 3 vjet, armëmbajtje pa leje, 7 vjet, falsifikim dokumentesh, 2 vjet, falsifikim i letërnjoftimeve apo vizave, 2 vjet, falsifikim i akteve të gjendjes civile, 3 vjet. Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve u kërkua dënimi me burgim të përjetshëm. Për Imelda Tashon, të dashurën e Altin Arapit, u kërkua dënimi me 2 vite burg për akuzën e moskallëzimit të krimit dhe 3 muaj për akuzën e mbajtjes së armëve të ftohta. Përfundimisht, akuza kërkoi dënimin me 2 vite burg. Prokurorët pushuan akuzën e përkrahjes së autorit të krimit, duke qenë se mungonte shkaku. Sipas akuzës, e pandehura ka komunikuar me Altin Arapin në largësi, duke e vënë në dijeni për të gjitha lajmet që botoheshin pas vrasjes së Genci Sinës, madje, e ka njoftuar edhe për deklaratën që ka bërë ambasadori Xhejms Xhefri për kriminalitetin në vend. Këto njoftime bëheshin me internet nëpërmjet adresave private. Prokuroria ka zbuluar edhe një foto të Tashos që i dërgonte Arapit në Belgjikë dhe figuronte me flokë deri te supet me onde.

Motivi

Genci Sina ishte shoqërues i Theodhori Sollakut. Vrasja u krye për t'i dërguar Kryeprokurorit një kërcënim, me qëllim ndërprerjen e hetimeve për grupin "Hakmarrja për Drejtësi". Prokuroria arriti në konkluzionin se, i pandehuri i njihte shumë mirë cilësitë e viktimës Genci Sina, e dinte që ai ishte shofer i Kryeprokurorit dhe e shoqëronte atë ngado, gjithashtu e dinte se makina me të cilën ai po lëvizte natën e ngjarjes ishte shtetërore dhe me perde që dukeshin qartë. Altin Arapi e njihte Genci Sinën, ndërsa ky i fundit nuk e kishte parë ndonjëherë fytyrën e të pandehurit. Në këto kushte, Arapi ka vepruar me dashje, kur i mori jetën Sinës. Për të arritur në këtë përfundim, prokurorët e Krimeve të Rënda kanë analizuar momentet para se Altin Arapi të qëllonte mbi Genci Sinën. "Ai është irrituar pa patur asnjë shkak të dhënë nga viktima. Ka qëlluar me nervozizëm xhamin e taksisë me të cilën po qarkullonte, ka fyer rëndë Genci Sinën. Ndërsa viktima ka qenë i qetë, dhe kur është fyer i ka thënë se nuk po shihte atë dhe se ishte i shoqëruar. I pandehuri, me dashje ka dalë nga makina, nuk e ka lënë Sinën të zbriste, duke shtyrë derën dhe ka shfrytëzuar hapësirën e xhamit të derës për ta qëlluar një herë të vetme dhe për t'i marrë jetën. Nga makina ka dalë Altin Arapi e jo Genci Sina. Armën për të qëlluar e ka nxjerrë Arapi e jo Sina, i cili e kishte të futur në kllëf dhe të fshehur nën jelek. Autori, pas vrasjes, i ka marrë pistoletën viktimës. I pandehuri nuk ia pa armën viktimës para se ta qëllonte. Kështu ai e dinte shumë mirë kush ishte Genci Sina dhe çfarë cilësish kishte kur e vrau, e më pas i mori armën për të mos ia kthyer më".

Frika

Imelda Tasho e dinte se një ditë do të përballej me drejtësinë. Prokurorët thanë dje se gjatë kontrollit në zyrën e Tashos kanë gjetur në tavolinën e punës, një Kod të Procedurës Penale dhe një Kod Penal. Tashos, tha akuza, nuk i duheshin këto kode për punën që kryente në Ministrinë e Jashtme. Për akuzën, një pjesë e provave të mbledhura për Arapin shërbyen edhe për Imelda Tashon. Prokuroria e ka quajtur të ligjshëm kontrollin që ka bërë në zyrën e punës së Imelda Tashos, duke u shprehur se ajo ishte pronë e shtetit dhe organi i Prokurorisë e ka këtë të drejtë.

Arapi 29 telefonata pas vrasjes

Një nga pistat që ka hetuar organi i Prokurorisë dhe ka shërbyer për të nxjerrë një përfundim të saktë, sipas tyre, janë edhe numrat e telefonit të përdorura nga Arapi e Tasho si dhe telefonatat që janë bërë para vrasjes, natën e vrasjes dhe pas saj. Nga verifikimet ka dalë e vërtetuar se, natën e vrasjes nga ora 10.00 deri në orën 12.00 të 29 shtatorit, Altin Arapi u ka bërë 29 telefonata shokëve të tij me numrin 0692097747, që e kishte në përdorim. Kjo gjë është klasifikuar si e pazakontë për akuzën. Atë natë, tha prokurori Etjen Kapo, duhej të kishte ndodhur diçka, prandaj edhe Arapi kishte telefonuar gjatë. Nga telefonatat, 22 ishin thirrëse dhe 7 pritëse. Në 30 shtator numri i mësipërm doli nga qarkullimi, pra u mbyll. Njëkohësisht me Arapin, numrin e ka mbyllur edhe Imelda Tasho. Ndërsa në datën 2 tetor 2003, Tasho merr një numër të ri telefoni. Me numrin e ri ajo ka telefonuar Altin Arapin në Belgjikë, në numrin 0032476544521. Fillimisht u mendua se numri që fliste Imelda me Belgjikën i përkiste Orik Shytit. Akuza tha se, Interpoli i Belgjikës ishte vënë në ndjekje të numrit të telefonit dhe vetëm kur u ndalua u saktësua se ishte Altin Arapi. Grupi "Hakmarrja për Drejtësi" kishte arritur të siguronte tetë numra telefoni me kontratë, që fillonin nga 740-747, në emër të kushërirës së Kreshnik Spahiut, Enkelejda Batku. Po kështu, Tasho është lidhur me të dashurin e saj edhe me internet.

Provat e marra në vendin e ngjarjes

Provat e marra në vendin e ngjarjes dhe sjellë nga Prokuroria para Gjykatës, janë konsideruar të pakundërshtueshme. Një nga provat më bindëse janë gjurmët papilare të Altin Arapit, të gjetura në derën e makinës "Land Rover", të drejtuar nga Genci Sina. Janë marrë fillimisht 7 gjurmë. Nga këto vetëm tre ishin në gjendje për krahasim. U bënë krahasimet me gjurmët e dëshmitarëve që lëvizën trupin e Genci Sinës. Më pas ishte Interpol Tirana që nisi në Prokurorinë e Përgjithshme gjurmët e gishtave të Altin Arapit, marrë në datën 5 nëntor 2003, pas arrestimit në Belgjikë. Nga krahasimi i bërë në datën 6 nëntor 2003, rezultoi se gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes përputheshin me ato të Altin Arapit. Në derën e makinës së drejtuar nga Genci Sina, Arapi kishte lënë gjurmën e pëllëmbës së djathtë dhe gjurmën e gishtit të vogël të dorës së djathtë. Ndërsa, Imelda Tasho ka lënë gjurmën e gishtit në momentin kur ka hapur derën e taksisë dhe është nisur pas të dashurit, të cilin e pa të kryente një krim. Edhe dëshmitë e dhëna në sallën e gjyqit, akuza i konsideroi në favor të saj. Një provë tjetër ishte edhe marrja e taksive nga i njëjti çift.

Dyshimi për letrën e dorëzuar në prokurori

Në datën 7 tetor 2003, nëna e Altin Arapit, Bukurie Arapi, ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme një letër me shkrim dore të firmosur nga i pandehuri. Në letër, Arapi pranonte se numri i telefonit 747 ishte përdorur prej tij për të thirrur taksitë, ndërsa taksitë nuk ishin përdorur për vrasje, pasi ai i kishte pritur disa minuta. Dokumenti ishte shkruar në datën 2 tetor nga Altin Arapi, para se të kalonte pikën kufitare të Tushemishtit për në Maqedoni, me emrin e Petrit Berzades. Ky dokument është marrë me rezervë nga akuza, pasi natën e ngjarjes, dëshmitarja Batku, kishte shënuar me dorën e saj përbri numrit 747, emrin e Orik Shytit. Prokuroria, fillimisht ka dashur të besojë Batkun me dëshminë e saj spontane dhe letrën e ka marrë si një devijim të hetimit. Akuza nuk ka disponuar shkrimin e Altin Arapit për të bërë krahasimin me letrën. Kështu dorëzimi i këtij dokumenti u mor si taktikë e mbrojtjes për të devijuar hetimet.

Rrethanat rënduese për Arapin

Altin Arapi është subjekt veçanërisht i rrezikshëm

Është person që dyshohet për kryerjen e disa veprave të rënda penale

Ka kryer vrasjen e Genci Sinës, në një kohë që ishte person i kërkuar nga drejtësia

Vrasjen e ka kryer me gjakftohtësi

Nuk është penduar për krimin

Viktima gëzon cilësi të veçanta

Akuza

Janë gjithsej 24 vepra penale në dosje, që, sipas Prokurorisë i ka konsumuar për katër vjet radhazi organizata “Hakmarrja për Drejtësi”

Seancat

Që nga viti ‘98-të, kur ka filluar procesi, në gjykatë janë zhvilluar afro 80 seanca pa praninë e të pandehurve dhe me prokurorë të ndryshëm

Të pandehur

Kanë qenë 11 të pandehur të arrestuar në ‘98-ën, të cilët kanë ikur nga qelitë në pranverën e ‘97-ës dhe nuk kanë marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore

I vdekur

Vetëm njëri nga të pandehurit ka vdekur dhe për të është pushuar çështja. Enkelejd Ago është gjendur i djegur në makinë në malin e Dajtit në ‘99-ën

Të arrestuar

Dy ditë më parë është arrestuar në Kodër-Kamëz i shndërruar në tregtar Gëzim Gjoni, një nga anëtarët e “Hakmarrjes për Drejtësi”. Sot gjykata vendos për të masën e sigurisë

Kohëzgjatja

Procesi i nisur në ‘98-ën ende nuk ka përfunduar. Mund të jetë çështja që ka zgjatur më shumë në hetim dhe gjykim, pasi ka dhe shumë seanca që ajo të marrë fund

Të pandehurit

Orik Shyti

Leart Shyti

Altin Arapi

Nikolin Novruzaj

Pasho Novruzaj

Gentian Caka

Kreshnik Spahiu

Roland Shyti

Dritan Hate

Gëzim Gjoni

Enkelejd Ago (i vrarë)

29 shtator 2003

Vritet pranë "Piramidës" gardisti Genci Sina, shofer i familjes së Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku

30 tetor 2003

Arrestohet në Belgjikë, Altin Arapi. Akuzohet si vrasës i gardistit Genci Sina, shoferit të familjes së Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Bashkë me të arrestohen të njohurit e tij, Artan dhe Gazmend Sadiku

30 tetor 2003

Arrestohet në Tiranë punonjësja e Ministrisë së Jashtme, Imelda Tasho, e dashura e Altin Arapit. Akuzohet si bashkëpunëtore e Arapit në vrasjen e Genci Sinës, më 29 shtator 2003

Dhjetor 2003

Sipas avokatëve mbrojtës, Altin Arapi ka paraqitur një kërkesë pranë gjykatës belge, ku pretendon të marrë strehim politik dhe refuzon ekstradimin në Shqipëri

Shkurt 2004

Gjykata e Shkallës së Dytë të gjyqësorit pritet të marrë vendimin e formës së prerë së shpejti për ekstradimin e Altin Arapit nga Belgjika në Shqipëri

7 janar 2005

Gjykata e Krimeve të Rënda liron Imelda Tashon, pasi kanë ndryshuar rrethanat e hetimit. Për të vendoset masa e sigurisë arrest shtëpie

9 mars 2005

Prokuroria kërkon dënimin me burgim të përjetshëm të Altin Arapit dhe dy vjet burg për Imelda Tashon

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›