E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lesi: Amendamentet për Konfliktin e Interesave do t'i kaloj i vetëm

10/03/2005  Kryetari i PDK-së, Nikollë Lesi, ka kërkuar dje nga dy forcat më të mëdha politike, PS dhe PD, të miratojnë amendamentet e paraqitura nga ai për konfliktin e interesave. Sipas Lesit, amendamentet e tij do të bënin të mundur kontrollin e pasurive të paligjshme të zyrtarëve të lartë, që i kanë transferuar ato jashtë vendit. "Me këtë amendament jepet mundësia ligjore për t'i konfiskuar llogaritë bankare dhe pasuritë e tyre të paligjshme jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, në këtë amendament që nga viti 1991 e deri në miratimin e këtij projektligji, të gjitha dhuratat, që kalojnë shumën e 5000 USD, duhet të deklarohen dhe të paguhet 80 për qind e vlerës së tyre në Buxhetin e Shtetit. Shumë zyrtarë të lartë dhe politikanë në funksione publike, si në PD ashtu edhe në PS, kanë transferuar në formë "dhuratash" llogari dhe pasuri të paluajtshme", tha Lesi. Sipas tij, për këto amendamente është kërkuar firma e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, por asnjëri prej tyre nuk ka preferuar ta firmosë për ta kaluar më pas në komisione. "Unë kam vendosur që ta kaloj dhe si deputet i vetëm, pasi në zbatim të nenit 71 të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, më jepet mundësia ta paraqes për shqyrtim, diskutim dhe votim këtë projektligj", tha Lesi. Në amendamentet e propozuara nga Lesi parashikohet dhe konfiskimi në llogari të shtetit të të gjitha pasurive të zyrtarëve të lartë të padeklaruara në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›