E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mirupafshim qytetarë të Kosovës!”

10/03/2005  Udhëtimi për në Hagë, në Kosovë lë bosh një vend të një lideri

Rreth orës 11 të ditës së mërkurë, një aeroplan special i UNMIK-ut ka larguar fizikisht Ramush Haradinajn nga Kosova. Në aeroportin e Prishtinës, ish-komandanti i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit dhe ish-kryeministri i Kosovës, është përshëndetur nga qindra qytetarë, kryesisht të rrethit të Dukagjinit. Ai nuk ka bërë asnjë deklaratë për gazetarët. Haradinaj ka thënë vetëm një fjalë: "Mirupafshim qytetarë të Kosovës!”

Derisa aeroplani special i UNMIK-ut ngrihej nga pista e aeroportit, qindra qytetarë të Kosovës, që ishin të pranishëm në ato momente, ndjenin se po u shkëputej një pjesë nga trupi i tyre. Familjarëve po u largohej më i dashuri i tyre, bashkëluftëtarëve po u largohej komandanti i tyre, ithtarëve të AAK-së lideri i tyre, ndërkaq anëtarët e Qeverisë dhe populli i Kosovës po mbetej pa kryeministrin e tyre.

Kosova asnjëherë nuk ka qenë më e heshtur, më e qetë dhe më shpërthyese. Në rrugët e Kosovës ka fare pak njerëz, fare pak lëvizje, por në zemrat e tyre vlon një temperaturë e lart. “Pse e lanë me u bo kryeministër? Pse nuk i treguan djalit me kohë? Kjo është tradhti e këtyre të huajve ndaj Ramushit!", shprehej një burrë gjashtëdhjetë e ca vjeçar para kamerave të një stacioni televiziv të Kosovës. Kështu, përafërsisht mendojnë edhe pjesa dërmuese e popullit të Kosovës. Ramush Haradinaj ka qenë një komandant i lavdishëm i UÇK-së, një lider sfidues i një partie politike të pasluftës në Kosovë. Por, ai ka shkëlqyer në postin e Kryeministrit të Kosovës. Ai vetëm për 100 ditë pune arriti të përvetësojë edhe mendjet dhe bindjet e atyre ithtarëve të LDK-së, të cilët më parë kishin rezerva ndaj Haradinajt. Haradinaj me punën dhe sjelljet e tij arriti të familjarizojë jo vetëm spektrin politik, por edhe institucional të Kosovës. Në aktakuzë janë edhe dy emra të tjerë të të akuzuarve. Ata janë Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›