E Diel, 1 Nëntor 2026

Kulla raport para deputetëve për "Dëshmitarët e Jehovait"

10/03/2005  Kryetari i Komisionit të Kulteve në parlament për veprimtarinë e organizatave fetare

Kryetari i Komitetit të Kulteve është thirrur dje në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare për të raportuar rreth veprimtarisë të organizatave fetare në Shqipëri. Burime brenda Komisionit bëjnë të ditur se Kulla është pyetur nga deputetët në këtë komision dhe rreth veprimtarisë së organizatës fetare "Dëshmitarët e Jehovait". Organizata në fjalë, kohët e fundit është vënë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, pas disa raste vetëvrasjesh, ku viktimave iu gjet literaturë e shpërndarë nga organizata në fjalë. Nga ana e tij, drejtori i Komitetit Shtetëror për Kultet mohon të jetë diskutuar në komision një gjë e tillë, pasi, sipas tij, institucioni që ai drejton nuk merret me hetimin e organizatave fetare. "Unë mund t'ju them që nuk u fol në komision për këtë çështje. Komiteti i Kulteve nuk është as polici, as prokurori. Nuk u fol në lidhje me emrin e një organizate, është folur në lidhje me rregullat e lojës të organizatave në Shqipëri", tha Kulla. Sipas kryetarit të Komitetit, në Komisionin e Sigurisë Kombëtarë është raportur lidhur me numrin e vendndodhjes dhe ligjshmërisë së vendosjes së këtyre organizatave në Shqipëri. "Dhashë të gjitha të dhënat për veprimtarinë e organizatave dhe komuniteteve fetare në Shqipëri. Ka rreth 150 organizata në të gjithë Shqipërinë. Pjesa më e madhe e tyre është grumbulluar në dy grupime ungjillore të pjesës protestante në Shqipëri. Unë arrita të informoj të gjithë deputetët në lidhje me veprimtarinë dhe vendndodhjen e tyre, si dhe dhashë detaje të hollësishme mbi atë që ata bëjnë. Unë mund t'ju them që të gjitha këto organizata veprojnë në bazë të ligjit për OJF-të", tha Kulla. Sipas tij, nga ana e deputetëve të Komisionit është sygjeruar që në ligjin aktual për OJF-të të shtohen dhe dy pika, që kanë të bëjnë me aktivitetin e OJF-ve me karakter fetar në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›