Bano dhe Fino përplasen për tenderat e MRRTT-së
10/03/2005 Kryetari i Komisionit Hetimor parlamentar për hetimin e tenderave qeveritare, Ilir Bano, ka akuzuar dje Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, se ka abuzuar me fondet publike në dy prokurime rrugësh, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm prej 45 milionë lekësh. Bëhet fjalë për rrugën "Degëzimi i Pojanit", si dhe rikonstruksionin e aksit rrugor Kolonjë-Manastiri i Ardenicës. Në rastin e parë, sipas kreut të komisionit, si pasojë e praktikave abuzuese në prokurimet e tenderit për rrugën Degëzimi i Pojanit, vlera e rikonstruksionit është rritur me 17 milionë lekë më shumë. Ndërsa në prokurimin e dytë të tenderit të MRRTT-së, në aksin rrugor Kolonjë–Manastiri i Ardenicës, Bano tha se, si pasojë e abuzimeve në procedurat e prokurimit, vlera e rikonstruksionit është rritur artificialisht me 30% më shumë se vlera reale, ose me rreth 27.9 milionë lekë. Sipas Ilir Banos, kompania fituese e tenderit, jo vetëm që ka paraqitur mangësi në dokumentacion, por për rikonstruksionin e rrugës është përdorur i gjithë fondi limit prej rreth 95 milionë lekësh. Sipas kreut të komisionit, në rast se do ishin respektuar rregullat e prokurimeve në këto dy objekte, shtetit do t'i kurseheshin rreth 45 milionë lekë të reja. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Hetimor parlamentar ishte thirrur dhe ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Bashkim Fino, i cili hodhi poshtë akuzat e bëra nga kryetari i komisionit për abuzime në adresë të institucionit, që ai drejton. Fino tha se nuk është ministria, ajo që zhvillon tenderat, pasi në fondet që jepen ky institucion zotëron vetëm 2 për qind të shumës, ndërsa pjesa tjetër administrohet nga bashkitë përkatëse.