E Hënë, 2 Nëntor 2026

Italiani i penduar: Isha korrier i droges

10/03/2005  Sales paguan dy vëllezërit Leka për të transportuar mallin

Olsi Leka dhe vëllai i tij me rezidencë në Itali, janë identifikuar si pjesëtarë të një trafiku ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe janë arrestuar, falë dëshmisë së dhënë nga bashkëpunëtori i tyre italian, që u kap rreth dy muaj më parë në Durrës me 3.2 kilogramë heroinë në makinë. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat thanë se prej disa kohësh kishin marrë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhër-arrestin për 24-vjeçarin Olsi Leka, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Dëshmia

Sipas burimeve ka qenë italiani Ludoviko Sales, 28 vjeç, i kapur në Durrës, ai që ka nxjerrë emrat e dy vëllezërve shqiptarë Leka, me banim në kryeqytet. Nga burimet mësohet se pas arrestimit, 28-vjeçari italian ka pohuar se ishte thjesht një korrier droge dhe këtë gjë e kryente për herë të parë. Gjithashtu, mësohet që ai të ketë pohuar para hetuesve se këtë punë të paligjshme e kryente për shkak të ekonomisë së tij të dobët, pasi nuk kishte me se të ushqehej. Por Sales, duket se ka treguar edhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë. Nga burimet policore mësohet se, Sales ka pohuar se drogën ia kishte dhënë Olsi Leka nga Tirana dhe se do t’ia çonte vëllait të tij që banonte në Itali. Ai kishte thënë se ishte joshur nga sasia e parave që i kishin ofruar dy vëllezërit Leka dhe kishte pranuar që të bëhej korrier i drogës së tyre.

Përgjimet

Ndërkaq mësohet se, Prokuroria e Krimeve të Rënda dëshminë e Salesit e ka konfirmuar edhe nga përgjimet e bisedave telefonike të kryera mes vëllezërve pas arrestimit të italianit. Burimet shprehen se, menjëherë pas arrestimit të Salesit, dy vëllezërit i ka kapur paniku, gjë të cilën e shprehnin edhe në bisedat e tyre. Ludoviko Sales u arrestua rreth dy muaj më parë në Portin e Durrësit, teksa po tentonte të trafikonte drejt Italisë 3.2 kilogramë heroinë. Droga iu gjet e fshehur në serbatorin e autoveturës, të cilën ai drejtonte. Sipas policisë, ka qenë një kontroll rutinë, por Salesi ka ngjallur dyshime pas tradhtimit që i ka bërë fytyra, ku shprehte një lloj frike. Kaq ka mjaftuar që makina e tij të kontrollohet imtësisht dhe me anë të një shufre hekuri, agjentët e policisë kanë kuptuar se diçka kishte në serbator, pasi shufra ngecte diku. Pasi kanë hapur serbatorin e autoveturës, policia gjeti aty të paketuar rreth 3.2 kilogramë lëndë narkotike, që rezultoi të ishte heroinë. Ndërkaq, Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm të këtij rrjeti, përfundojnë burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›