E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza e re për Delijorgjin, Gjykata e Lartë shpall moskompetencën

Gjykata e Lartë ka shpallur gjatë ditës së djeshme moskompetencë për akuzën e re të ngritur ndaj Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Dritan Minxhollit, atë të “Vrasjes masive”, duke vendosur që caktimin e masës së sigurimit ndaj tyre duhet të kryejë gjykata e kryeqytetit. Kështu, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar gjatë ditës së djeshme në Gjykatën e Lartë caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, këtë radhë për akuzën më të fundit të ngritur ndaj Delijorgjit, Pinarit dhe Minxhollit. Por, kjo gjykatë çmoi se nuk ishte kompetencë e saj shqyrtimi i kësaj kërkese, duke e referuar kështu çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Tashmë, kësaj të fundit do t’i duhet të caktojë sërish masën e sigurisë ndaj të akuzuarve për ngjarjen e 15 marsit, teksa pak muaj më parë kjo gjykatë caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për ta nën akuzën e “Shkeljes së rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive. Por, këtë radhë gjykata e kryeqytetit do të caktojë masën e sigurisë ndaj Delijorgjit, Pinarit dhe Minxhollit për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese të disa personave”, si dhe atë të “Armëmbajtjes pa leje”. Dy drejtuesit e firmës “AlbaDemil”, që administronin fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në Gërdec, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli, së bashku me Ylli Pinarin, ish-drejtorin e kompanisë shtetërore “MEICO”, u arrestuan pak ditë pas shpërthimit të fuqishëm më 15 mars në këtë fabrikë, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë. I akuzuar për këtë ngjarje është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili megjithatë nuk është marrë nën cilësinë e të pandehurit. Sipas hetimeve të deritanishme të prokurorisë, ky i fundit ka iniciuar një projekt-vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt-urdhra, të cilët kanë orientuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit, në përmbushje të ofertës të shoqërisë amerikane SAC, prapa së cilës ishte shoqëria “AlbaDemil sh.p.k.” e Mihal Delijorgjit, duke angazhuar për hartimin e tyre një pjesë të stafit të ngushtë të tij. Në këtë proces administrativ, Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekt-urdhra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre. Ndërkohë, mbështetur në aktet dhe dokumentet e administruara nga hetimet e deritanishme, evidentohen mjaft të dhëna që përbëjnë dyshime të forta se Fatmir Mediu ka kryer veprime me dashje në kundërshtim të hapur me ligjin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›