E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitizimi i dosjeve dhe minimizimi i krimeve

Debati i gjatë për dosjet mund të rezultojë i dëmshëm. Duke folur shumë për to po i mitizojmë dhe, kur t’i hapim, realiteti i asaj që do të shohim, do të jetë zhgënjyes për imagjinatën. Ato do kenë ç’të na ofrojnë, por jo aq sa imagjinojmë. Krimet më të mëdha të komunizmit kanë qenë dhe janë të ditura e shoqëria jonë deri tani i ka trajtuar me indiferencë.

Ne s’kemi mbajtur ende qëndrim ndaj krimeve të njohura, për të cilat s’kanë nevojë të rrëmojmë skutat e nënvetëdijes institucionale. Ne s’kemi dënuar krerët e regjimit, bashkëpunimi i të cilëve nuk ka nevojë të vërtetohet me materialet e dosjeve sekrete. Veprimtaria komuniste e ish-Sekretarit të Parë të Partisë së Punës, ish-anëtarëve të Byrosë Politike, ish-kryetarit të qeverisë etj., nuk ka nevojë për dosje, sepse pozicionet e tyre ishin publike dhe të vërtetueshme fare lehtë.

Hapja e dosjeve dhe arkivave të ndryshme mund të shërbente për të vërtetuar krimet e tyre të dënueshme nga gjykatat, por moralisht dhe politikisht ata duhet të ishin dënuar me kohë. Dënimi moral duhet të ishte: largimi nga jeta publike.

Nëse ata do të kishin diçka për ta dëshmuar, t’u kërkohej në zyrat e prokurorisë dhe jo në redaksitë e televizioneve, radiove dhe gazetave, ku më tepër iu bëhet publicitet se sa iu kërkohet informacion për veprimtarinë e tyre në shërbim të regjimit komunist. Këtë komunikim, që nesër do të jetë arkiv për studiuesit, ata e përdorin për të pastruar figurën e tyre. Kjo është faza e dytë e falsifikimit të historisë.

Nëse shoqëria shqiptare, kryesisht ajo pjesë që ka patur deri tani fuqi opinionbërëse, ligjhartuese dhe ekzekutive, do të kishte reaguar, nëse do ta kishte dënuar të paktën moralisht regjimin komunist, ish-ministrat e diktaturës dhe ish-funksionarë të tjerë të lartë të saj nuk do të ishin ende aktorë me rëndësi vendimmarrëse në jetën publike, të paguar me taksat e ish-viktimave të tyre. Dënimi thjesht ka ndërruar formë: nga ekzekutim, burgosje apo internim, qytetarët paguajnë taksa.

Dihet, komunizmi i bëri krimet për të marrë e ruajtur pushtetin dhe nëpërmjet tij të përfitonte materialisht. Pas rënies së regjimit komunist ata po bëjnë të njëjtën gjë: vazhdojnë përfitimet materiale me forma të reja. Vetëm sistemi politik ka ndryshuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›