E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza edhe 3 muaj kohë për “Gërdecin”

Kryeprokurorja Ina Rama firmos zgjatjen e afateve hetimore të dosjes “Gërdeci”, edhe me tre muaj të tjerë. 

Trazhgim Sokolaj

Verifikimet e Prokurorisë së Përgjithshme për pozicionin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, do të vazhdojnë në këtë mënyrë deri në muajin tetor 2008, kur organi i akuzës pritet të arrijë në përfundimin, nëse ai ka kryer apo jo vepër penale. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, në përfundim të afateve të para hetimore, kryeprokurorja ka shtyrë edhe me tre muaj të tjerë kohën, gjatë të cilës prokurorët mund të bëjnë verifikime për rolin që ka pasur ish-ministri i Mbrojtjes Mediu në tragjedinë e ndodhur në Gërdec më 15 mars 2008. Shtyrja e afatit të hetimeve edhe me tre muaj të tjerë, mësohet se është argumentuar në aspektin procedural, me nevojën e kryerjes së verifikime komplekse. Të gjithë urdhrat dhe shkresat, që kanë dalë nga zyra e ministrit të Mbrojtjes apo qoftë edhe komunikimet e tij verbale me vartësit në dikaster, apo në Shtabin e Përgjithshëm, po verifikohen dhe po dokumentohen nga Prokuroria. Kjo e fundit është duke zhvilluar ballafaqimin e të gjitha këtyre fakteve me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, si dhe me vendimet e Këshillit të Ministrave, për të parë nëse ndonjë prej tyre është atakuar nga veprimtaria e ish-kreut të dikasterit të mbrojtjes. Pavarësisht shtyrjes së hetimit me një afat edhe për tre muaj të tjerë, burimet e Prokurorisë thanë se marrja e dëshmisë së ish-ministrit dhe thirrja e tij në Prokurori, nuk parashikohet të jetë e afërt. Organi i akuzës tha se, është duke grumbulluar prova dhe informacione për të mësuar në mënyrë të pavarur pozicionin, që ka pasur ish-ministri i Mbrojtjes. Më pas burimet thanë se do të thërrasin Mediun dhe do të kërkojnë sqarime prej tij për mënyrën si ka vepruar.
Hetimi ndaj Mediut
Burimet nga organi i akuzës konfirmuan dje se, deri më tani kanë mbledhur një sërë faktesh për ish-ministrin e Mbrojtjes, të cilat po verifikohen me imtësi dhe po analizohen nga grupi i hetimit. Veç verifikimit të shkresave që kanë dalë apo kanë hyrë në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes lidhur me Gërdecin, prokurorët po verifikojnë edhe urdhrat verbalë të pa pasqyruar në dokumente, që Mediu mund të ketë dhënë për aspekte të ndryshme të veprimtarisë së çmontimit të predhave dhe municioneve të armatimit të lehtë në Gërdec. Prokuroria gjithashtu, ka verifikuar edhe pasurinë e ish-ministrit ndërsa ka bërë hetime edhe në drejtim të kontakteve që ai ka pasur me personat që vepronin në Gërdec, kryesisht komunikimi shkresor zyrtar me drejtorin e ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari dhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Një tjetër shkak për shtyrjen e afatit të hetimeve të dosjes “Gërdeci”, ka qenë ekzekutimi i letërporosive të dërguara nga Prokuroria shqiptare në adresë të Prokurorisë amerikane. Lëterporositë janë një procedurë që zgjasin me muaj, ndërsa Prokuroria shqiptare tha se, nuk mund të arrijë në përfundime lidhur me dosjen “Gërdeci”, pa u njohur me dëshminë që ka dhënë për hetuesit amerikanë Efraim Diveroli, blerësi amerikan i fishekëve, që shiteshin nga ndërmarrja MEICO e Ylli Pinarit. Prokuroria shqiptare ka kërkuar nga pala amerikane procesverbalet e dëshmisë së Diverlit, së bashku me informacione rreth pronarit të kompanisë Southern Amunition Company, Patrick Henry, i cili ishte subjekti që kishte nënshkruar kontratë me ndërmarrjen MEICO dhe blinte municionet që dërgoheshin për çmontim në Gërdec. Prokuroria e Përgjithshme parashikon të marrë në pyetje gjeneralët e ushtrisë që nga zyrtarët e lartë të Shtabit të Përgjithshëm, deri tek drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, për të mësuar prej tyre qëndrimin që ka mbajtur ish-kreu i dikasterit Fatmir Mediu dhe nëse ai ka pasur dijeni për volumin e lartë të municioneve, që çoheshin mbi normën në Gërdec, si dhe për kushtet jashtë sigurisë teknike në të cilat kryhej çmontimi i predhave aty.

Prokuroria: Tragjedia nga shkelja e rregullave
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë tashmë nuk ka dyshim se, tragjedia e Gërdecit ndodhi për shkak të çmontimit të predhave jashtë kushteve të sigurisë teknike dhe protokolleve ushtarake. Sipas hetimeve të organit të akuzës, depozitat e barutit janë mbajtur në sasi të mëdha fare pranë vendit ku çmontoheshin predhat, çka përbënte rrezik eventual për origjinë zjarri në çdo moment. Në fabrikën e çmontimit të predhave në Gërdec, kanë munguar pajisjet e çmontimit, që shmangnin rrezikun si dhe mjetet e shuarjes së zjarrit, si depozitat e ujit apo shërbimet zjarrfikëse. Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se një saldatriçe, që ka shkaktuar shkëndija është futur brenda fabrikës në shkelje të rregullave të sigurisë. Prokuroria thekson se, në procesin e çmontimit janë punësuar mbi 20 adoleshentë dhe të mitur, të cilët nuk ishin instruktuar të zbatonin rregullat e sigurisë për municionet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›