E Shtunë, 31 Tetor 2026

I burgosuri vret gruan e më pas veten

Minir Muço duket se e kishte ndarë mendjen të vetëflijohej. 

Nga të dërguarit tanë në Peqin

I ka mjaftuar kablloja e ventilatorit për të realizuar planin e tij. Pasi ka mbytur bashkëshorten duke ia shtrënguar telin rreth qafës, e ka copëtuar kordonin dhe pasi ka zhveshur përcjellësit elektrikë i ka kontaktuar me të dyja duart duke i dhënë fund jetës. Në një letër goxha të gjatë, katër faqe fletoreje Muça i dënuar me 22 vjet burg për sulm ndaj policisë në vitin 2002, ka shpjeguar të gjitha arsyet që e shtynë drejt aktit të fundit ndaj vetvetes. Burime zyrtare nga burgu, të cilët u referohen vëllezërve të të dënuarit Muça dhe bashkëvuajtësve të tyre pohojnë se në telefonatat që 33-vjeçari kishte me bashkëshorten muajin e fundit, i lutej vazhdimisht që ajo të rikthehej tek ai. Të paktën ta takonte një herë të vetme, për hir të fëmijëve, pas një viti ndarje midis tyre. Bashkë me dy vëllezërit e tij më të vegjël me të cilët ndante të njëjtën qeli në sigurinë e lartë të burgut të Peqinit, kishte fiksuar mëngjesin e djeshëm për t’u takuar me të atin, nusen dhe dy vajzat e mitura. Ata e kishin nisur udhëtimin që nga mesnata nga fshati i tyre Trebinjë i Pogradecit, ndërsa në orën 08:30 të mëngjesit të ngarkuar me çanta me ushqime dhe tesha, si dhe fëmijët e përgjumur kanë kaluar portën e hekurt të burgut. Kryerja e procedurave rutinë të kontrollit u ka kushtuar 30 minuta, kohë pas së cilës nusja 27- vjeçare Thellëza Muço, dy vajzat e saj dhe vjehrri Ferik Muço janë gjendur përballë tre vëllezërve të burgosur Minir, Bardhyl dhe Blerim Muço, këta dy të dënuar me nga 15 vjet burg secili për të njëjtën vepër. Takimi i planifikuar nga drejtoria e burgut ka nisur në orën 09:00 të mëngjesit dhe sipas rregullores, kanë qëndruar të shtatë deri në orën 11:00. Në këtë kohë dy vëllezërit më të vegjël Bardhyl dhe Blerim kanë marrë në dorë ushqimet dhe veshjet që u kanë sjellë nga familja dhe i janë drejtuar qelisë së tyre në godinën “B” të burgut të sigurisë së lartë, ndërsa vëllai i madh ka vazhduar takimin special me bashkëshorten. Rreth një orë e gjysmë më vonë gardiani i regjimit të brendshëm në sektorin e takimeve me familjarët ka vënë re se çifti Minir dhe Thellëza Muço ndodheshin duke kryer marrëdhënie seksuale. Rreth 30 minuta më vonë ai ka vënë re që ata ndodheshin në dush, ndërsa ka vazhduar shërbimin. Në orën 15:30 polici ka trokitur në derë duke lajmëruar bashkëshortët se orari i takimeve po mbaronte dhe se brenda pak minutash duhet të dilnin. Duke menduar se po e tepronin me takimin në orën 15:55, vetëm pesë minuta para mbylljes së orarit zyrtar të punës gardiani ka hapur derën e qelisë së takimeve speciale, pasi nuk ka marrë përgjigje nga brenda. Aty është përballur me dy trupat e shtrirë përtokë të 33-vjeçarit Minir Muço dhe bashkëshortes së tij Thëllëza, 27-vjeçare. I shokuar dhe për të mos prishur skenën e ngjarjes polici ka lajmëruar eprorët, ndërsa kanë mbërritur me të shpejtë aty funksionarët e burgut që kanë lajmëruar policinë dhe prokurorinë. Në të njëjtin moment janë lajmëruar dy vëllezërit e tij të burgosur dhe atë që po priste jashtë. Ata janë njohur edhe me tekstin e letrës, në bazë të së cilës kanë nxjerrë si pistë të krimit probleme të shëndetit mendor të të dënuarit. Paraprakisht prokuroria ka dalë me versionin se vdekja e 27-vjeçares ka ardhur si pasojë e mbytjes nga bashkëshorti, i cili më pas ka vrarë veten. Ekspertët mjeko-ligjorë që këqyrën kufomat dhe vendin e krimit rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme përcaktuan se vdekja e të burgosurit Muça dhe gruas së tij, mund të kishte ndodhur rreth orës 14:00–14:30. Po kështu burime nga burgu pohojnë se, shëndeti mendor i të burgosurit kohët e fundit pas gjashtë vitesh qëndrimi në qeli ishte rënduar jashtë mase. Ndërkohë prej më tepër se një viti, kohë në të cilën bashkëshortja nuk i vinte në takime pas rrëmbimit të saj nga Adriatik Zenollari, Ervin Gorica dhe vëllezërit Pal dhe Mihal Shkëmbi, 33-vjeçari Minir Muço kishte nisur të vuante nga depresioni. Vetëm një muaj më parë ai ishte përleshur në qeli me dy vëllezërit e vet, por ndërhyrja e stafit të edukimit të burgut ka shmangur përmasat e ngjarjes, ndërsa më pas i kanë pajtuar ata duke i lënë sërish në të njëjtën qeli. Vëllezërit kanë pretenduar gjatë kësaj kohe se ai ankohej shpesh duke pasur ankth problemet që mund t’iu dilnin dy fëmijëve të tij nga rrëmbyesit e gruas, që kishin mbetur të pandëshkuar nga organet shtetërore, ndërkohë që kërcënoheshin edhe nga dy bashkëpunëtorët e tij në krimin kundër efektivëve të policisë, që kishin shkuar në banesën e tyre për t’i arrestuar dy vëllezërit.

Letra e fundit: Vetëflijohemi për hir të dy fëmijëve tanë

TIRANE - “Vetëflijohemi për hir të fëmijëve”. Kështu e kishte nisur letrën e fundit, të shkruar vetëm pak çaste para vetëvrasjes 33-vjeçari, Minir Muço. Letra që tashmë ndodhet në duart e organit të akuzës së Elbasanit përbëhet nga katër faqe fletoreje, dhe që i adresohet Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në letër Miniri pohon se, bashkëpunëtorët e tij në krimin kundër forcave të rendit në dhjetor të vitit 2002, e kërcënonin vazhdimisht atë dhe bashkëshorten e tij duke i kërkuar të dëshmonte se krimin e hedhjes së granatës ndaj policisë, e kishte kryer ky i vetëm. Po kështu edhe për rrëmbimin disa ditë të bashkëshortes Thëllëza Muço, një vit më parë nga një kushëri i dytë i tij, së bashku me tre persona të tjerë, 33-vjeçari Minir Muço akuzonte si shkaktar të bashkëpandehurit me të. Sipas tij, ata, në formë presioni për të tërhequr denoncimin ndaj tyre, kishin ndihmuar kushëririn e të burgosurit për t’i marrë gruan. “Duke mos pasur rrugë tjetër, në mënyrë që të shpëtoj fëmijët, zgjodha këtë rrugë”, mësohet të ketë shënuar në letër i burgosuri 33-vjeçar. Tashmë letra ndodhet në duart e prokurorit të çështjes, i cili ia ka bashkëngjitur këtë dosjes penale që po përgatit për këtë çështje. Paraprakisht nuk dihet nëse kjo letër është shkruar nga i burgosuri gjatë qëndrimit në qeli dhe e ka sjellë me vete në momentin e takimit; e ka shkruar me bashkëshorten para se të vdisnin; apo e ka shkruar para se t’i jepte fund jetës, pasi kishte ekzekutuar bashkëshorten.              fa.ma.

Ngjarjet që shkatërruan familjen

Nga të dërguarit tanë në Peqin, Ferdinand Dervishi, Fatos Mahmutaj

Para se të jetë një histori e kronikës së zezë, vetëflijimi i dy bashkëshortëve Minir e Thëllëza Muço, në një ambient të burgut të Peqinit, duket se është më tepër një histori njerëzish të dënuar përjetësisht nga fati. Një histori që ka nisur rreth 6 vite më parë, saktësisht më 20 dhjetor 2002, kur policia ndalon në fshatin Trebinjë të Pogradecit dy vëllezërit e viktimës, Bardhyl Muçën, 34 vjeç dhe Blerim Muçën, 19 vjeç, pasi Prokuroria e rrethit kishte filluar një çështje penale për vrasje të mbetur në tentativë. Por teksa vëllezërit e tij shoqëroheshin për në komisariat, makinës i del përpara vëllai tjetër, Minir Muça, i cili lëshon një granatë në drejtim të automjetit të policisë, duke shkaktuar plagosjen lehtë të dy punonjësve, një prej të cilëve ishte vetë shefi i antikrimit, R. Kote. Ngjarja konsiderohet shumë e rëndë dhe shpejt në duar të policisë përfundoi edhe vëllai i tretë, Miniri, i cili i futur në ingranazhet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, dënohet me 22 vjet heqje lirie. Të tre vëllezërit bëhen bashkë në një qeli në burgun e Peqinit, ndërkohë që familjet e tyre, sidomos ajo e Minirit, mbetën pa asnjë mbështetje. Këtu nis edhe tragjedia.
Rrëmbimi i gruas
Më 12 shtator 2007, të gjitha mediat emetuan lajmin e rrëmbimit të një gruaje në fshatin Trebinjë të Pogradecit. Ajo quhej Thëllëza Muça dhe ishte pikërisht bashkëshortja e Minir Muçës, të dënuarit me 22 vjet burg për hedhjen e granatës ndaj policëve. Sipas të dhënave të policisë, Thëllënza ishte mashtruar nga një kushëri i saj, i cili fillimisht e kishte ftuar për kafe dhe më pas me ndihmën e dy miqve të vet e kishin rrëmbyer. E kishin rrëmbyer sepse e kishin konsideruar si mall pa zot, meqë të shoqin e kishte të mbyllur për 22 vjet në burg. Por pikërisht njeriu i mbyllur në burg e ndihmon të shoqen të rifitojë lirinë. E mbajtur në një ambient peng, gruaja arrin të telefonojë të shoqin në burg, t’i rrëfejë gjithë ngjarjen dhe ky i fundit arrin në kohë të vërë në lëvizje policinë. Dhe thonë pastaj që celularët në burg duhet të ndalohen rreptësisht. Sipas lajmit, në vazhdim Thëllënza ishte mbajtur peng në një shtëpi të izoluar në Drenovë të Korçës dhe qëllimi i rrëmbyesve kishte qenë ta trafikonin në shtetin fqinj, Greqi. Sipas policisë, planin e rrëmbimit e kishte organizuar A. Zenollari, një 36-vjeçar nga fshati Pirg i rrethit të Korçës. Në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë ai e kishte marrë gruan dhe më pas e kanë mbyllur në shtëpinë e një të njohuri të tyre në fshatin Drenovë të Korçës. Pas ingranimit të policisë, Zenollari dhe një tjetër personazh, E. Gorica, 30 vjeç nga Kuçova, u arrestuan. Por kjo ngjarje mesa duket thelloi edhe më tepër telashet në familjen e ndarë në mes të Minir Muçës.
Problemet në familje
Edhe pse ngjarja e rrëmbimit përfundon pozitivisht, duket sa ndodhi rëndoi edhe më tepër në marrëdhëniet e ndërtuar mes çiftit të bashkëshortëve. Burrë e grua kishin dy fëmijë, një vajzë tashmë rreth 6 vjeçe dhe një djalë që në kohën e rrëmbimit të Thëllënzës sapo kishte lindur. Pas ngjarjes, e thyer dhe e mbyllur në vetvete, Thëllënza nuk shkon ta takojë më të shoqin në burg. Për më tepër që të dy, burrë e grua, gjenden edhe nën presionin e kërcënimet e vazhdueshme të njerëzve të ndryshëm anonimë, që u kërkonin të tërhiqeshin nga denoncimet për rrëmbimin. Me kalimin e muajve koha larg njëri-tjetrit bëhet pak më shumë se një vit, pasi Thëllënza nuk guxonte, ose nuk përballonte dot turpin të shkonte ta takonte të shoqin në burg. Në këtë kohë duket Miniri këmbëngul që gruaja të vijë ta takojë me patjetër. Për këtë duket se ai ingranon të atin, pasi e shoqja pas rreth një viti tek njerëzit e gjakut të saj, ishte rikthyer dhe gjendej në shtëpinë e të atit të Minirit. Duket dikur i ati e bind të renë që të shkojnë të takojnë në burg Minirin dhe dita caktohet të ishte pikërisht e djeshmja, 29 korrik. Pasi gjetën kufomat, policët vunë re edhe një letër të shkruar ku thuhej se të dy largoheshin nga kjo botë për të shpëtuar fëmijët. Një letër që thoshte se kërcënimet u mbërrinin edhe në adresë të fëmijëve. Por motivi i vërtetë i vetëvrasjeve, apo vrasje-vetëvrasjes, mund të jetë edhe diku tjetër. Mbase te pamundësia për të vazhduar më tej jetën e vështirë, mbase te psikologjia e një pjesë të meshkujve shqiptarë, që e konsiderojnë veten pronarë edhe të jetës së bashkëshorteve të tyre.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›