E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po a është i Vlorës Universiteti?

Blendi Kajsiu 

Një stuhi indinjimi patriotik i është turrur rektorit të Universitetit të Vlorës, sepse bashkë me senatin ai propozoi që Universiteti i Vlorës të quhet Universiteti i Vlorës.  Natyrisht teorikisht dhe në letër universiteti quhet ‘Ismail Qemali’, por askush nuk e përdor ...këtë emër faktikisht, të gjithë kur flasim për këtë universitet themi ‘Universiteti i Vlorës’. Madje, po të dëgjosh edhe ata që janë hedhur në mbrojtje të Ismail Qemalit, në thelb thonë ‘kjo nuk duhet t’i ndodhë Universitetit të Vlorës!”. E cc’kuptim ka që ky universitet të quhet ‘Ismail Qemali’ kur në realitet të gjithë e quajnë Universiteti i Vlorës? Prandaj rektori Shaska thjesht ka formalizuar emrin real të universitetit që drejton.  Por ky është edhe një vendim mjaft i logjikshëm. Arsyeja se përse ne të gjithë flasim për Universitetin e Vlorës nuk është vetëm se ai është një universitet rajonal me qendër në Vlorë. Karakterin e universitetit, degët që ai ofron, arsyet se përse studentët shkojnë aty përcaktohen nga Vlora dhe jo nga Ismail Qemali. Dhe është mëse e arsyeshme që një universitet të mbajë një emër që shpreh sa më mirë profilin apo karakterin e tij. Nëse Universiteti i Vlorës do të synojë të tërheqë studentë, natyrisht këtë do ta bëjë nëpërmjet Vlorës shumë më tepër sesa nëpërmjet Ismail Qemalit, prandaj askush nuk ka përse të hidhet përpjetë nëse ky universitet apo komuniteti i Vlorës vendosin të bëjnë diçka të tillë.
Ndoshta është koha që diçka të tillë ta bëjnë edhe universitetet e rretheve të tjera. Në letër Universiteti i Elbasanit quhet “Aleksandër Xhuvani”, Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ndërsa ai i Korçës “Fan Noli”. Ama në realitet askush nuk i përdor këto emra, të gjithë flasim për Universitetin e Shkodrës, të Durrësit apo Elbasanit. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë sepse karakteri dhe profili i këtyre universiteteve përcaktohet shumë më mirë nga vendndodhja e tyre rajonale sesa nga emri që i ka vënë qeveria. Madje, shpesh këta emra nuk kanë asnjë lidhje me profilin që kanë apo duan të ndërtojnë këto universitete. Kështu Universiteti i Durrësit, që mesa di unë nuk ka asnjë degë aktrimi, për arsye misterioze quhet “Aleksandër Moisiu”. Mania për t’i emëruar universitetet si shkollat e mesme me emra të figurave të mëdha të kombit, buron nga ideja e gabuar se universitetet janë mbi të gjitha institucione të kombformimit. Natyrisht që universitetet e kanë edhe këtë funksion, por nuk mund të reduktohen tek ai. Sot në vitin 2008 ka ardhur koha ta konsiderojmë të mbyllur procesin e kombformimit. Universitetet tona duhet të jenë diccka më shumë sesa pishtarë të Rilindjes Kombëtare. Ato duhet të jenë institucione që synojnë përmirësimin dhe jo thjesht formësimin e kombit. Kjo arrihet më së mirë duke i dhënë atyre mundësinë dhe autonominë të krijojnë profilin që i bën ata më të suksesshëm, jo duke i lidhur pazgjidhshmërisht me procesin e Rilindjes Kombëtare. Përndryshe universiteti më i madh në vend, Universiteti i Tiranës, duhet të quhet Universiteti ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ i Tiranës, sipas heroit më të madh kombëtar që ne kemi. Dhe me patriotizmin që ka shpërthyer së fundmi nuk është çudi që edhe Universiteti i Tiranës të pagëzohet Universiteti Skënderbeu. Ama qytetarët do vazhdojnë ta quajnë atë Universiteti i Tiranës. Jo sepse ata janë më pak shqiptarë sesa patriotët tanë, por thjesht sepse jetojnë në të tashmen dhe shohin nga e ardhmja.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›