E Diel, 1 Nëntor 2026

Kashari, sondazhi i vërtetë i politikës së re

Dritan Ylli 

Rezultati i zgjedhjeve që u zhvilluan në Kashar, është një tregues i pa ekuivok i rimodelimit të raporteve dhe dimensioneve të reja politike në Shqipëri dhe relativizmit, tkurrjes dhe erozionit të pandalshëm të forcave të vjetra. Gjithçka ndodhi në Kashar, ndoshta ishte surprizë për disa, që pa u thelluar nuk arrijnë të vlerësojnë objektivisht dialektikën e ndryshimeve të mëdha në politikën shqiptare. Por në fakt, ai ishte një rezultat i natyrshëm për të gjithë opinionin e gjerë objektiv dhe që vlerëson pa paragjykime raportin e qytetarëve me sjelljen dhe politikën e partive të vjetra.
Natyrisht që Kashari nuk mund të jetë sondazhi më i saktë për raportet e sotme politike në Shqipëri, duke llogaritur këtu për fat të keq disa arsye, që lidhen thjesht dhe vetëm me abuzime në procesin zgjedhor, si ndikimi i pushtetit, parregullsitë me listat, mungesa e kartave të identitetit, etj. Dihet që kur ka zgjedhje të pjesshme, Qeveria është gjithnjë më e avantazhuar, ndonëse në mënyrë jodemokratike, pasi presioni i saj në një zonë të vetme ka më tepër efekt dhe ndikon më shumë në rezultat, sesa në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare. Ndaj në këtë kontekst, është e thjeshtë të kuptosh se e djathta nuk është realisht aq e votuar në Shqipëri, aq sa në Kashar apo diku gjetkë.
Duke qenë një ndër përfaqësuesit e LSI-së, që e ndoqën nga afër procesin e votimit në Kashar, e shikoj të udhës që të sqarohet çdo opinion i pavarur, se LSI-ja kishte objektiv të saj fitoren e Kasharit. LSI dhe kandidati i saj hynë realisht për të fituar, duke u investuar me besim dhe pasion në fitore deri në minutën e fundit dhe gara u diskutua në mes të saj dhe PD-së. Qëllimi i LSI-së nuk u ndal as nga “desantimi” i të gjithë Qeverisë dhe strukturave shtetërore në Kashar. Të gjithë ministrat u investuan në çdo qendër votimi në formën e presionit shtetëror dhe përpjekjes anakronike për t’iu imponuar njerëzve në formën më të keqe, që shteti mund të shfaqë. Duke shtuar këtu edhe ndonjë drejtor KESH-i apo të ndonjë ndërmarrjeje tjetër shtetërore, e gatshme të afrojë gjithçka nga pasuria publike për të gënjyer sa më shumë që ishte e mundur zgjedhësit. 
Por, është për të ardhur keq, që lidershipi i PS-së sillet në mënyrë hipokrite me atë që ndodhi dhe me rezultatin e saj të paparashikuar edhe nga dashakeqët më të mëdhenj të PS. Në fakt, Kashari është sondazhi më i saktë e më i freskët për politikën e re e pikërisht në zemër të Tiranës e në prani të gjithë mediave. Për një sondazh të bazuar mbi kritere profesionale duhet që të anketohen deri në 1400 persona. Në Kashar votuan mbi 7 mijë qytetarë. Dhe Kashari është thuajse një me Tiranën, që qeveris në distancë Edi Rama, i cili gjithmonë ka dashur ta ketë Kasharin si zgjatim të pushtetit të tij në Tiranë. Ndaj dhe nuk është aspak e vërtetë, por justifikim nga halli, ajo që deklaroi zj. Leskaj, se në Kashar kishte garë në mes të individëve. As zj. Leskaj dhe as ndonjë përfaqësues tjetër i lidershipit të PS, nuk mund të zhvlerësojë elektoratin e saj në Kashar. Aq më tepër, që në të gjitha rrugët kryesore të Kasharit, PS kishte varur banderola, ku shkruhej me të madhe “Bashkohu me Edi Ramën”. Pra, lidershipi i PS-së ka harruar që Edi Rama dhe drejtimi i tij humbi në Kashar, ku elektorati i majtë e gjykoi të udhës të mos i bashkohej më atij.
Vetë Rama të premten pasdite në mbyllje të fushatës u shfaq sërish në Kashar, ku nuk piu dot as kafe se mitingjet dështuan. Vetëm disa fëmijë kishin ardhur, të cilët u ndodhën aty pari duke lozur dhe menduan se Edi do ju bënte ndonjë tabelë basketbolli për të bërë kosha ai dhe ata. Ndërkohë paralelisht me dështimin e Edit, qindra mbështetës të LSI-së, të motivuar dhe që besonin tek partia dhe kandidati i tyre mbushën sheshin kryesor të komunës.
Modeli i Edi Ramës, nuk nxiti por përkundrazi i demotivoi banorët e Kasharit, veçanërisht të majtët në atë komunë për të votuar një model bashkiak, i cili në Tiranë u rri larg qytetarëve dhe përbuz zërin e tyre. As asfalti elektoral i Ramës në Tiranë dhe inaugurimi disaherësh i tij, nuk i dha asnjë arsye më shumë votuesve, pasi realiteti komunal i Kasharit e rrugët e mirasfaltuara në të, ishin të një standardi më të lartë, sesa fjala vjen Bulevardi “Zogu I” në zemër të kryeqytetit.   
Pra, asnjë justifikim për të dalë nga halli nuk qëndron. As ai se gjoja kandidatët e tjerë përdorën para. Edhe në këtë rast lidershipi i PS-së, duhet të pyesë veten pse i “shitet” kaq kollaj elektorati i vet, apo dhe pse nuk iu përgjigj thirrjeve publike të Edit, “merrni paratë e mos jepni votat!!”.
Por, Kashari ishte treguesi i qartë i një realiteti krejtësisht të ri, që po mbizotëron të majtën dhe opozitën në tërësi.
Duke filluar nga shkurti, kur Meta denoncoi fiktivitetin dhe pandershmërinë e lidershipit të PS, në raport me marrëveshjen midis partive opozitare, sondazhet tregonin objektivisht ndryshimin radikal, ku kishte një dyfishim të mbështetjes për LSI-në në gjithë vendin. Kashari ishte një provë se sondazhet duhen bërë më shpesh, sepse rezultati i Kasharit, ishte në fakt trefishimi i LSI. Shkaku madhor i këtij dimensioni kaq të rritur elektoral është evidentimi i dallimit midis dy filozofive politike, të LSI-së dhe PS-së, si edhe ndryshimet e mëdha shumëplanëshe midis Metës e Ramës. Ndërsa politika e LSI-së me qytetarin në qendër të saj, ka afirmuar qartësisht atë dhe liderin e saj Meta, nga ana tjetër politika klienteliste e lidershipit të PS-së, që natyrshëm largon qytetarin nga fokusi i saj janë thelbi i ndryshimit të tyre. Përballë këtij ndryshimi të Metës me Ramën, nga ana tjetër përvijohet qartë ngjashmëria e Ramës me Berishën, që rritet gjithnjë e më tepër, sepse zmadhohet gjithnjë vokacioni autoritar dhe përdorimi i pushtetit vetëm për interesa të tyre personale dhe të kastës që i rrethon.
Kriza e frikshme ku është zhytur PS vetëm për shkak të një lidershipi thellësisht të kapur nga Berisha, nuk kapërcehet me sondazhet e porositura të Edi Ramës. Nëse nuk do të nxirren mësime dhe nuk do të ketë reflektim nga realiteti elektoral i provuar në Kashar sot, do të jetë fatalisht shumë vonë në sondazhet e 2009 që po afron. Përgjegjësitë që do të binin mbi cilindo, që punon për zgjatjen e jetës politike të Berishës, do të ishin shumë të rënda dhe të pafalshme nga shqiptarët, që nuk e duan qeverisjen dhe shtetin e korruptuar dhe varfërues të kësaj qeverie.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›