E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emri u ndryshua tek diplomat

Emri i Ismail Qemalit hiqet dhe nga diplomat e studentëve. Një lojë e zhvilluar një ditë para mbledhjes së senatit për ndryshimin e universitetit të Vlorës, është cilësuar ceremonia e zhvilluar për ndarjen e tyre. 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Një fletë e tipit të certifikatës, që mbante sipër titullin Universiteti i Vlorës u është shpërndarë disa studentëve që mbaruan fakultetet këtë vit. Ceremonia e ndarjes së tyre u krye thuajse formalisht, pasi ende nuk kanë mbërritur në universitet diplomat e mirëfillta. Duke u justifikuar me faktin e shpërndarjes simbolike për studentët janë përgatitur certifikatat, me firmën e rektorit dhe dekanëve përkatës. Në to, ndryshe nga diplomat e mëparshme ku shënohej “Universiteti teknologjik Ismail Qemali”, shkruhej thjesht “Universiteti i Vlorës”. Para çeljes së ceremonisë rektori i universitetit u ka dhënë dekanëve të firmosnin rreth 10 copë diploma-certifikata me urgjencë në mënyrë formale, duke u thënë se këto diploma nuk do të njihen, por janë thjesht simbolike. Dekanët kanë pohuar se kanë firmosur pa i vënë re se aty nuk ishte emërtimi zyrtar i universitetit. Të pyetur për këtë, dekanët janë shprehur se “kemi firmosur diplomat në formën e një certifikate pa vënë re se si ishte shkruar në krye. Kjo dhe me idenë se ishin thjesht për çeljen e ceremonisë dhe nuk kishin asnjë vlerë më vonë. Një ditë më vonë rektori i universitetit Shaska, na ka thirrur urgjent për mbledhjen e senatit dhe në rendin e ditës pamë se, një nga pikat ishte dhe ndërrimi i emrit të universitetit. U habitëm nga ky fakt, bëmë shumë debate për t’i mbushur mendjen se e kishte gabim, por me sa duket rektori më parë kishte bërë parapërgatitje, si dhe kishte siguruar votat e nevojshme për ta miratuar me shumicë votash në senat”.
Ceremonia e shpërndarjes së diplomave është bërë në datën 25 korrik, ku kanë marrë diplomat vetëm disa studentë, ndonëse më vonë u mësua se janë përgatitur për t’u shpërndarë 220 diploma. Deri sot, asnjë prej tyre nuk i ka marrë në dorë.
Dy prej firmëtarëve të diplomave janë dhe anëtarët e senatit, ish-rektori Bilal Shkurtaj dhe Arta Musaraj, dekane e Fakultetit të Ekonomisë dhe Drejtësisë, të cilët reaguan ashpër ndaj heqjes së emrit. “Pasi shumica e anëtarëve në senat votuan pro propozimit për heqjen e emrit të Ismail Qemalit dhe shohim emërtimin e diplomave, atëherë u qartësuam se gjithçka rektori e kishte bërë me qëllim dhe me parapërgatitje të qëllimshme”, u shpreh dje ish-rektori Shkurtaj. Sipas tij, rektori aktual Tanush Shaska, me këtë ndryshim në diploma dhe me kërkesën për ndryshimin e emrit të universitetit është në vazhdën e disa ndryshimeve të jashtëligjshme dhe të turpshme, që po bën në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, që nga emërimi i tij në këtë post. “Unë e them me bindje se ky rektor, po shkatërron këtë universitet, që prej vitesh e meriton të mbajë emrin e nderuar të Ismail Qemalit. Shaska para se të merrte një veprim të tillë, më parë duhet të ishte konsultuar me kolegë, rektorë, anëtarë të senatit si dhe me historianë e akademikë, në një masë të gjerë e më pas ta hidhte për diskutim. Por ai ka bërë me kokën e tij, pa u konsultuar me askënd, duke ndryshuar e shkatërruar gjithçka që me shumë mundim e sakrifica i kemi ndërtuar”.

Berisha abstenon për emrin e universitetit

DURRES - Qeveria “Berisha” abstenon për debatin e fundit mbi emrin “Ismail Qemali” të Universitetit të Vlorës. Ajo do të qëndrojë asnjanëse, duke ruajtur të paprekur konceptin e autonomisë universitare. Ky pozicionim i qeverisë shqiptare ka ardhur nga vetë kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Qeveria “Berisha” nuk do të ndërhyjë aspak në vendimmarrjet e senatit të Universitetit të Vlorës. “Kabineti im nuk mund të imponojë emra, as të vendosë apo të heqë”, u shpreh Berisha, i cili në të vërtetë diktoi personalisht tre vjet më parë emrin e Universitetit të Durrësit. Por nga ana tjetër kryeministri nuk ka përjashtuar debatet në një të ardhme në lidhje me çështjen e emrit. Universiteti i Durrësit tashmë ofron një mundësi më shumë për ata studentë që do të mësojnë dhe punojnë njëkohësisht. Është çelur në universitetin “Aleksandër Moisiu”, fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën. Në ceremoninë e rastit morën pjesë kryeministri Sali Berisha, ish-zv.ministri i Arsimit, Genc Pollo si dhe ambasadori gjerman në Tiranë, Bern Barchard. Ky i fundit shtoi se, është një kënaqësi e madhe bashkëpunimi me një universitet, i cili mban emrin e një intelektuali të shquar shqiptar si Aleksandër Moisiu, që ka jetuar dhe punuar gjatë në Gjermani. Grupi i synuar për këtë fakultet janë maturantët, të cilët kërkojnë një alternativë ekonomike dhe tërheqëse. Pas studimeve trevjeçare akademike të kombinuara me trajnimin praktik (në raportin 50% studime 50% punë) studentët do të pajisen me diplomën e nivelit të parë (bachelor) me 180 kredite. Degët që do të ofrojë ky fakultet janë Menaxhim i Bankave, Hoteleri-Turizëm dhe Menaxhim i Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Sipas Berishës, parashikohet që nga 2009–2010 të trefishohet numri i studenteve, ndërsa problem mbetet orientimi drejt tregut, pasi departamentet tona kanë një lloj viskoziteti për t’u përshtatur me tregun.                              o.u

“Emrin e Ismail Qemalit e marrim ne”

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, në një intervistë dhënë dje për “Zërin e Amerikës” pohoi se institucioni që ai drejton do e kishte për nder nëse do të mbante emrin e Ismail Qemalit. Sipas tij, vendime të tilla për heqjen e emrave të figurave të shquara krijon imazh të keq për universitetet. “Praktikat e universiteteve të mëdha në botë e kanë të formatuar këtë, siç është universiteti “Xhorxh Uashington”. Ne nuk kemi kompetencë të bëjmë gafa të tilla, por të promovojmë figurat tona kombëtare”, u shpreh rektori Kule.

Topi: Universiteti i Vlorës të korrigjojë gabimin

DURRES - Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe ai i Kosovës, Fatmir Sejdiu kanë darkuar së bashku mbrëmë, në një prej lokaleve të shëtitores “Taulantia” të Durrësit. Vizita e papritur e kreut të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës vijoi më pas me takime me qytetarë të shumtë, përgjatë kësaj shëtitoreje. Presidenti kosovar shmangu deklaratat mediatike, duke u ndjerë kështu një turist i thjeshtë kosovar që viziton Durrësin. Duke shmangur deklaratat mediatike, Topi gjithsesi i ka dhënë përgjigje pyetjes së gazetarëve në lidhje me debatin e hapur së fundmi për heqjen e emrit “Ismail Qemali” në universitetin e Vlorës. Presidenti Topi e ka cilësuar tepër absurd vendimin e stafit të akademikëve, që universitetit t’i hiqet emri “Ismail Qemali” dhe të quhet thjesht “Universiteti i Vlorës”. Është diskutim absurd heqja e emrave që kanë iluminuar historinë tonë kombëtare, u shpreh Topi dje gjatë vizitës që bëri në qytetin bregdetar ku takoi presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu. Sipas Topit, senati duhet ta korrigjojë këtë vendim. “Shpresoj që senati i universitetit në Vlorë do ta korrigjojë gabimin, duke lënë në fuqi emrin ekzistues. Ismail Qemali është figurë e përmasave të mëdha dhe në këtë kontekst, çdo diskutim për emrin është i pabazë”, u shpreh Presidenti Topi. Pas kësaj deklarate, dy presidentët kanë dalë shëtitje duke u shkrirë me turmën. Ata takuan përzemërsisht qytetarë të rastësishëm, të cilët mbrëmja i solli aty në orën kur Sejdiu dhe Topi po vizitonin Durrësin. Vizita e papritur e dy presidentëve në Durrës ka nisur me një shëtitje buzë detit. “Të takoj pak profesorin tim. Nuk po më besohet”, kështu u shpreh një qytetar kosovar nga Istogu, kur pa në Durrës presidentin e tij. Fotografi, filmime me celularë, shtrëngime të ngrohta duarsh. Kjo ka qenë përmbledhja e kësaj nate të vonë të Durrësit ku dy presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës kishin veshur petkun e pushuesve të shpenguar. Gjatë vizitës së papritur dy presidentët u shoqëruan edhe nga bashkëshortet e tyre. Presidenti i Kosovës Sejdiu ndodhet në Durrës prej disa ditësh, ku po kalon pushimet bashkë me familjen e tij. Sejdiu është akomoduar në njërën prej vilave qeveritare. Shumë pushues kanë ndjekur me sy kureshtar presidentin Sejdiu, i cili gjatë këtyre ditëve të pushimeve të tij në Durrës është parë në mëngjes duke vrapuar në bregdet.                               o.u

Kadare: Fushatë tinzare kundër Ismail Qemalit

Robert Rakipllari

Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, e sheh më tepër sesa një lajthitje vendimin e senatit të Universitetit të Vlorës për t’i hequr emrin e themeluesit të shtetit shqiptar Ismail Qemalit këtij institucioni. I pyetur nga “Panorama” për debatin e hapur pas deklaratave shpjeguese të rektorit të Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, Kadare thotë se, problemi është shumë shqetësues dhe ka të bëjë me hyrjen e Shqipërisë në Evropë. Shkrimtari zbulon idenë e tij se ky veprim i senatit të universitetit të Vlorës lidhet me një fushatë gjysëm të fshehur dhe gjysëm të hapur kundër Skënderbeut, Ismail Qemalit, madje edhe ndaj Nënë Terezës. Kadare, i cili para dy vitesh inicioi një debat të fortë në mjedisin publik shqiptar për identitetin evropian të shqiptarëve, thotë se ka një kundërevropianizëm të fshehtë si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.
“Ka qenë një gjë e papritur, por edhe e pritur. Nuk është aq e pafajshme dhe mendjelehtë sa mund të duket në vështrim të parë. Ka vite që në Shqipëri ka një fushatë tinzare kundër Ismail Qemalit. Ashtu sikurse ka një fushatë gjysmë të hapur, gjysmë të fshehtë kundër Skëndërbeut. Ashtu sikurse ka një të tillë kundër Nënë Terezës”, deklaron shkrimtari duke iu përgjigjur interesimit të gazetës për këtë debat. “Mendoj se në shpjegimet e rektorit të Vlorës nuk ka sinqeritet. Ka lënë të nënkuptohet një presion më tepër të jashtëm sesa të brendshëm, i cili po të analizohet nuk mund të zbërthehet kaq lehtë. Vërtet është shqetësuar senati i Universitetit të Vlorës se emri i Ismail Qemalit nuk shqiptohet lehtë nga Bangladeshi apo Pakistani? Mendoj se çështja është më e thellë. Ismail Qemali themeloi shtetin evropian të shqiptarëve. Çështja ka lidhje me hyrjen e Shqipërisë në Evropë. Ka një kundërevropianizëm të fshehtë si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Prandaj problemi është shumë shqetësues”, përfundon Kadare. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›