Akuza, hetime shtesë për Lulzim Bashën
TIRANE - Në kohën kur tre zyrtarët dhe ish-zyrtarët që hetohen në dosjen "Durrës Kukës", janë marrë të pandehur duke u komunikuar zyrtarisht akuzën "shpërdorim detyre", prokuroria shtyn përsëri afatin e hetimeve. Sipas burimeve nga grupi hetimor i çështjes, akuza po kërkon më tepër kohë pasi në këtë interval kohor po përpiqet të zbulojë prova dhe fakte që implikojnë Ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, të cilat ende nuk është bërë e mundur të sigurohen në dosje. Zyrtarisht prokuroria konfirmoi se me këtë çështje penale nevojitet të kryhen edhe disa veprime të tjera proceduriale. Ndërkaq në raportin e dorëzuar në Kuvend për heqjen e imunitetit, vitin e kaluar në kohën kur prokuroria drejtohej nga Sollaku, ishin renditur një sërë shkeljesh në procedura të kryera nga Ministria e Transporteve. t.s