Tiranë, djali vret me thikë babain në fshatin Mal-Mner
TIRANE - Djali vret babain me thikë në shtëpinë që kishin në fshat, ndërsa kishin shkuar të bënin dru në mal. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mal-Mner në verilindje të Tiranës, në kufirin administrativ mes Krujës dhe Matit. Ahmet Lika, 72 vjeç, banues në fshatin Linzë të Dajtit, ka mbetur i vdekur në vend, pasi i biri i tij, Elvis Lika, e ka qëlluar atë me thikë disa herë. Krimi brenda familjes, sipas burimeve të policisë, mendohet se ka pasur motive të dobëta, pasi viktima ka debatuar me të birin. Të dy ata babë e bir, kishin shkuar në shtëpinë e tyre në fshatin malor Mal- Mner, në të cilën banonin fare pak. Ata ishin nisur të mërkurën për të bërë një sasi drush për familjen e tyre që tashmë banonte në Linzë. Policia ka arrestuar autorin, pasditen e djeshme, në banesën e familjes në Linzë, ndërsa atij i janë gjetur rroba me gjak. Sapo kanë mbërritur në shtëpinë e tyre, ku banonin vetëm pak ditë në vit, babë e bir janë grindur. Burime të policisë së Komisariatit nr.4, kanë pohuar për gazetën "Panorama", se Elvisi 16-vjeçar njihej prej tyre mjaft mirë pasi ishte shoqëruar herë pas herë në ambjentet e Komisariatit të Policisë nr.4. Policia në bazë të deklarimeve të të arrestuarit ka mësuar se shkak për krimin ndaj babait, ka qenë fakti se Elvisi, nuk angazhohej në punët e familjes dhe më së shumti vërdallosej nëpër lagje pa kurrfarë qëllimi. Ai kishte parë mjaft herë derën e policisë, pasi blutë e shoqëronin si person të dyshuar për krimin e vjedhjes, gjithsesi asnjëherë nuk ishte arrestuar apo dënuar. Policia është informuar për ngjarjen gjatë mbrëmjes së mërkurë vonë. Blutë pasi kanë mbërritur në banesën e familjes Lika, në Mal- Mner të Zall- Bastarit, kanë gjetur viktimën të mbytur në gjak dhe të çarë. Sipas ekspertëve, viktima ka pasur së paku 6 plagë me thikë në trupin e tij. Sipas policisë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dukej qartë që babë e bir ishin përleshur mes tyre. Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe vetë i arrestuari, sipas të cilit i ati më parë e kishte qëlluar me pëllëmbë. Më pas ai nuk kishte duruar dhe kishte goditur të atin me thikë. Pas ndalimit, policia ka kërkuar një avokat kryesisht për të birin vrasës, ndërsa i është ofruar atij një psikolog, për shkak të moshës së tij të mitur dhe gjendjes jo të mirë emocionale që po kalonte pas krimit.