E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës-Kukës, paditet Prokuroria

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Përgjithshme shtyn përsëri afatin e hetimeve për rrugën Durrës-Kukës. Më tepër se një vit e gjysmë nga koha e regjistrimit të procedimit penal (mars 2007), dosja mbetet përsëri e hapur pas shtyrjeve të njëpasnjëshme të afatit të hetimit nga prokurori i çështjes. Mëngjesin e djeshëm, kryehetuesi i dosjes, Arben Kraja, thirri të pandehurit Armand Teliti, Andi Toma dhe Lejlja Saraçi, të cilëve u komunikoi vendimin se do të jenë nën akuzë edhe për të paktën një muaj, deri më 6 dhjetor 2008. Nga tre të pandehurit e dosjes, vetëm Lejla Saraçi nuk ishte e pranishme por ajo u përfaqësua nga avokati i pajisur me prokurë. Zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve, të akuzuar për dosjen e rrugës Durrës-Kukës, u paraqitën në Prokurorinë e Përgjithshme rreth orës 09:30, mëngjesin e djeshëm. Ata qëndruan për rreth 30 minuta në zyrën e prokurorit të çështjes Arben Kraja, i cili u ka pohuar se do të jenë edhe për një muaj tjetër të pandehur për dosjen penale në të cilën po hetohet edhe roli i Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. Pak kohë më parë, dy ekspertë kontabël dorëzuan në prokurori raportin e kryer me kërkesë të organit të akuzës, ku theksonin se vlera totale e investimit në autostradën Durrës-Kukës është 1 miliard e 23 milionë lekë. 
Padi prokurorisë
Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmuan se prokurori i dosjes "Durrës Kukës", Arben Kraja ka kërkuar të mbajë të hapur dosjen hetimore deri më 6 dhjetor. Këtë vendim ai ua ka komunikuar të pandehurve. I pyetur nga gazeta tri ditë më parë, pasi u përfol një vendim i tillë për dosjen në fjalë, prokurori Kraja ka mohuar diçka që ndodhi dje në mëngjes, paraqitjen e të pandehurve në zyrën e tij dhe shtyrjen e afatit të hetimeve. Megjithatë ky vendim duket se nuk do të kalojë pa kundërshtime nga pala e akuzuar, e cila është ngarkuar me dyshimet për shpërdorime në vendimmarrjen dhe procedurat e ndjekura me tenderimin dhe financimin e autostradës Durrës-Kukës, që po lidh Shqipërinë me Kosovën. Njëri nga zyrtarët që akuzohet, Armand Teliti, Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, i tha dje në mbrëmje gazetës "Panorama", se vendimi i prokurorisë për zgjatjen e hetimeve do të ankimohet në gjykatë. Armand Teliti konfirmoi se ishte paraqitur dje në mëngjes në prokurori. "Na u komunikua shtyrja e afatit të hetimeve edhe me një muaj. Këtë vendim do ta kundërshtojmë në gjykatë, ku do të kërkojmë anulimin e tij", tha kreu i Drejtorisë së Gjendjes Civile Armand Teliti. Ai hetohet nga prokuroria për shkak se në kohën e vendimmarrjes, objekt i akuzave ka qenë zv/ministër i Transporteve. Në dosje akuzohet edhe ish-drejtori Juridik i Ministrisë së Transporteve Andi Toma dhe Lejla Saraçi, drejtoreshë e Rrugëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›