Gjykata që urdhëroi arrestimin, liron kirurgun e Onkologjikut
TIRANE - Agim Karaj, shefi i Onkologjikut në QSUT, i arrestuar nën akuzën e korrupsionit tri ditë më parë, la dje qelinë për t'u hetuar nën masën e sigurisë "arrest shtëpie". Gjykata e Tiranës vendosi dje ta zbuste masën e sigurisë ndaj mjekut, duke rrëzuar vendimin e saj të pak ditëve më parë që kishte vendosur në mungesë "arrest me burg" ndaj kirurgut të dyshuar për marrje ryshfeti nga pacientët. Para gjyqtares së çështjes, e cila më parë kishte vlerësuar si të ligjshme përgjimet telefonike ndaj kirurgut të njohur, si dhe kishte vendosur edhe masë sigurie me arrest në mungesë për të, i pandehuri tha se ishte i pafajshëm dhe se ishte vënë në pranga në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, gjithçka bëhej për arsye dashakeqësie nga persona që synonin t'i zinin vendin e punës. Ndërsa mbrojtja e tij, duke pohuar se arrestimi i mjekut ishte i paligjshëm, argumentoi se nuk kishte asnjë provë për të vërtetuar se midis kirurgut dhe familjarëve të pacientit që ka denoncuar të ishte bërë një marrëveshje paraprake midis tyre, sipas të cilës kirurgu do të merrte ryshfetin në këmbim të ndërhyrjes kirurgjikale. Vetëm nëse kjo gjë do të vërtetohej prej prokurorisë, atëherë, sipas mbrojtjes së mjekut, qëndronte akuza e "korrupsionit" që ishte ngritur ndaj tij. Ndërkohë gjykata në argumentet e veta pohoi se ndaj mjekut do të vendosej një masë më e lehtë sigurie nga ajo "arrest në burg" e kërkuar nga prokuroria, pasi edhe në raste të tjera, për mjekë të akuzuar për të njëjtën vepër penale ishte vendosur "arrest shtëpie". Edhe në rastet kur ishte vendosur nga Gjykata e Faktit "arrest në burg", apeli i kryeqytetit e ka prishur këtë vendim duke zbutur masën e sigurisë ndaj bluzave të bardha. Pak muaj më parë, Gjykata e Shkallës së Dytë, zbuti masën e sigurisë ndaj mjekut kryeqytetas Kastriot Dautaj, i arrestuar në një akuzë të ngjashme me të pandehurin Karaj. Ndërkohë më tej gjykata argumentoi se mjeku, nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore, si dhe nuk mund të zhdukte provat apo të manipulonte dëshmitarët. Për më tepër, duke u nisur edhe nga karakteri dhe personaliteti i tij, gjykata argumentoi se Karaj nuk duhet të lihej në qeli. Kjo e argumentuar edhe me pohimin e mjekut se do të vihej në dispozicion të hetimeve. Menjëherë pas përfundimit të seancës, palët pohuan se do e apelonin vendimin, prokuroria për të mbyllur në qeli mjekun, ndërsa mbrojtja për t'ia hequr masën. fa.ma