Dokumente false klandestinëve, në pranga
GJIROKASTER - Ngjashmëria në pamje e një çifti nga Fieri për pak sa mundësoi kalimin e tyre drejt Greqisë me pasaportë dhe vizë të dy personave të ndryshëm. Në momentet e fundit të inspektimit, kontrollorët e Kakavijës, kanë arritur të zbulojnë identitetin e vërtetë të tyre, duke arrestuar më pas poseduesit e vërtetë të dokumenteve të identifikimit. Policia ndaloi Kovaç Yzeirajn, 31 vjeç nga Fieri dhe Kahreman Meçaj, 37 vjeç, pasi u identifikuan si personat që kishin dhënë dokumentet false çiftit. Njëri prej tyre i kishte dhënë pasaportën e gruas së tij, ndërsa tjetri gjeti një pasaportë me ngjashmëri të fotografisë me të interesuarin. Për këto veprime ata do të përfitonin 3 mijë euro. Por, në doganë, policia arriti të zbulonte se bëhej fjalë për persona të tjerë në pasaportë e jo ata që do të kalonin drejt Greqisë. Të dy personat janë arrestuar me akuzën e favorizimit të trafikut ilegal dhe falsifikim dokumentesh. p.n