Gjoba për hakmarrje në Voskopojë, dosja në gjyq te Krimet e Rënda
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj të dyshuarit Erogen Brajoviç (Vaso), nga Shkodra, i cili akuzohet se ka kërcënuar disa familje në Voskopojë me qëllimin për t'u marrë pasurinë. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria, i pandehuri akuzohet për veprën penale të "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë", sipas nenit 109/b/1 të Kodit Penal. Mësohet se Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal për ngjarjen në ngarkim të personit të akuzuar Erogen Brajoviç. Organi i akuzës tha se hetimi ndaj të pandehurit Erogen Brajoviç ( Vaso) ka filluar në bazë të kallëzimit penal, të bërë nga Fiqiri Rexha dhe Gëzim Dragani. Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 20 gusht të vitit 2007 në një lokal të plazhit Velipojë. Aty ka pasur një grindje midis Lulëzim Draganit, Taulant Rexhës dhe personit të pandehur në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Erogen Brajoviç. "Pas këtij konflikti, personi i pandehur për veprën penale u ka dërguar fjalë me persona të tjerë familjarëve të Fiqiri Rexhës dhe Gëzim Draganit, për t'u mbyllur në shtëpi për shkak të konfliktit që kanë pasur më parë në plazh. Sipas hetimeve i akuzuari i dosjes pretendonte se do të hakmerrej nga dy të dëmtuarve nga "gjobëvënia". Sipas akuzës, mësohet se personi në hetim Erogen Brajoviç ka avancuar më tej, duke bërë presione ndaj familjeve Rexha dhe Dragani. "Ai u ka marrë me forcë automjetin me targa Benz-Mercedes, me targë SH 2062 E, në pronësi të Lulëzim Draganit. Këtë makinë ai e ka mbajtur peng për rreth 50 ditë", thanë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, i akuzuari i ka kërkuar palës kundërshtare si kusht për mbylljen e konfliktit, një shumë prej afro 50 mijë euro dhe dy automjete të tjera nga ai që kishte rrëmbyer. Ndërkaq policia tha se pasi janë gjendur nën këto presione e kërcënime, pala e dëmtuar, Gëzim Dragani dhe Fiqiri Rexha, kanë bërë kallëzim penal. Pasi ka marrë kallëzimin dhe ka bërë hetimet paraprake, policia ka bërë kualifikimin e veprës penale dhe dosja ka kaluar për hetime të mëtejshme në organin e akuzës. Prokuroria ka parashikuar thirrjen në gjykatë për disa dëshmitarë të ngjarjeve, me qëllim faktimin e akuzave ndaj të pandehurit Erogen Brajoviç. tr.so