E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akuza i komunikon akuzën zyrtare Rezart Taçit



Laureta Rryçi

TIRANE - Prokurori i çështjes i komunikoi dje akuzën biznesmenit Rezart Taçi. Burime nga Prokuroria e Tiranës pohuan për gazetën “Albania” se ndaj Taçit është ngritur akuza zyrtare “për goditje për shkak të detyrës” dhe se hetimet janë mbyllur. Për pasojë, dosja kur Taçi është cilësuar si i pandehur për goditjen ndaj gazetarit Mero Baze pritet të dërgohet për gjykim në Gjykatën e Tiranës brenda pak ditësh. Prokurori i çështjes mësohet se po bënte vetëm veprimet e fundit në dosjen për ta dërguar më pas drejt Gjykatës. Biznesmeni ka qëndruar vetëm 15 minuta në Prokurori dhe ka qenë i shoqëruar me një nga avokatët e tij, Maksim Haxhia. Taçi duhet të paraqitej në Prokurori që të hënën, mirëpo për shkak se hetimet ishin drejt mbylljes, prokurori e ka njoftuar se mund të paraqitej gjatë ditës së djeshme.
Lirimi
Biznesmeni Rezart Taçi u la i lirë nga Gjykata e Apelit pas qëndrimit të më shumë se dy javëve në burg. Ndaj tij prokuroria ngriti akuzën e goditjes për shkak të detyrës menjëherë pas incidentit që pati me gazetarin Mero Baze. Ndërsa për truprojën e tij, Bledar Lilo, po Gjykata e Apelit vendosi “arrest shtëpie”. Në burg mbeti atë ditë vetëm truproja i dytë e biznesmenit, i cili dhe është i vetmi që ka pranuar dhunën e ushtruar ndaj Bazes duke theksuar se nuk ishte në dijeni për profesionin e tij si gazetar. Pak ditë më pas edhe ndaj truprojës së dytë Yrgen Selfos Gjykata e Lartë vendosi të ndryshojë masën e sigurisë duke e lënë të lirë.
Incidenti
Presidenti i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi, u prangos pasi u denoncua nga gazetari Mero Baze për dhunën e ushtruar ndaj tij në orët e vona të mbrëmjes së 2 nëntorit, në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Vetë Taçi pretendon se është i pafajshëm dhe se nuk e ka goditur fizikisht gazetarin Baze. Pas komunikimit të masës së sigurisë, biznesmeni i kërkoi Gjykatës revokimin e masës së sigurisë që mori pak ditë më parë. Kërkesa e tij u paraqit zyrtarisht nga avokatët në kryesekretarinë e Gjykatës së Tiranës. Mirëpo sërish e njëjta gjyqtare vendosi ta rikthente në qeli biznesmenin pavarësish garancisë prej 100 mijë eurove që ofroi avokati i tij, Maksim Haxhia. Ndërsa tani Taçit do i duhet ta provojë pafajësinë e tij në sallën e gjyqit.

10 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›