Dogjani, padi në Gjykatën e Lartë për Fatos Hoxhën
Asllan Dogjani dorëzoi dje në Gjykatën e Lartë padi ndaj deputetit të Partisë Demokratike për qarkun e Kukësit, Fatos Hoxha. Burime zyrtare nga kjo gjykatë shpjeguan se padia është depozituar në kryesekretarinë e kësaj gjykate dhe ka si objekt dëmshpërblimin për shpifje që pretendohet se është bërë ndaj Dogjanit. Padia e depozituar dje është bërë në Gjykatën e Lartë për shkak të imunitetit që ka pala e paditur, në rastin konkret, deputeti i PD-së, Fatos Hoxha. Pasi të gjithë personat me imunitet gjykohen vetëm në Gjykatën e Lartë. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se padia do t’u nënshtrohet procedurave të zakonshme. Fillimisht do të kalojë me short, ku do të përcaktohet dhe kolegji civil që do të shqyrtojë kërkesën e Dogjanit. Kjo është padia e dytë që Dogjani bën brenda një kohe të shkurtër. Padinë e parë e depozitoi në Gjykatën e Tiranës ndaj ish-presidentit Alfred Moisiut. Edhe në këtë rast padia kishte si objekt “shpifjen”.
10 Dhjetor 2009