Imeraj: “Dita Kundër Korrupsionit, Berisha të dorëzojë para Drejtësisë ministrat e tij”
Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit socialistët kanë vënë në qendër të akuzave të tyre kryeministrin Berisha dhe një pjesë të rëndësishme të kabinetit qeveritar. Sipas zyrtarëve të lartë të PS-së, në këtë ditë, kreu i qeverisë duhej të dorëzonte përpara institucioneve të Drejtësisë mjaft ministra, të cilët kanë abuzuar me taksat e qytetarëve shqiptarë dhe kanë varrosur miliona euro. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, deklaroi dje se ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, më shumë se kushdo tjetër, duhet t'u jepte përgjigje pyetjeve të shqiptarëve, se çfarë ka ndodhur me rrugën e kombit. “Çfarë ka ndodhur me tunelin që u kushtoi shqiptarëve mbi 1 miliard euro dhe që sot gjendet i shembur duke groposur nën vete edhe paratë e shqiptarëve të ndershëm?” - deklaroi Imeraj. Sipas saj, në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit, Berisha duhet të ndërmerrte një veprim shumë të thjeshtë, por tepër domethënës: të dorëzonte përpara Drejtësisë ministrat e tij, si Mediu dhe Olldashi, apo të shkonte edhe vetë para Drejtësisë për të dëshmuar se si shpenzoi 5 milionë euro nga paratë e shqiptarëve për një copë rrugë, e cila u përdor vetëm një ditë të fushatës elektorale. Sipas Imerajt, kreun e qeverisë nuk do të mund ta shpëtojnë antimitingjet e kushtueshme që bëhen me paratë e qytetarëve shqiptarë nga kërkesa e një populli të tërë për të hapur kutitë dhe për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
10 Dhjetor 2009