E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat me armë në Bulqizë, shkak ethet e kromit



BULQIZË – Gara e ethshme për kromin është bërë shkas për një atentat me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Bulqizës, ku mbeti i plagosur një 36-vjeçar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është qëlluar me pistoletë shtetasi Vehab Shehu, banorë në qytezën e Bulqziës. Ai u përball me një breshëri plumbash pistolete teksa udhëtonte në këmbë, në mes të qytetit. Burimet policore bëjnë të ditur se autori i dyshuar i atentatit është shtetasi Fadil Terova. 23 vjeçari Terova i ka dalë përpara Shehut dhe i ka drejtuar pistoletën, por vetëm njëri nga tre plumbat e ka kapur në trup. Më pas, autori është larguar nga vendngjarja.
Burimet policore bëjnë të ditur se Fadil Terova, lindur dhe banues në Bulqizë, është shpallur në kërkim, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur një arkë me fishekë si dhe disa kallëpe me lëndë eksplozive të llojit tritol. I plagosuri Vehab Shehu pasi ka marrë mjekimin në spitalin e qytetit është dërguar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Të dhënat paraprake të policisë së Buqizës bëjnë të ditur se konflikti ka ndodhur për shkak të konkurrencës në tregtimin e mineralit të kromit. Autori i krimit kishte vetëm pak ditë që kishte ardhur nga emigracioni.
Konkurrenca e pandershme mes operatorëve privatë që ushtrojnë aktivitet në shitjen e mineralit të kromit është bërë shpeshherë burim konfliktesh, të cilat kanë përfunduar edhe me vrasje apo plagosje në qytetin e Bulqizës dhe zonat përreth.

10 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›