Aldo Bare: “Nuk dua të gjykohem nga Fatmira Hajdari, do të më paragjykonte”
Laureta Rryçi
Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, kërkon dorëheqjen e kryetares së trupit gjykues, Fatmira Hajdari. Kërkesa është bërë nga avokati i tij gjatë seancës së djeshme. Në këtë proces, Bare akuzohet si kreu i bandës së Lushnjës, që ka kryer një sërë veprash kriminale. Sapo filloi seanca, avokati Vladimir Meçe i dorëzoi gjyqtares Fatmira Hajdari kërkesën e bërë nga klienti i tij, Bare. Përjashtimi i saj kërkohet në mënyrë që Hajdari të mos e paragjykonte çështjen pas akuzave të bëra kohët e fundit nga kryeministri dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike. Duket se gjyqtarja Hajdari e mirëpriti këtë kërkesë, duke shpjeguar se nuk ishte dëshirë e saj nëse ndodhej si drejtuese e procesit.
Kërkesa
Për të mos prishur vendimin në një shkallë tjetër gjyqësore, avokati i Bares shprehu dje kërkesën e klientit të tij për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues. Pas dorëzimit të kërkesës nga ana e avokatit, Fatmira Hajdari u shpreh se mbi këtë çështje do të shprehet kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Dritan Hallunaj. Do të jetë Hallunaj ai që do të vendosë nëse Hajdari do të duhet të tërhiqet nga gjykimi, ose do të vazhdojë punën. Fatmira Hajdari, pak ditë më parë u caktua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në krye të gjykimit të kësaj dosjeje. Ky vendim erdhi pas heqjes së imunitetit të gjyqtares Marsela Balili dhe heqjen dorë nga të gjitha dosjet që kishte në gjykim kjo gjyqtare. Duke qenë se janë ezauruar të gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda, KLD-ja ishte e detyruar të delegonte një gjyqtar të shkallës së parë të Tiranës. Madje, edhe nëse pranohet vendimi i Hallunajt, sërish gjyqtari që do të zëvendësojë Hajdarin pritet të jetë po nga Gjykata e Tiranës.
Procesi
Dje ishte seanca e parë ndaj Aldo Bares që ditën kur u ekstradua në vendin tonë. Në të vërtetë procesi gjyqësor pati nisur prej disa muajsh në këtë gjykatë, qëkur Prokuroria e Krimeve të Rënda renditi një sërë akuzash si kreu i bandës së Lushnjës. Aldo Bare akuzohet për mbi 20 vrasje, krijimin e organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale, dhe u ekstradua nga Turqia më 25 nëntor të këtij viti. Krimi më i rëndë që rëndon mbi supet e tij është ekzekutimi i Artur Dajës, armikut të tij të përbetuar, të cilit i preu kokën dhe ia shëtiti përmes qytetit të Lushnjës. Pak ditë më parë avokati mbrojtës i Bares depozitoi në Gjykatën e Apelit kërkesën për lirimin e klientit të tij me argumentimin se kanë mbaruar afatet e paraburgimit.
Aldo Bare dhe organizata e tij kriminale akuzohen për:
- vrasjen dhe dekapitimin (prerjen e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës;
- vrasjen në qendër të qytetit të shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri;
- vrasjen për shkake të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë, të shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Sinan Meta;
- vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës;
- vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Kriminale, Klejdi Bano;
- vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit, Idriz Shuli;
- vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut;
- vendosjen në mars të 2005-s të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën “Don Bosko” në Tiranë;
- vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale, Xhavit Shala;
- vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullau;
- disa vepra të tjera penale, të cilat janë në hetim; për vrasjen e ish-kryetarit të SHIK-ut të rrethit Lushnjë, Bashkim Shkurti; për vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë të qytetit Lushnjë, Drago Voshtima, vrasje këto të kryera në vitin 1998.
Arrestimi në Turqi i kreut të bandës së Lushnjës
Aldo Bare u arrestua më 25 mars të vitit 2006 në Ankara. Alfred Shkurti, i njohur me nofkën Aldo Bare, konsiderohet nga Drejtësia shqiptare si drejtuesi i bandës kriminale të njohur me emrin e tij. Aldo Bare u arrestua nga Policia turke në Ankara, i maskuar me një pasaportë false maqedonase me emrin Mikel Kodra. Arrestimi i Bares u bë pas një bashkëpunimi me Policinë turke dhe Interpol Ankaranë, si dhe një numër policish të vendeve të tjera partnere. Për 3 vjet Drejtësia shqiptare punoi për ekstradimin e Bares në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, edhe Drejtësia italiane ishte e interesuar për ekstradimin e Bares për shkak të disa veprave penale që dyshohet se shqiptari kishte kryer atje. Bare pretendoi, nëpërmjet avokatit të tij turk, se nuk duhet të ekstradohej në Shqipëri pasi kthimi i tij rrezikohej deri në eliminim fizik. Gjithsesi, pas procedurash të gjata në disa shkallë e procese gjyqësore në Turqi, Drejtësia shqiptare mundi që ta ekstradojë të shumëkërkuarin. Aldo Bare po gjykohej në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasje, vjedhje dhe trafik droge. Pas ekstradimit, gjykimi do të vazhdojë tani me vetë dëshmitë e Aldo Bares.
10 Dhjetor 2009