Projektet e rrugëve, ministria kërkon shtesa fondesh ndërsa BERZH-i hetim
Projektet për rrugët kombëtare dhe dytësore në vend do të mbeten një problem edhe për vitin që vjen. Të shpallura si prioritet i qeverisë, projektet e rrugëve në vend kanë mbetur në pjesën më të madhe të tyre të papërfunduara ose të parealizuara si duhet. Për këtë problem disa prej donatorëve kryesorë të këtyre projekteve ndër të cilët edhe BERZH-i i kanë shprehur rezerva qeverisë shqiptare, sidomos në ato raste kur projektet e rrugëve nuk kanë përfunduar edhe pse financimet ishin kryer në kohë. Por nga ana tjerr ministria e Punëve Publike ka kërkuar fonde shtesë për projektet e mbetura përgjysëm. Me anë të një shkrese dërguar Ministrisë së Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve kërkon financime shtesë për rreth 31 akse, që janë aktualisht në proces ndërtimi. Gati gjysma e parave do të shërbejë për punët e kryera në pjesën e mbetur të vitit. Shkaku është rritja e kostos në disa segmente rrugore që po ndërtohen nga firmat private dhe për pasojë, drejtoria duhet të lidhë kontrata të reja, vlera e të cilave arrin në 2.3 miliardë lekë.
Kostot shtesë
Kontratat shtesë për projektet ekzistuese, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe pasqyrojnë dukshëm paaftësinë e institucioneve shtetërore për t‘i menaxhuar më mirë fondet. Në rast se mes firmës ndërtuese dhe Drejtorisë së Rrugëve është lidhur një kontratë me vlerë 100 milionë lekë, për shkaqe të ndryshme, që lidhen me katastrofat natyrore ose krizash të mëdha ekonomike, subjekti privat ka të drejtë të kërkojë shtesë deri në 20 për qind të vlerës së investimit. Problemi është se këtë "të drejtë" po e shfrytëzon pjesa dërrmuese e firmave private, të cilat duke rënë dakord me Drejtorinë e Rrugëve, solli kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Nuk janë pak, por gati 31 projekte rrugore që janë rishikuar duke u vlerësuar në shuma të konsiderueshme. Mjafton të përmendin rrugën Rrëshen-Kalimash, e cila falë disa shtesave në kontratë, mbart një kosto mbi 1 miliard dollarë, nga 350 që ishte kur u firmos projekti. Duke iu rikthyer problemit me firmat e ndërtimit që kanë probleme me shtetin sa u takon pagesave, Ministria e Financave sqaron se, shumë subjekte kanë punuar me ritme më të shpejta, sesa e parashikonte kontrata, duke mbetur kështu në pritje të çeljes së fondit.
Projektet
Ministria e Punëve Publike ka në ngarkim një sërë objektesh të mëdha rrugore, si pjesa mbetur e Durrës-Kukës, Rruga e Arbrit, disa mbikalime të rëndësishme, si dhe një listë të gjatë me asfaltime dhe rikonstruksione. Në totalin e investimeve për rrugët, janë parashikuar që rreth 8.5 miliardë lekë të sigurohen nga donatorët, ku rreth 6 miliardë janë kredi me interesa, kurse pjesa tjetër grante. Në buxhetin 2009, MPPT-ja mori rreth 68 miliardë lekë, kurse për vitin që vjen do të ketë në dispozicion rreth 30 miliardë më pak.
BERZH planifikon edhe 50 milionë euro shtesë për rrugët në Shqipëri
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim po diskuton mundësinë për t‘i akorduar Shqipërisë 50 milionë euro kredi shtesë për projektin e rehabilitimit të rrugëve lokale, që synon të rinovojë rreth 500 kilometra rrugë fshati në të gjithë vendin, bëhet e ditur nga agjencia "balkans.com". Projekti fillestar ishte bazuar në kredi me vlerë të përgjithshme prej 137 milionë eurosh dhe financohej pjesërisht nga Banka Botërore dhe pjesërisht nga Banka Europiane për Zhvillim e OPEK. Kreditë e mësipërme ndihmuan Shqipërinë që për herë të parë që nga koha e komunizmit të riparonte, rikonstruktonte dhe ndërtonte nga e para rrugët e fshatrave, të cilat qenë prishur deri në themel nga koha e gjatë e mungesës së mirëmbajtjes. Projekti është parashikuar që të realizohet brenda një periudhe prej 4.5 vjetësh dhe të përfundojë më 12 dhjetor 2012. Projekti i rrugëve dytësore dhe lokale është në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013. Projekti synon të ndërtojë dhe përmirësojë rreth 1500 kilometra rrugë dytësore dhe lokale. Në këtë kuadër, financime paralele janë diskutuar dhe siguruar paraprakisht nga një numër kreditorësh dhe donatorësh, si BB-ja, fondi i OPEC-ut, BE-ja, Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Banka Europiane e Ndërtimeve etj.
10 Dhjetor 2009