E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Mitingu i PD-së u kushtoi taksapaguesve 4 milionë euro



Socialistët e kanë akuzuar qeverinë se ka shpenzuar rreth 4 milionë euro nga paratë e taksapaguesve për mitingun e organizuar nga PD-ja me rastin e 8 dhjetorit. Përpos kësaj, sipas deputetëve të PS-së, organizimi i këtij mitingu është bërë në dhunim të hapur të normave më elementare të funksionimit të një shteti normal, duke paralizuar shërbimet për qytetarët, në shkolla, spitale, poliklinika, ambulanca dhe në të gjitha institucionet publike, si pasojë e sjelljes me dhunë në miting të punonjësve buxhetorë. Sipas deputetit Saimir Tahiri, organizimi i mitingut nga PD-ja u bë në kulmin e fushatës së saj të dhunës dhe denigrimit jo vetëm ndaj opozitës, jo vetëm ndaj pushtetit vendor, por edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë. Deputeti në fjalë nuk nga ngurruar të bëjë edhe një bilanc të shpenzimeve financiare të bëra nga qeveria për realizimin e këtij mitingu. “Shqiptarët duhet të dinë se kanë paguar nga xhepat e tyre për mitingun e djeshëm të partisë në pushtet plot 2 milionë euro. Qeveria ka paguar për: postera, printime, transport me autobusë dhe reklama në median e shkruar dhe vizive, afërsisht 1.7 milionë euro. Koncertin dhe fishekzjarrë afërsisht 228 000 euro. Përveç kësaj kostoje, që është kostoja e drejtpërdrejtë për organizimin e mitingut, janë edhe 2 milinë euro të tjera, kosto e shkaktuar nga mungesa e punës dhe ofrimit të shërbimeve dje nga administrata publike, rrogat e paguara për një ditë punë të munguar dhe shërbime të paofruara”, - ka nënvizuar Tahiri. Sipas tij, në Ditën e Luftës Kundër Korrupsionit, qeveria më korruptuar e Europës, kryeministri, që korrupsionin e ka kthyer në sistemin e ngushtë prej të cilit përfitojnë familjarët, ministrat dhe sejmenët e pushtetit, qeveria që detyron shqiptarët t’i paguajnë me taksat e tyre edhe rrogën e ministrave të korruptuar, që i detyron shqiptarët të paguajnë edhe koston e shtuar prej 300 milionë eurosh të tunelit të shembur, vodhi dje nga çdo familje shqiptare edhe 2 milionë euro të tjera vetëm për të organizuar mitingun e diktaturës qeveritare, jo mitingun e demokracisë qytetare. “Këto kosto të çmendura që kjo qeveri dhe ky kryeministër ua nxjerr nga xhepi shqiptarëve në këtë kohë krize të thellë ekonomike, janë tërësisht të pajustifikuara për sa kohë vihen në shërbim të partisë në pushtetet dhe të kryeministrit ilegjitim në detyrë”, - ka nënvizuar Tahiri. Sipas tij, kostoja më e ulët për Sali Berishën dhe shqiptarët është hapja e kutive dhe transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. Tahiri komenton se shërbimi i vetëm që mund t’i bëjë Berisha Shqipërisë, shqiptarëve, demokracisë dhe shtetit ligjor është të hapë kutitë dhe të garantojë leximin e drejtë dhe të saktë të vullnetit të popullit shqiptar.
Klosi
Edhe deputeti i PS-së, Blendi Klosi, nuk ka ngurruar të japë vlerësimet e subjektit politik që ai përfaqëson në lidhje me mitingun e PD-së ku, sipas tij, kreu i qeverisë ka shkelur në mënyrë flagrante disa ligje. Sipas tij, tentativa e Berishës për të realizuar një antimiting shtetëror për të mos hapur kutitë, duke shfrytëzuar një datë të shënuar dhe historike për memorien e shqiptarëve, u kushtoi qytetarëve të këtij vendi, përveç kostove marramendëse financiare, edhe një ditë të paralizuar administrative. “Paralizoi shërbimet për qytetarët, në shkolla, në spitale, poliklinika, ambulanca dhe në të gjitha institucionet publike. Berisha, si kryeministër i votave të vjedhura dhe i kutive të mbyllura, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin e shërbimit civil dhe të gjithë legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e punës së administratës publike në ministri e institucione”, - ka nënvizuar Klosi. Sipas tij, qeveria, me vetëdije, ka shkelur ligjin “Për statusin e nëpunësit civil”,
ligjin e etikës dhe ligjin “Për arsimin e parauniversitar”. Klosi ka informuar se për mitingun e PD-së është ndërprerë koha e punës në institucionet shtetërore, bashki, komuna prefektura, ministri dhe institucione të tjera të varësisë, është shpenzuar koha e punës me qëllim organizimin e mitingut, është përdorur prona shtetërore për organizimin e këtij mitingu (karburant, makina, banderola, deri dhe trenat e shtetit). “Punonjësit e institucioneve të sipërpërmendura janë urdhëruar dhe kërcënuar për të marrë pjesë në këtë miting. Është ndërprerë mësimi në shkolla të mesme dhe nëntëvjeçare për të organizuar pjesëmarrjen e mësuesve. Janë përdorur nxënësit e viteve të treta dhe të katërta dhe janë sjellë në miting”, - ka nënvizuar Klosi. Sipas deputetëve të PS-së, 4 milionë eurot e kostove të festës që zgjati vetëm 2 orë shërbyen vetëm për tribunën me dekor nga ku Berisha përdori sërish gjuhën e urrejtjes.

Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, sot në Tiranë

Mbërrin sot për një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të mirëpresë homologun e tij turk gjatë një ceremonie zyrtare që do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave. Në vijim, dy presidentët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë e më pas do të drejtojnë bisedimet bilaterale mes delegacioneve respektive. Në prani të dy presidentëve do të nënshkruhet edhe Protokolli i Bashkëpunimit mes ministrive të punëve të jashtme reciproke. Në përfundim, presidenti Topi dhe presidenti turk Gyl do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp. Ndërsa ditën tjetër, dy presidentët do të përshëndesin punimet e Forumit të Biznesit Shqiptaro-Turk. Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë, Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, do të takohet me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, me kryetarin e Këshillit të Ministrave, Sali Berisha, si dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Axhenda e presidentit turk Gyl përfshin dhe një vizitë në kolegjin turk “Mehmet Akif”, si dhe pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e hapjes së qendrës kulturore “Yunus Emre”.

10 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›