E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza kërkon masën e sigurisë: “Burg pa afat” për mjekun e Onkologjikut

 

TIRANE - Agim Karaj, kreu i Klinikës së Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pritet të përballet sot në Gjykatën e Tiranës me kërkesën e prokurorisë për vendosjen e masës së sigurisë ndaj tij. Seanca ndaj tij është përcaktuar të zhvillohet në orën 10:00 të paradites së sotme, ndërsa paraprakisht prokuroria ka kërkuar “burg pa afat”, nën akuzën e “korrupsionit”. Masa e sigurisë ndaj mjekut 58-vjeçar, Karaj, është vendosur në mungesë disa orë para se ai të arrestohej, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet që ai dhe avokati i tij të japin shpjegime para gjykatës për akuzën paraprake. Sipas prokurorisë, hetimi ndaj mjekut ka zgjatur rreth një muaj nga efektivët e Kundër Krimit Financiar të Policisë së kryeqytetit si dhe Specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit në bashkëpunim me Njësinë Task-Forcë të Prokurorisë. Pas dokumentimit ligjor të veprës së kryer nga mjeku Karaj, u lëshua urdhër-arresti në ngarkim të tij, i cili u ekzekutua në kuadër të operacionit “Plaga e hapur”. Sipas organit të akuzës, dyshohet se mjeku Karaj duke qenë në këtë detyrë u kërkonte dhe përfitonte ryshfete nga të afërm të pacientëve, në shuma që nisnin nga 40 mijë lekë të reja në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale. Pas arrestimit të mjekut, policia i sekuestroi atij në cilësinë e provës materiale një shumë prej 40 mijë lekësh të reja, që mendohet se i kishte përfituar nga familjarët e një pacienti. Gjithashtu atij iu gjetën dhe sekuestruan edhe 8000 euro, dy celularë, autovetura, si dhe një sasi e konsiderueshme medikamentesh të ndryshme. Ende nuk dihet se cili është qëndrimi i mjekut përballë akuzës, ndërsa pritet që ai të shprehet sot përpara gjykatëses së gatshme të kësaj jave në kryeqytet. Sipas kërkesës së prokurorisë, për shkak të veprimeve të tij me pasoja për qytetarët, kirurgu i Onkologjikut duhet të qëndrojë në qeli deri në fund të hetimeve. fa.ma.

Tiranë, rikthehen operacionet tek Onkologjiku
rrestimi i mjekut Agim Karaj, me akuzën e korrupsionit, u bë shkak për ndërprerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale për dy ditë me radhë në repartin e kirurgjisë te spitali Onkologjik në kryeqytet. Sipas burimeve të konfirmuara, ditën e djeshme në këtë repart ka filluar realizimi i ndërhyrjeve kirurgjikale të parashikuara për pacientët. Arrestimi i shefit të kirurgjisë te spitali Onkologjik ndërpreu ndërhyrjet e parashikuara për dy ditë por dje ato janë rikthyer normalisht.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›