E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazlliç toka në Durrës, me 50 euro metri

 

Trazhgim Sokolaj

Biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç ka blerë 12 mijë metra tokë në fshatin Rinia në Porto-Romano, për 50 euro metrin katror. Ky fakt është konfirmuar nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të cilat kanë dërguar të dhënat e tyre në prokurori gjatë ditëve të fundit. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, mësohet se nga verifikimi në Hipoteka, janë gjetur 12 mijë metra tokë në zonën e Porto Romanos në Durrës, të cilat rezultojnë në pronësi të 33-vjeçarit Damir Fazliç. Sipas të dhënave dokumentare, kjo sipërfaqe tokash aktualisht e bllokuar në mënyrë provizore me urdhër nga prokuroria, është blerë me një shumë totale prej 600 mijë eurosh. Sipas përllogaritjeve të para të bëra nga prokuroria mësohet se biznesmeni boshnjak që po hetohet për akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale”, ka qenë i favorizuar në blerjen e 12 hektarëve tokë në atë zonë, me çmim 50 euro për metër katror. Favorizimi kryesor në këtë treg mësohet se ka ndodhur në periudhën kur institucionet shtetërore deklaruan se sipërfaqja e tokës në zonën e fshatit Rinia në Porto Palermo ishte e infektuar me pesticide. Të ndikuar nga ky fakt, i cili u bë publik me konfirmimin e instancave përkatëse të shtetit, pronarët e tokës në këtë zonë u treguan të gatshëm të shesin me çdo çmim. Në këtë kohë ka ndodhur edhe ndërhyrja e biznesmenit Damir Fazlliç, i cili menjëherë pas shtatorit të vitit 2005 mbërriti në Shqipëri dhe pasi regjistroi katër kompani biznesi, realizoi edhe blerjen e 12 mijë metrave tokë në zonën e Porto-Romanos në Durrës. Prokuroria e Përgjithshme tha dje se në përmbushje të dispozitës për “pastrim të produkteve të ardhura nga vepra penale”, organi i akuzës është duke verifikuar nëse Damir Fazlliç ka pasur veprimtari të paligjshme jashtë Shqipërisë. “Objekt i këtij verifikimi është një letërporosi që pritet t’u dërgohet autoriteteve të Prokurorisë së Bosnjës, për të konfirmuar nëse Fazlliç ka precedentë penalë atje në fushën e krimit financiar”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, dispozita mbi të cilën akuzohet Damir Fazlliç kërkon që përveçse të provohet se është kryer pastrim parash, para gjykatës të bëhet e qartë se paratë me të cilat janë kryer veprimet kanë ardhur nga një veprimtari e paligjshme. Mësohet se organi i akuzës është ende në pritje të përgjigjeve të kërkuara për pronat e biznesmenit Fazlliç në rrethe të tjera të vendit, pasi verifikimet në Durrës kanë përfunduar.
       

Pronat e Fazlliç, gjyqi kthehet në debat

TIRANE – Seanca e parë gjyqësore për shqyrtimin e padisë së Damir Fazlliç u kthye në debat midis avokatit, përfaqësues të biznesmenit serbo-boshnjak dhe organit të prokurorisë. Të dyja palët i kërkuan gjykatës ndërprerjen e shqyrtimit të çështjes, për të bërë shtesë të padisë gjyqësore. Mbrojtja kërkoi që gjykata të pranonte për të shqyrtuar në të njëjtin proces kërkesën e depozituar në Gjykatën e Durrësit për heqjen e sekuestros për disa prona të Fazlliç në këtë rreth. Po kështu në proces u kërkua edhe bashkimi i padisë që ka paraqitur biznesmeni Erion Isufaj, e cila ka objekt të njëjtë dhe që ka nisur të shqyrtohet nga një tjetër gjykatës kryeqytetas. Përfaqësuesit e akuzës pohuan se nga verifikimet e kryera në mjaft kompani, të të cilat është përfshirë Fazlliç, nuk dihen qartë të gjithë ortakët e tyre. Pas kësaj, gjykatësi i çështjes vendosi të shtynte seancën gjyqësore, duke i lënë kohë palëve për të paraqitur provat e nevojshme shkresore, në bazë të të cilave pritet që gjykata të dalë me vendim të ndërmjetëm, për faktin nëse do e pranojë apo jo kërkesën për bashkimin e proceseve. Damir Fazlliç dhe tetë kompanitë e tij kanë paditur në Gjykatën e Tiranës, prokurorinë, të cilës i kërkojnë heqjen e sekuestros mbi këto prona.    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›