ZMK: Edi Rama po kthenlulishtet në “betonishte”
ZIRINA LLAMBRO
“Oktapodi betonizues i Tiranës, Edi Rama, po kthen lulishtet në betonishte”.Ky është reagimi i kreut të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Altin Goxhaj. Kjo deklaratë vjen pas protestës së disa ditëve më parë kundër Bashkisë së Tiranës, e cila sipas ZMK, po i rrëmben hapësirat publike që u takojnë qytetarëve. Goxhaj akuzoi ashpër kreun e saj. “Gjatë iniciativës donkishoteske të protestave të ZMK-së për të protestuar ndaj oktapodit betonizues të Tiranës, qytetarë të ndryshëm kanë denoncuar abuzime të paimagjinueshme të ndërmarra nga Bashkia Tiranë dhe institucione të tjera qeveritare. Për këtë arsye çdo ditë po verifikojmë me dhjetëra abuzime, të cilat do të shërbejnë për të ndërtuar një Dosje Akuzë ndaj Bashkisë Tiranë dhe Kryetarit të saj Edi Rama”, tha Goxhaj. Sipas tij, kjo është edhe një ndër pikat kryesore të Rezolutës së Shoqërisë Civile, të organizuar në Aleancën për Hapësira Publike. “Lulishtja e Xhamllikut” apo betonishtja 220 milionë lekë! Duket qartë që këtu vetëm pemë nuk ka por beton, beton gjithandej”, nënvizoi kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit. Sipas tij, për vite tëra, që nga koha e diktaturës, qytetarët e rrugës së Porcelanit janë mësuar të pushojnë në një shesh që formalisht quhet sheshi “Gensher”, ndërsa në gjuhën e komunitetit mbetet si “Lulishtja e Xhamllikut”. “Por prej disa javësh, emri i ri komunitar i sheshit është bërë: “Betonishtja e Xhamllikut”! Sepse në vend të gjelbërimit dhe shatrivaneve të dikurshme janë derdhur disa dhjetëra milionë lekë beton! Aty tashmë është krijuar një shesh absurd i shëmtuar betoni, duke bllokuar edhe qarkullimin e automjeteve, dhe tashmë në mes të Tiranës është krijuar një shesh, që për çdo turist të huaj do të keqkuptohej si një varrezë monumentale përkujtimi të kush e di se kujt ngjarjeje historike”, tha Goxhaj. Ai nënvizoi se tashmë betonishtja e Xhamllikut, do të hyjë në historinë e Tiranës ashtu siç hynë shumë absurde arkitekturore të komunizmit në memorien tiranase! “Tashmë betonishtja e Ramës është një koncept i ri “arti” arkitekturor i cili meriton të futet në manualet dhe fjalorët profesional urban dhe arkitekturor”, tha Goxhaj. Ai nënvizoi se çdo banor i lagjes së Xhamllikut prej muajsh ka dyshuar dhe shpresuar se mos pamjet e shtrimit në beton të qendrës së tyre periferike ishin vetëm moskuptim i procesit rutinor rehabilitues i lulishteve. “Por kur më së fundi lulishtja ishte e kthyer e gjitha në një shtresë të trashë betoni, çdo kalimtar dhe çdo banor i zonës po shpreh një pakënaqësi në rritje drejtuar arkitektit ‘betonizues’ Rama”, u shpreh kreu i ZMK. Në deklaratën e kësaj organizate thuhet se Bashkia e Tiranës ka injoruar protestën e më shumë se 200 qytetarëve të zonës. “Një pjesë e medias e kontrolluar nga Rama e injoroi protestën e 200 qytetarëve të zonës, duke e braktisur në heshtje të plotë mediatike. Ato media që kreu i Bashkisë kontrollon e zëvendësuan zërin e Dialogut të 200 qytetarëve me zërin e monologut Rama. Brenda 2 ditëve, dy takime publike u bënë në atë zonë, njëri ishte ai i Ramës me 40 militantë fanatikë dhe tjetri ishte ai i 200 qytetarëve me shoqërinë civile”, u shpreh Goxhaj. Në deklaratën e organizatës që drejton theksohet gjithashtu se betonizimi i lulishteve të Tiranës prej vitesh po ndodh pjesë-pjesë, si pa u kuptuar. “Lulishtet e dikurshme po zëvendësohen nga blloqe dhe shtresa të tëra betoni. Dhe pas çdo alienizimi të gjelbërimit në betonizim, kryetari piktor organizon spektakle mediatike me kamera elektronike, duke manipuluar pamjet e ftohta të betonit nëpërmjet zoom-imit të së vetmes pemë apo copëz bari periferike të betonishteve të tij unikale. Tashmë të gjitha lulishtet e mbetura të Tiranës po konvertohen pak nga pak në betonishte”, tha Goxhaj. Ai nënvizoi gjithashtu se dhe arsyeja pse lulishtet e vetme të Tiranës, pronë e qytetit dhe qytetarëve Rama po i betonizon. “Nëse ka diçka që ZMK po e vërteton me dokumente çdo ditë është pikërisht gjetja e motivit të vërtetë të betonizimit të qytetit! Dhe motivi i vërtetë i shkatërrimit të gjelbërimit të mbetur të qytetit është shumë i thjeshtë! PARAJA!”,pretendon ZMK