E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Cërrikut, status të penduarit

 

Trazhgim Sokolaj

Dëshmitari që zbardhi masakrën e vitit 1997 në Cërrik, mbi efektivat e Gardës dhe Policisë, pritet të marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Një ditë pasi Bujar Buzani rrëfeu në Gjykatën e Krimeve të Rënda gjithë skenën e ngjarjes dhe protagonistët e sulmit me armë ndaj policisë, prokuroria konfirmoi se ka nisur procedurat për marrjen në mbrojtje të këtij dëshmitari. Sipas burimeve nga organi i akuzës dhe nga policia, presionet ndaj Bujar Buzanit, në mënyrë që ai të mos dëshmonte, kanë qenë prezente ndërsa faktet e treguara prej tij kanë ndihmuar në zbardhjen e rrethanave të masakrës së Cërrikut dhe identifikimin e autorëve të këtij krimi. Këto elementë janë marrë në vlerësim nga policia dhe prokuroria, të cilat kanë filluar tashmë procedurën që pritet të përfundojë me dhënien e statusit dhe marrjen në mbrojtje të dëshmitarit të masakrës së Cërrikut. Burimet nga prokuroria thanë se kërkesa është hartuar dhe ka marrë miratimin e organit të akuzës. Në këtë mënyrë, pas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme, dhe marrjes së miratimit prej saj, dosja do t’i kalojë Ministrisë së Brendshme ku ndodhet edhe komisioni që shqyrton rastin e më pas merr vendimin për të miratuar mbrojtjen dhe masat e posaçme për personat që bashkëpunojnë me drejtësinë dhe familjet e tyre. Komisioni që merr në shqyrtim këtë rast dhe vendos për dhënien e statusit kryesohet nga zv/ministri i Brendshëm dhe përbëhet nga një gjyqtar, një prokuror dhe një oficer i policisë gjyqësore. Ky komision merr në shqyrtim propozimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas shikon rrezikshmërinë që i kanoset dëshmitarit apo bashkëpunëtorit të drejtësisë, vlerën e dëshmive dhe fakteve të treguara prej tij dhe veprën për të cilën ai ka ndihmuar hetimin. Pas një vlerësimi mbi të gjithë këta elementë, komisioni vendos për dhënien e statusit të dëshmitarit apo bashkëpunëtorit të drejtësisë, nëse personi është i bashkakuzuar me të pandehur të tjerë.
Masakra e Cërrikut
Bujar Buzani, njëri nga nëntë personat e arrestuar me akuzën e organizimit të masakrës së Cërrikut, dëshmoi tri ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ai tregoi organizatorët e ngjarjes, duke akuzuar për këtë të arrestuarit Roland Xhepaxhiu dhe Met Bozi. Sipas tij, autoblinda me të cilën policia kishte tentuar të hynte në qytet, ishte qëlluar me mitraloz të kalibrit të rëndë 12.7. Sipas burimeve nga hetimi, specifika e dëshmive të dhëna nga Bujar Buzani është se ai ka edhe vëllain e tij mes personave që janë arrestuar për masakrën e Cërrikut. Nëntë të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” në bashkëpunim më shumë se një herë dhe të mbetur në tentativë, më shumë se një herë. Ngjarja ka ndodhur më 23 mars 1997, rreth orës 08:30, kur u goditën me armë punonjësit e Gardës së Republikës dhe policia që tentuan të hynin në qytetin e Cërrikut. Sipas hetimeve të prokurorisë, dëshmia e Bujar Buzanit merr një rëndësi të veçantë pasi këqyrja e vendit të ngjarjes dhe fiksimi i provave aty ka qenë i pamundur, në rastin e masakrës së Cërrikut. Në këtë ngjarje, sipas hetimeve të prokurorisë dhe policisë, gjetën vdekjen punonjësit e gardës Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Qemal Mehmeti, Sali Martini dhe Petrit Ndoi ndërsa u plagosën disa punonjës të policisë.

Të akuzuarit

Llazar Bicja
Meti Bozi
Arjan Toska
Roland Sota (Xhepexhiu)
Alban Toska
Skënder Cani
Tomorr Buzani
Bujar Buzani
Entel Gashi   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›