E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikantët e klandestinëve, lojë me fjalët e përgjimeve telefonike

 

TIRANE - Të arrestuarit nga operacioni “Butrinti” në korrik të vitit 2007 për akuzën e “ndihmës së kalimit të paligjshëm të kufirit” dhanë dje deklarimet e tyre përpara togave të zeza. Pasi kanë përfunduar dëgjimin e CD-ve me përgjimet telefonike të trafikut të klandestinëve, Gjykata për Krimet e Rënda vijoi me pyetjen e të pandehurve të çështjes. Arjan Shehu, i cilësuar si drejtues i grupit tha përpara gjykatës se bisedat telefonike me policët i kishte bërë në kuadrin e një “loje”. Sipas tij, ai ishte udhëzuar nga një person me emrin Ardian, i cili punonte në policinë e Vlorës. Me anë të telefonatave drejt policëve, ai donte të inskenonte përfshirjen e tyre në trafikun e klandestinëve. “Detyra ime ishte të gjeja një taksi, apo një fugon për klandestinë. Qëllimi i gjithë kësaj ishte të shkarkonim nga detyra shefin e Policisë së Kufirit në Sarandë. Pas shkarkimit, vendin e tij do ta zinte miku im (personi nga Vlora) ndërsa unë do të merrja një post në strukturat drejtuese të Policisë së Kufirit”, tha ai në sallën e gjyqit. Sipas tij, marrëveshja kishte qenë informale. “Ai nuk më ka dhënë ndonjë akt të shkruar për bashkëpunimin. Herë pas here më jepte nga 1-3 mijë lekë për të blerë karta telefoni”, deklaroi Shehu. Ndërsa i pandehuri Emin Halili, deklaroi se Arjan Shehun e kishte njohur si klient dhe më pas e kishte punësuar në aktivitetin e tij të peshkimit. I pyetur nga prokurori për bisedën ku Shehu i thotë atij “sot ka shumë peshk” Halili tha se “atë natë ishte kohë me shi dhe e kisha mësuar Arjanin se në të tillë kohë shtohej peshku”. I pandehuri Kadri Emini, ish-punonjës i policisë së kufirit, i argumentoi telefonatat e tij me Shehun me lëvizjen e këtij të fundit me automjete pa dokumentacion. “Shpesh Arjani lëvizte me makina të shokëve, pa dokumente, prandaj më pyeste në telefon se kush ishte në postblloqet policore. Gjithashtu, si një punonjës i policisë që isha, bisedat telefonike me Arjan Shehun i kam bërë edhe për të thithur informacion”, ka thënë ai. Arjan Shehu, Kadri Emini, Ilmi Bejko, Emin Halili dhe Ilia Thoma akuzohen nga prokuroria se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar 5 episode të kalimit të klandestinëve në pikën kufitare të Qafë-Botës.                               ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›