Akuza ndaj Lulzim Bashës, jashtë afatit ligjor të hetimit
Trazhgim Sokolaj
Vendimi i Gjykatës së Lartë për të ndërprerë hetimet e dosjes “Durrës-Kukës” më 6 nëntor 2008 nxjerr jashtë afatit ligjor veprimet kryesore të Prokurorisë së Përgjithshme, përfshi ngritjen e akuzës ndaj ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. Për shkak se ende nuk kishte marrë një vendim ndaj ish-ministrit të Transporteve në hetim, më 6 nëntor 2008 Prokuroria e Përgjithshme vendosi shtyrjen e afatit procedural të hetimeve me një muaj deri më 6 dhjetor 2008. Pikërisht vendimi i Prokurorisë për shtyrjen e afatit të hetimeve të dosjes “Durrës-Kukës” duket se ishte nga ato momente juridike e procedurale të dosjes, që u dha më pas gjykatave shkak për të vënë seriozisht në diskutim akuzat e ngritura ndaj ministrit Basha. Ky i fundit në të vërtetë kishte afat tjetër hetimi nga të pandehurit e dosjes, Armand Teliti dhe Andi Toma. Ish-zv/ministri i Transporteve Teliti dhe ish-drejtori Juridik Andi Toma, ishin marrë të pandehur që në kohën kur dosja penale hetohej nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa Lulzim Basha u mor në hetim 6 muaj më vonë, pasi dosja shkoi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kjo e fundit kërkoi heqjen e imunitetit. Në këtë mënyrë, numërimi kohor i afatit të hetimit për Bashën filloi gjashtë muaj pas ngritjes së akuzës ndaj personave të tjerë të pandehur në dosje. Me këtë argument duket se Prokuroria e Përgjithshme mund të vepronte me një vendim të veçantë për shtyrjen e afatit të hetimit ndaj Lulzim Bashës dhe me një vendim tjetër të ndarë për Andi Tomën, i pandehuri tjetër në këtë çështje. Pikërisht fakti se prokuroria u shpreh me një vendim të vetëm për shtyrjen e afatit të hetimit, i dha më pas të drejtë gjykatave që bazuar në ankimin e bërë nga Andi Toma, të ndërpresin hetimet edhe për ministrin Basha. “Nëse prokuroria do të shprehej me vendime të ndryshme, vlerësimi i gjykatës pas padisë së Andi Tomës kundër shtyrjes së hetimeve, nuk mund të shtrinte efekt mbi afatin e ministrit Basha”, thanë penalistët e njohur me çështjen. Origjina e vendimit të djeshëm të dhënë në Gjykatën e Lartë, ka qenë pikërisht padia e bërë nga Andi Toma i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë të datës 6 nëntor 2008 për shtyrjen e hetimit dhe shpalljen e pavlefshme të veprimeve të kryera pas kësaj date nga organi i akuzës. Ndërkohë që ecuria e çështjes pritet të shikohet tashmë në vendimin që do të marrë Gjykata e Lartë për dosjen “Durrës-Kukës” të dorëzuar nga Prokuroria më 25 nëntor 2008, vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë, rikthen fashikullin në gjendjen kur i pandehur është vetëm Andi Toma. Ai ishte i akuzuari i vetëm për “shpërdorim detyre”, më 6 nëntor 2008 kur Prokuroria e Përgjithshme pushoi akuzën ndaj Armand Telitit dhe mori të pandehur ministrin Basha. Pavarësisht mënyrës se si do të përfundojë kjo çështje, juristët e njohur në fushën penale pohojnë se praktika e krijuar me dosjen “Durrës-Kukës” ishte e para e këtij lloji në vendin tonë, pasi asnjëherë tjetër më parë një dosje penale nuk ishte bërë objekt i shqyrtimit të kaq shumë kërkesave paraprake, që shtrijnë efekte juridike e procedurale mbi njëra-tjetrën dhe që për më tepër kanë të bëjnë me vetë vendimin përfundimtar të çështjes.
Analogjia me dosjen e Gërdecit
TIRANE – Genc Gjokutaj, avokati mbrojtës i Andi Tomës dhe Armand Telitit në seancën e djeshme në Gjykatën e Lartë e përqendroi debatin kompetencën e Gjykatës së Faktit dhe Apelit për shqyrtimin e kërkesave të klientëve të tij. Duke sjellë para gjykatës një shembull të ngjashëm ai pretendoi se për shkak se Toma dhe Teliti ishin persona pa imunitet, kërkesat e tyre nuk shqyrtohen nga Gjykata e Lartë. “Do të ndalesha tek moskompetenca e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit, që prokurori ngriti para jush mbi bazën e atij rekursi, që ka bërë ndaj një vendimi të Gjykatës së Apelit që mban datën 23.12.08, i cili ka lënë në fuqi vendimin datë 18.11.08. Përpara së të përmend dispozitën ligjore dhe kushtetuese unë do t’i referohesha vendimit të kësaj gjykate para së cilës ndodhem, një vendim datë 29.09.2008, që i përket kërkuesit të Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, për personin në hetim Dritan Minxolli”, u shpreh ai përpara gjykatës. Gjokutaj lexoi një pjesë nga vendimi i Gjykatës së Lartë nuk pati pranuar të gjykonte kërkesën e Minxollit, një ndër të pandehurit e dosjes “Gërdeci”, pasi ai nuk ishte person që gëzonte imunitet. Po sipas këtij vendimi, shqyrtimi i kërkesës nga Gjykata e Lartë do t’i mohonte atij të drejta që i mundësohen nga ligjet në fuqi.
SHBA: Durrës-Kukës me rëndësi strategjike
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë si shumë të rëndësishme ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Qëndrimin e Uashingtonit e ka bërë të ditur dje zv/asistenti i Sekretarit të Shtetit, Stuart Jones gjatë takimit të mbajtur në Riga të Letonisë, mes vendeve të kartës Adriatik 5-Balltik-Atlantik. “Duke theksuar rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe në Kosovë, z. Jones vlerësoi në mënyrë të veçantë, gjatë ndërhyrjes së tij zyrtare në takim, ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, duke e konsideruar atë një vepër të një rëndësie strategjike dhe me vlera të mëdha në mbështetje të së ardhmes së Kosovës dhe të stabilitetit rajonal”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ministri Basha, në cilësinë e kryetarit të Radhës së Kartës së Adriatikut, u shpreh gjatë fjalës së tij se Karta e Partneritetit Adriatik A3 ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara është një histori suksesi që ka kontribuar në mënyrë vendimtare në përshpejtimin e ritmit të reformave dhe në përmirësimin e klimës së mirëbesimit ndërmjet nesh. “Rezultat i drejtpërdrejtë i këtij suksesi është edhe anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO në Samitin e Strasburg-Kehl”, tha ai. Zgjerimi i Kartës së Adriatikut me Bosnje-Hercegovinën dhe me Malin e Zi, do ta forcojë edhe më tej bashkëpunimin rajonal vijoi me tej Ministri Basha. Gjatë qëndrimit në Riga, Basha pati një takim dypalësh me zv/asistentin e Sekretarit të Shtetit, Stuart Jones. Sipas njoftimit për shtyp gjatë takimit, Basha informoi Jones mbi zhvillimet në Shqipëri duke përfshirë përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Duke vlerësuar reformat e gjithanshme të qeverisë shqiptare, Z, Jones uroi për anëtarësimin e pritshëm të Shqipërisë në NATO në Samitin e Strasburg/Kehlit. Më tej, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime rreth zhvillimeve në rajon. Z. Jones rikonfirmoi angazhimin e administratës amerikane në Ballkanin Perëndimor, si dhe vlerësoi rolin e Shqipërisë në të gjitha zhvillimet në rajon”, bëhet e ditur nga Ministria e Jashtme.
“Durrës-Kukës”, zbardhet debati Gjykatë-Prokurori
Armand Bajrami
Gjykata e Lartë vendosi dje lënien në fuqi të vendimit të Apelit të Tiranës, që shpalli të pavlefshëm çdo veprim të kryer pas datës 6 nëntor 2008 nga prokuroria për dosjen “Durrës-Kukës”. Verdikti i djeshëm i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë cilëson joligjor çdo veprim të ndërmarrë pas kësaj date, përfshi këtu edhe komunikimin e akuzave për të pandehurit aktualë të dosjes, ish-ministrin e Transporteve Lulzim Basha dhe ish-drejtorin juridik të kësaj ministrie, Andi Toma. Pas shpalljes në shkallën e parë dhe të dytë të gjyqësorit si të paligjshëm zgjatjen e afateve të hetimit edhe një muaj, Prokuroria e Përgjithshme iu drejtua Gjykatës së Lartë. Togat e zeza të kësaj gjykate shqyrtuan dje kërkesën për ligjërimin e veprimeve të prokurorisë për ish-zv/ministrit të Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtorit juridik të Rrugëve dhe ish-ministrit i Transporteve, Lulzim Basha, në atë kohë të tre personat nën hetim dhe vendosën të mos e pranojnë atë. “Panorama” boton më poshtë debatin juridik në seancën e djeshme mes përfaqësuesit të akuzës dhe gjykatës.
Prokurori: Në gjykatën e Apelit kemi kërkuar moskompetencë lëndore për gjykimin e kësaj çështjeje, pasi është Gjykata e Lartë ajo që gjykon në formë faktesh procedimin penal, që u përket të pandehurve Armand Teliti, Andi Toma dhe Lulzim Basha aktualisht deputet i Kuvendit Popullor dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Sipas Kodit të Procedurës Penale, Gjykata e Lartë gjykon veprat penale të kryera nga Presidenti i Republikës, deputetet, anëtarët e Këshillit të Ministrave e të tjerë.
Veprimi i Gjykatës së Apelit është i gabuar, pasi nuk mund të bëhet një gjykatë tjetër kompetente për të gjykuar kërkesat gjatë hetimeve paraprake kur një tjetër gjykatë gjykon çështjen në themel. Të gjitha kërkesat paraprake përfshirë dhe themelin e çështjes në rastin konkret duhet të gjykohen nga Gjykata e Lartë. Gjykata e Apelit duhet të vendoste prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë 18.09.2008 dhe dërgimin e akteve në Gjykatën e Lartë, e cila është kompetente për gjykimin e të gjitha kërkesave.
Kërkoj prishjen e vendimin të Gjykatës së Apelit dhe zgjidhjen e fakteve për rishqyrtim.
Edhe nga praktika gjyqësore janë 3-4 raste që Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesat në fazën e hetimeve paraprake të personave pa imunitet.
Gjykata: Si, si edhe njëherë?
Në çështje penale tjetër, siç është ajo e Gërdecit ka pasur kërkesa paraprake në fazën e hetimit paraprak nga prokuroria, të cilat janë pranuar nga Gjykata e Lartë.
Gjykata: Po praktikën e mëvonshme?
Ka pasur një praktikë tjetër të mëvonshme.
Gjykata: Në 3-4 vendime që Gjykata e Lartë dhe Kolegji Penal kanë vendosur që shqyrtimet janë në kompetencë të Gjykatës së Faktit.
Prokurori: Paraprakisht duhet të them se nuk ka qenë nga ana ime që ka pasur kundërshtime, megjithatë rasti që diskutojmë sot është i vetmi rast që ka pasur në shqyrtim gjykata e lartë.
Në rastin në fjalë, në një çështje penale personat kanë qenë në bashkëpunim, pra një personi që janë marrë të pandehur do të vlerësohej në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ndërkohë që rezulton se të pandehurit kanë qenë në bashkëpunim me ministrin kur janë marrë të pandehur. Nga ana tjetër ministri është përfshirë si person nën hetim në bashkëpunim me këta persona.
Gjykata: Ju pretendoni se kjo çështje nuk mund të ndahet?
Prokurori: Nuk mund të ndahet sepse personat janë në bashkëpunim, janë të lidhur me veprimin, si nga ana objektive, si nga ana subjektive. Janë të njëjtët persona, të njëjtët veprime që kanë sjellë të njëjtat pasoja. Që kur janë marrë si të pandehur u është thënë shprehimisht: ‘Merren të pandehur, pasi kanë shkelur detyrimet ligjore në bashkëpunim me ministrin”.
Gjykata: Aktualisht çështja?
Aktualisht çështja është në Gjykatën e Lartë. Po shqyrtohet themeli, në fazën e kërkesave paraprake.
Gjykata: I qëndroni rekursit ku jeni shprehur vetëm për moskompetencë?
Prokurori: Që në momentin e parë, edhe në Apel në rekurs ne i qëndrojmë kërkesës për moskompetencë.
“S’ka lidhje mes Bashës, Telitit e Tomës”
TIRANE - Pala mbrojtëse pretendoi dje të shmangte lidhjen në procedimet mes Tomës e Telitit dhe ministrit Basha, të pandehur në procesin gjyqësor “Durrës-Kukës”. Sipas avokatit Gjokutaj, personi nën hetim barazohet me të pandehurin për shkak të drejtave procedurale për të mos iu cenuar mbrojtja dhe garancitë procedurale, por nuk mund të lidhet në procedim. “Ishin dy vjet hetime dhe Lulzim Basha nuk u mor një herë i pandehur, ndonëse prokuroria mundej. Ai u mor vetëm në fund. Në qoftë se do të merrej, atëherë do të kishim të bënim me një procedim të lidhur, pra kemi një akuze, kemi një të pandehur. Ligji nuk e legjitimon, edhe sikur të donte Lulzim Bashën, të ngrejë kërkesë për të drejtën e afatit jashtë hetimeve, kjo kërkon cilësinë e të pandehurit”, u shpreh Gjokutaj.