E Diel, 1 Nëntor 2026

“Landfilli i mbeturinave do të na shkatërrojë turizmin”

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Impianti i mbeturinave do të na shkatërrojë turizmin. Fshati Bestrovë, i cili shtrihet në hyrje të qytetit të Vlorës, ka kundërshtuar dje pasivisht vendimin e bashkisë dhe të qarkut. Ai shtrihet shumë pranë detit dhe sipas banorëve e kryekomunarit, ndërtimi i impiantit për grumbullimin e përpunimin e mbetjeve të qytetit do të shkaktonte dëm të konsiderueshëm për të ardhmen. Vendimi për ndërtimin e këtij impianti u mor pas ankesave të familjeve që jetojnë në periferi të qytetit, pranë fushës së aviacionit, vend ku aktualisht depozitohen në mënyrë të pakontrolluar mbeturinat. Falë një investimi prej 6.2 milionë eurosh u miratua projekti për një landfill, në fshatin Bestrovë, i cili ende nuk ka kaluar mbledhjen e Këshillit të Qarkut. Por, menjëherë ka ardhur reagimi i banorëve të zonës. “Një investim i tillë do të thotë ndotje për këtë zonë. Ne kërkojmë që të merret mendimi i autoriteteve lokalë dhe vetë banorëve, para se të firmoset ngritja e kësaj vepre. Në asnjë mënyrë nuk do të lejohet që impianti i pastrimit të mbetjeve urbane të ngrihet në zonën e Bestrovës, pasi kjo do të shkaktojë ndotje në fshat e përreth, edhe pse përfshihet në zonën turistike”. Madje, banorët e Bestrovës kërcënojnë me protesta të vazhdueshme nëse nuk do të dëgjohet fjala e tyre dhe e kryetarit të komunës, Fredo Berberi, i cili është gjithashtu kundër ndërtimit të impiantit në këtë zonë. “Unë jam dakord që impianti të ngrihet larg Vlorës, por ai duhet të ndërtohet disa km larg, jo në fshatin Bestrovë”, është shprehur Berberi. Ndërtimi i impiantit pritet të diskutohet sërish në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Qarkut. Debatet për ndryshimin e vendit të landfillit pritet që të shkaktojnë sërish shtyrjen e zgjedhjes për fenomenin që shqetëson Vlorën turistike prej vitesh. Dikur mbeturinat hidheshin pranë fushës së aviacionit, por mbipopullimi i zonës e bëri të domosdoshëm zhvendosjen e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›