E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e 5 milionëve, e paramenduar 4 muaj më parë

 

LEZHE - I arrestuari për grabitjen e 5 milionë lekëve në Lezhë nuk e ka pranuar akuzën e Prokurorisë. Ndonëse përgjimet telefonike me vendim të organit të akuzës, si dhe hetimet e tjera e implikojnë Elton Gjinin në këtë ngjarje, ai ka tentuar të japë aludime të tjera rreth saj. Dje, në policinë e Lezhës është bërë ballafaqimi i tij me një pronar servisi, ku ai kishte më se tre muaj që i kishte çuar automjetin e tij. Ndërsa Gjini aludoi se mjetin e kishte dërguar një javë para se të ndodhte grabitja e 5 milionëve, pronari i servisit deklaroi në polici se makina e tij ndodhej prej tre muajsh në servis, ndërkohë që nuk kishte as motor. Gjini mohoi që makina e gjetur e djegur në Tresh të jetë e tij. Dyshohet se ai të ishte parapërgatitur për grabitjen, të paktën 4 muaj më parë. Për këtë shkak, Gjini kishte blerë dy makina Alfa Romeo të viteve 2000 dhe që të dyja i kishte lyer me të njëjtën ngjyrë. Të njohur të tij kanë deponuar se ai kishte dy makina. Kjo ka bërë që blutë të kenë një tjetër provë të rëndësishme në dorë, për ta akuzuar atë për ngjarjen e ndodhur. Sipas policisë, po punohet për arrestimin e dy të kërkuarve.                       r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›