E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e myslimanëve, Gjykata rrëzon paditësit e kryetarit Selim Muça

 

TIRANE – Vetëm një ditë zgjati “triumfi” i kundërshtarëve të Selim Muçës, kreut të myslimanëve shqiptarë, i cili konfirmoi një mandat të dytë pesëvjeçar pak ditë më parë. Pasi u njoh me dokumentacionin e regjistrimit si OJF të Komunitetit Mysliman dhe pasi dëgjoi edhe pretendimet e avokatit të palës së paditur gjykatësja e çështjes pohoi, se rrëzohej kërkesa për të bllokuar pasqyrimin në regjistrin e shoqatave politike të rizgjedhjes së Selim Muçës, si dhe mbledhjes së zhvilluar në medresenë e Kavajës. Ndërkohë, mbeti i hapur procesi gjyqësor për zgjidhjen e çështjes në themel. Në arsyetimin e vendimit të ndërmjetëm të shpallur dje, gjykata argumentoi se arsyeja e rrëzimit të kërkesës së bërë nga besimtarët ishte fakti se ata nuk arritën të provonin gjatë seancës se dëmi i shkaktuar në këtë rast ishte i pariparueshëm. Pasi pohoi se kërkesa e paditësve ishte e pambështetur në ligj dhe prova, gjykata arsyetoi se kjo kërkesë ishte bërë në kundërshtim me nenin 202 të Kodit Civil, për shkak se nuk plotësonte asnjë nga kërkesat e parashikuara në këtë dispozitë. Për rreth një orë gjykata dëgjoi pretendimet palës së paditur, u përfaqësua nga avokati Selfo Dosti, i cili kërkoi rrëzimin e kërkesës së bërë nga avokati Isuf Shehu, si përfaqësues i dy anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, nga 88 anëtarë që ka gjithsej ky institucion, me objekt sigurimin e padisë; shpalljen si të pavlefshëm të njoftimit për mbledhjen e këtij Këshilli; pezullimin e mbledhjes së KP të KMSH-së; si dhe pezullimin e çdo veprimi në regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse pranë Gjykatës së kryeqytetit. E thënë ndryshe, sipas vendimit të djeshëm, KMSH, mund të pasqyrojë në regjistrin e OJF-ve në gjykatë të gjitha ndryshimet që janë kryer ditët e fundit, pas mbledhjes së zhvilluar në medresenë e Kavajës më datë 21 mars. Paditësit pohojnë se krerët e KMSH-së kanë shkelur procedurat e njoftimit të mbledhjes, pasi në nenin 22 të statusit mbi të cilin funksionin KMSH, thuhet që mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm duhet të njoftohet të paktën 15 ditë para zhvillimit, ndërsa në rastin konkret kjo kohë ka qenë më e vogël se 10 ditë. Po kështu, sipas paditësve duhej që kandidatët për kreun e KMSH-së, të ishin më tepër se dy dhe të prezantoheshin së bashku me platformat më tepër se dy javë para mbledhjes. Sipas tyre, dy prej kandidatëve u prezantuan pas fillimit të mbledhjes dhe për më tepër u tërhoqën brenda pak minutash, duke e bërë farsë procesin zgjedhor, që i dha Muçës 85 për qind të votave.                            fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›