Kushtetuta e Shqipërisë dhe Integrimi Euro-Atlantik
Prof. Dr. Aurela Anastasi
Në Shqipëri, integrimi euroatlantik është trajtuar qartë si një çështje e nivelit kushtetues, qysh gjatë hartimit dhe miratimit të Kushtetutës sonë, në vitin 1998. Meqenëse ishte një nga kushtetutat e fundit të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, ajo arriti të parashikonte klauzolat e integrimit, të cilat në këto vende u parashikuan më pas, përmes amendamenteve kushtetuese. Madje, në disa prej tyre, ndryshimet kushtetuese ndodhën edhe pas hyrjes në NATO. Aktualisht, duhet thënë se Kushtetuta shqiptare ka një bazë më të gjerë dispozitash për legjitimimin e anëtarësimit të vendit në organizata ndërkombëtare, si dhe për përmbushjen e detyrimeve që i burojnë Shqipërisë nga këto anëtarësime.
Kur disa vende iu bashkuan rishtazi NATO-s në vitin 1999, vetëm kushtetuta polake kishte një dispozitë të përgjithshme të delegimit të pushteteve tek organizatat ndërkombëtare, si dhe për lëvizjen e trupave ushtarake. Pati edhe vende që fillimisht, nuk e trajtuan si një çështje kushtetuese anëtarësimin në NATO (p.sh., Çekia). Megjithatë, Republika Çeke, në vitin 2000, pas hyrjes në të, miratoi të ashtuquajturin amendament kushtetues paqeruajtës, i cili e lejonte qeverinë që të dërgonte ushtarët jashtë pa u konsultuar me Parlamentin. Hungaria ishte vendi i parë që, për hyrjen në NATO thirri një referendum në vitin 1997. Por, çështja e amendimit të Kushtetutës në respekt të NATO-s, doli në pah përsëri, në vitin 2003. Qeveria hungareze i paraqiti Parlamentit një amendament me anë të të cilit vendoste që, ajo vetë të kishte pushtetin për të autorizuar lëvizjen e forcave ushtarake për ruajtjen e paqes dhe për misionet humanitare nën patronazhin e NATO-s, të Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Në valën e dytë të hyrjeve, Sllovakia, Sllovenia dhe Rumania, i amenduan posaçërisht kushtetutat e tyre për të autorizuar hyrjen në këtë organizatë.
Pavarësisht nga ndryshimet që paraqesin sot kushtetutat në vendet e reja anëtare të NATO-s, tre grupime dispozitash janë verifikuar si të domosdoshme: dispozitat që lejojnë anëtarësimin për qëllime sigurie e paqeje; dispozitat që rregullojnë lëvizjen e trupave ushtarake; si dhe dispozitat që rregullojnë delegimin e kompetencave me vullnetin e përfaqësuesve të popullit, ose me vullnet popullor. Kushtetuta shqiptare i ka parashikuar të tria këto aspekte që në draftin e parë të saj, në vitin 1998. Ato e bëjnë shumë të qartë e të thjeshtë aderimin e Shqipërisë në të gjitha traktatet e marrëveshjet për NATO-n, e cila padyshim përbën sistemin e sigurimit kolektiv që përmbush plotësisht qëllimet e vendosura nga Kushtetuta për sigurim e paqe. P.sh., ajo vendos se, Republika e Shqipërisë mund të marrë pjesë në një sistem sigurimi kolektiv për ruajtjen e paqes dhe të interesave kombëtare, në bazë të një ligji të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit (neni 2/3). Kjo dispozitë shpreh qartë një transferim të bindur të pushteteve sovrane të shtetit tek një sistem i sigurimit kolektiv, që ka për qëllim ruajtjen e paqes dhe të interesave kombëtare, nëse për këtë voton shumica absolute e Kuvendit. Kjo dispozitë është një bazë e mirë për mbështetjen e ligjit për aderimin e Shqipërisë në traktatin e Atlantikut të Veriut. Por, e rëndësishme paraqitet gjithashtu, edhe dispozita që parashikon se Republika e Shqipërisë në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, u delegon organizatave ndërkombëtare kompetenca shtetërore për çështje të caktuara (neni 123). Kjo dispozitë është e vlefshme si për anëtarësimin në NATO, ashtu edhe në Bashkimin Evropian.
Më tepër vëmendje meriton interpretimi i dispozitës sonë kushtetuese që ka parashikuar lëvizjen e trupave ushtarake, duke theksuar se, “asnjë forcë e huaj ushtarake nuk mund të vendoset dhe as të kalojë në territorin shqiptar, si dhe asnjë forcë ushtarake shqiptare nuk mund të dërgohet jashtë, përveçse me një ligj të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit” (neni 12/3). Kjo dispozitë, e hartuar dhjetë vjet më parë, për situatën e sotme të anëtarësimit duket mjaft e ngurtë. Ajo nuk lejon lëvizjen e trupave ushtarake pa një ligj të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në raportet me NATO-n, një ligj i tillë do të kërkonte angazhim dhe kohë në dispozicion. Por, është e qartë se pas hyrjes si anëtar në NATO, shteti shqiptar duhet të ofrojë jo vetëm gatishmëri, por edhe shpejtësi në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që burojnë nga marrëveshjet e traktatet përkatëse. P.sh., Shqipëria duhet të ketë operativitet në dërgimin e forcave ushtarake shqiptare që atashohen pranë kësaj organizate. Në këto kushte, është më e arsyeshme që kjo përgjegjësi të ushtrohet nga qeveria, e cila është më operative dhe më e shpejtë në këto veprime. Kjo nevojë del e qartë jo vetëm nga përvoja e shteteve të tjera në të njëjtin proces, por edhe nga vetë përvoja shqiptare e deritanishme. Në këtë të fundit, ky nen i Kushtetutës është zbatuar përmes akteve normative të Qeverisë dhe i është nënshtruar për miratim Kuvendit brenda 45 ditëve. Janë më shumë se dy raste që, Kuvendi e ka dhënë miratimin e tij, ndërkohë që forcat ushtarake shqiptare kishin mbërritur në destinacion.
Nuk është rasti i parë që Kushtetuta jonë ka dhënë mesazhin e rezistencës së fortë që ka patur në të, kuptimi klasik i parimit të sovranitetit popullor. P.sh., duket qartë diferenca e saj në formulimin e të njëjtit nen me Kushtetutën polake, e cila e hartuar pothuaj në të njëjtën kohë, këtë çështje e ka referuar drejtpërdrejt në marrëveshjet ndërkombëtare dhe në ligje.
Aktualisht, këtë problem, Kuvendi e zgjidhi përmes ligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut”. Sipas tij, është Këshilli i Ministrave ai që vendos për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe për vendosjen apo kalimin në territorin shqiptar të forcave ushtarake të Aleancës, në operacionet e vetëmbrojtjes kolektive në kuadrin e këtij Traktati. Kjo është absolutisht e nevojshme dhe mund të interpretohet si një dispozitë e legjitimuar nga Kushtetuta, pasi ky ligj në bazë të Kushtetutës miratohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ashtu sikurse e kërkon neni 12/3 i Kushtetutës. Por, lind pyetja, a mund të rezistojë neni 12/3 i Kushtetutës në të ardhmen? Le të mos harrojmë se për nga formulimi i tij, ai i referohet çdo force ushtarake të huaj që hyjnë në territorin shqiptar rast pas rasti, dhe çdo force shqiptare që del jashtë vendit. Gjithashtu, ekzistenca e tij në këtë formë bën që dispozita e ligjit për aderimin e Shqipërisë në traktatin e Atlantikut të Veriut, mund të ngatërrohet edhe me një legjislacion të deleguar, institut i cili nuk është i lejuar nga Kushtetuta jonë.
Për sa më sipër, do të ishte më mirë që, në të ardhmen të kryhet edhe ndryshimi i nenit 12/3 i Kushtetutës. Vullneti i përfaqësuesve të popullit është i shprehur qartë në ligjin për aderimin, kurse vullneti popullor është gjithashtu i dukshëm, përmes sondazheve që dëshmojnë se shumica dërrmuese e shtetasve me të drejtë vote në Shqipëri, shprehen pro anëtarësimit në NATO. Ndryshimi i këtij neni është plotësisht i mirëpritur si në respekt të Kushtetutës, edhe në respekt të NATO-s. Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar mjaft vende të tjera, anëtare të reja të NATO-s. Nevoja të tjera për ndryshimin e Kushtetutës sonë mund të shfaqen edhe në kuadrin e anëtarësimit tonë në BE. Ne nuk mund t’i shmangim ato, nëse janë të nevojshme.